Grida Duma reagon për rritjen e çmimit të bukës: Nuk skuqen nga mosmbajtja e premtimeve
Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme për rritjen e çmimit të bukës. Deputetja Grida Duma përmes një postimi në rrjetet sociale ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë.
Duma ka publikuar një video ku dëgjohet ministri Arben Ahmetaj duke deklaruar se çmimi i bukës është i përballueshëm, ndërsa më tej në video shfaqen disa qytetarë të cilët thonë se nuk iu del hesapi.
Sipas Dumës, shumica e shqiptarëve jetojnë në varfëri, për shkak të dështimit të modelit ekonomik të cilin ajo e cilëson si ‘klientelist dhe korruptiv’ të qeverisë.
“Jetojnë të rrethuar në luksin që kanë ndërtuar në kurriz të shqiptarëve, prandaj nuk skuqen kur nuk mbajnë premtimet, as nuk turpërohen kur thonë se çmimet janë të përballueshme. Nga qëndrimet e tyre kuptohet që janë një pakicë, sepse nuk dinë si ndihet shumica dërrmuese e shqiptarëve, e cila jeton në varfëri për shkak të dështimit të modelit të tyre ekonomik klientelist dhe korruptiv. Dëgjojeni zërin e tyre”, shkruhet në postimin e PD-së.
Çmimi i bukës në vend u rrit me 10 deri në 20 lekë, si pasojë e rritjes së çmimit të grurit.