Gripi izolon shqiptarët: Mos i humbisni këto udhëzime

Përhapja e menjëhershme e virusit të gripit në popullatë ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të mbyllë çerdhet, kopshtet dhe shkollat në datat 4, 5, 6 dhe 7 janar, me qëllim frenimin e tendencës rritëse të numrit të njerëzve që po preken nga virusi.

Pas vendimit për të mbyllur shkollat e çerdhet deri më datën 7 janar për të parandaluar shpërndarjen e gripit, qeveria ka marrë vendimin për të lënë pushim 4-5-6 janar një prej prindërve që punojnë në administratë e që kanë fëmijë të mitur.

Gjithashtu i bëhet thirrje sektorit privat që t’u vijnë në ndihmë prindërve me fëmijë të mitur që të marrin të njëjtin vendim.

Për disa persona me probleme shëndetësore specifike, gripi mund të bëhet një sëmundje serioze dhe madje fatale për jetën. Për shembull, nëse ju keni diabet, sëmundje kardiake apo respiratore, gripi mund ta përkeqësojë sëmundjen tuaj duke e komplikuar trajtimin e saj

Gripi sezonal është një sëmundje infektive që përhapet nga personi në person nëpërmjet kollës, teshtimës dhe kontakteve të ngushta. Simptomat e gripit fillojnë papritur dhe mund të zgjasin nga disa ditë deri në disa javë. Simptomat më të zakonshme janë temperaturë, ethe, kollë, lodhje, dhimbje fyti, koke dhe muskulore. Veçanërisht për ju që jeni mbi 65 vjeç, gripi mund të rrezikojë seriozisht shëndetin. 80% deri 90% e të gjitha vdekjeve ndodhin te njerëzit mbi 65 vjeç si pasojë e ndërlikimeve nga gripi. Gjithashtu të moshuarit zënë numrin më të madh të pacientëve me grip, të cilët kanë nevojë për t’u shtruar në spital për shkak të gripit, se sa individët e grupmoshave më të reja. Kjo ndodh, pasi sistemi imunitar dobësohet me kalimin e moshës dhe bëhet më i cenueshëm nga infeksionet e ndryshme, përfshi këtu edhe gripin.

Cilat gjendje shëndetësore zhvillojnë grip të rëndë?

Disa sëmundje kronike apo probleme shëndetësore mund të rrisin rrezikun për ndërlikime serioze nga gripi. Këto përfshijnë obezitet ekstrem, astmë, sëmundje kronike të mëlçisë, sëmundje renale kronike, probleme të sistemit imunitar, sëmundje pulmonare kronike, sëmundje kardiake, diabet, sëmundje neurologjike dhe probleme të neurozhvillimit. Gripi sezonal mund të jetë serioz nëse vuani nga një prej sëmundjeve të sipërpërmendura. Përgjithësisht gripi sezonal kalon lehtë pa kërkuar ndonjë mjekim specifik. Megjithatë, për disa persona me probleme shëndetësore specifike, gripi mund të bëhet një sëmundje serioze dhe madje fatale për jetën. Për shembull, nëse ju keni diabet, sëmundje kardiake apo respiratore, gripi mund ta përkeqësojë sëmundjen tuaj duke e komplikuar trajtimin e saj.

Përse këto probleme shëndetësore rrisin rrezikun për t’u sëmurë rëndë nga gripi?

Gripi mund të përkeqësojë sëmundjen që ju keni (sëmundjet pulmonare, diabetin, sëmundjet kardiake) dhe si rezultat të shkaktojë gjendje që kërkojnë shtrim në spital. Gjithashtu, personat me këto sëmundje kanë një sistem imunitar më të dobët si pasojë e sëmundjes që kanë (HIV, diabet) apo mjekimeve që marrin (steroidet apo kimioterapia). Kjo e vështirëson trajtimin e gripit duke rritur rrezikun për komplikime të sëmundjes si p.sh. pneumonia.

Cilat janë simptomat e gripit?

Ethe dhe të dridhura, kollë, dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe këputje. Simptomat e gripit nisin menjëherë dhe mund të zgjasin nga pak ditë deri në dy javë. Shumica e njerëzve shërohen shpejt, por ndonjëherë gripi mund të shkaktojë komplikacione serioze, duke përfshirë pneumoninë dhe bronshitin, apo edhe vdekjen. Gripi mund të përkeqësojë problemet shëndetësore ekzistuese, siç janë sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive.

Cila është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi?

Vaksinimi çdo vit përpara sezonit të dimrit është mënyra më e mirë për të ulur rrezikun e infektimit nga gripi; ulur rrezikun e përkeqësimit të sëmundjes, shtrimit në spital dhe vdekjes; ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit në familje, miq dhe të tjerë.

 A ka ndonjë rrezik vaksinimi nga gripi?

Efektet anësore të vaksinimit nga gripi janë zakonisht të vogla si: hidhërim i gojës, skuqje në vendin e injeksionit. Disa individë shfaqin dhimbje koke, dhimbje muskulore, ethe, këputje dhe të vjella. Këto efekte anësore janë të dobëta dhe kalojnë shpejt, ndryshe nga çka ndodh gjatë gripit.

Gripi sezonal, kujdes!

  • Lani duart rregullisht me ujë dhe sapun. Vendosni pecetat e përdorura në kosh menjëherë pasi i keni përdorur. Mos prekni sytë, hundën dhe gojën pa larë duart tuaja më parë.
  • Tregojuni prindërve tuaj apo mësueses nëse ndiheni të sëmurë. Sigurohuni që të ndiqni një dietë ushqimore të balancuar dhe të stërviteni përditë. Mos shkoni në vende shumë të populluara nëse nuk është e nevojshme gjatë sezonit të gripit.
  • Mbuloni fytyrën tuaj kur teshtini. Mbani një largësi prej 1 m nga personat e tjerë nëse keni simptoma gripi. Mos kini kontakt me persona të tjerë nëse ju apo ata janë të infektuar me grip.

Çfarë të bëjmë në periudhën e të ftohtit dhe ngricës

Në dimër, gjatë ditëve të ftohta, organizmit dhe zemrës i duhet të punojnë më shumë për të parandaluar të ftohtin. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35 gradë celsius e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet duke rrezikuar shëndetin. Gjatë qëndrimit, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin e më pas ngrijnë duke u bërë gri dhe të padhimbshme. Nëse kryeni sforcime fizike në ambientet e jashtme, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës.

Kur dilni jashtë vishuni trashë që të ruani temperaturën trupore. Mbuloni pjesët më të ekspozuara si koka, qafa, këmbët e duart. Mbuloni hundën dhe gojën për të ngrohur ajrin që thithni. Vishuni me disa shtresa rrobash dhe me xhup të padepërtueshëm nga shiu. Vishni këpucë të ngrohta dhe që ju mbrojnë nga rrëshqitjet. Evitoni të dilni herët në mëngjes dhe në darkë. Ushqehuni mirë dhe evitoni përdorimin e duhanit dhe alkoolit, pasi ato nuk ju ndihmojnë.

Kujdesuni për veten dhe të tjerët. Kufizoni punët e rënda dhe vrapimet. Nëse udhëtoni me makinë, shihni parashikimin e motit dhe merrni me vete ujë, batanije dhe mbushni kartën telefonike. Kujdesuni që fëmijët dhe të moshuarit të mos kenë ftohtë, pasi ata mund të mos e ndiejnë.

Ngrohni shtëpinë dhe ruani temperaturë konstante. Temperatura ideale është 20-23 gradë Celsius dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. MAPO

SHKARKO APP