Grisejda Myslimi, pedagogia që kandidon për deputete në Vlorë
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, prezantoi një javë më parë kandidaten më të re për deputete në qarkun e Vlorës, Grisejda Myslimin.
“E brishtë në pamje të parë, por këmbëngulëse, e thjeshtë dhe me shumë mirësi”. Këto ishin cilësitë që i dalloi Kryemadhi vajzës vlonjate që kthehet në qytetin e saj për të bërë ndryshimin, duke qenë zgjedhja e duhur për Vlorën.
E ndërsa mbeten 71 ditë nga zgjedhjet dhe shprehja e vullnetit të qytetarëve, për të parë nëse 29-vjeçares do t’i jepet një mundësi për të dhënë në mënyrë konkrete kontributin e saj për të ndërruar ‘faqen’ e këtij qyteti, nuk ngurruam ta njohim nga afër vajzën ambicioze, që ka marrë përsipër një përgjegjësi të tillë politike e publike.
Zgjodhëm Universitetin Europian të Tiranës për realizimin e intervistës, sepse tashmë prej 8 vitesh ai është vendi i saj, e njeh mirë këtë territor dhe i përket atij. Pasi mbaroi studimet për ekonomi në qytetin e lindjes, Vlorë, ajo vendosi të vijë në këtë universitet për specializimin në nivelin master shkencor në degën në Financë- Bankë, profili “Bankë dhe Tregje Financiare”. Përkushtimi dhe rezultatet e larta u bënë shkak që të marrë një propozim prej universitetit për të punuar si Asistent/Lektore, pranë Departamentit të Financës dhe Ekonomiksit, Fakulteti Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, ku prej 6 vitesh qëndron në auditorë përballë studentëve për të dhënë njohuritë dhe eksperiencën e fituar.
Mësimdhënia është një nga pasionet e saj dhe pret hapjen e doktoraturave, për të plotësuar formimin akademik në fushën e saj profesionale, një drejtim për të cilin është e sigurt se nuk do t’i ndahet gjatë gjithë jetës. “Mësimdhënia është diçka që unë e kam me pasion, kështu që pavarësisht rrugëtimit tim politik, nuk do të shkëputem prej kësaj që bëj. Mësimdhënien nuk e lë, puna me të rinjtë më tërheq shumë”, tregon Myslimi.
E qetë, e sinqertë, miqësore në bisedë, e me një vështrim të thellë gati depërtues, por mjaft e vendosur në ato që thotë, e mbi të gjitha në ato që kërkon të bëjë. Edhe kur e pyes nëse është e gatshme të qëndrojë në parlament, mes klasës politike të dominuar nga burrat, dhuna verbale apo sulmet politike, ajo shprehet “Mendoj se i kam të gjitha aftësitë për ta marrë mandatin, gjithë pozitivitetin”.
E në fakt, rrugëtimi i saj në politikë dhe konkretisht në partinë Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur prej vitesh, nuk është një përfshirje rastësore apo e minutës së fundit. Prindërit e saj kanë qenë anëtarë të kësaj partie që prej krijimit në vitin 2004.
“Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë mbështetës të LSI-së, që në momentin e themelimit. Duke qenë se angazhoheshin ata, nuk mund të rrija edhe unë pa u angazhuar. Asnjë nuk ka mbajtur poste dhe asnjë nuk është punësuar ndonjëherë në administratë, apo të ketë pasur përfitim financiar. Thjesht e kanë përkrahur si parti, për shkak të programeve të saj si dhe të personave që e drejtojnë”, tregon 29-vjeçarja, duke shtuar se në këtë subjekt politik ndihet si në një familje të madhe.
Nuk janë vitet që ia krijojnë një ndjesi të tillë, por është fryma e bashkëpunimit mes të rinjve, anëtarëve dhe drejtuesve të partisë. “Kur hyra nuk e prisja një ambient të tillë, aq pozitiv dhe frymëzues. Relatat me njëri- tjetrin i kemi shumë të mira”, shton ajo, duke mohuar zërat për largime të anëtarëve, ashtu siç është përfolur në media, sidomos në qytetin e Beratit dhe Vlorës.
Myslimi e quan propagandë dhe show mediatik nga ana e PS-së dhe se gjërat kanë ndodhur shumë ndryshe nga sa është përfolur.
“Kur u fol për largimin e 100 anëtarëve të LSI-së në Vlorë, unë e di shumë mirë që aty nuk kanë qenë aq persona. Është bërë një show mediatik. Nuk kanë qenë më shumë se 45 persona, të cilët janë mbledhur pa e ditur arsyen se pse ishin thirrur. Kanë qenë njerëz që i kanë marrë nëpërmjet presionit politik, për shkak të vendit të punës. Nuk ju kanë thënë se do t’iu jepnin teserën e PS-së”, rrëfen ajo.
Myslimi tregon gjithashtu, se futja në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit erdhi shumë natyrshëm dhe nuk ishte një kërkesë e drejtpërdrejtë e saj, por një tërësi faktorësh që e favorizuan drejt një ngjitjeje të tillë politike.
“Nuk e kërkova unë që të isha kandidate. Erdhi natyrshëm mes të dyja palëve, duke qenë se angazhohet edhe familja. Ata pëlqyen pjesën e profilit tim, kontributin tim ndër vite për qytetin dhe menduan se i përshtatesha për të qenë pjesë e kandidaturës”, shprehet ajo.
Edhe pse vitet kalojnë, Shqipërisë i trashëgohen prej kohësh mjaft problematika jetike, që pavarësisht premtimeve, ndryshimi nuk duket gjëkundi. Të tilla janë problematikat edhe për qytetin bregdetar, i cili është një prej të cilëve mban gjallë turizmin në vendin tonë, i lakmuar prej vendasve, por sidomos turistëve të huaj.
“Për Vlorën janë shumë gjëra që duhen bërë, në nivelin makro dhe mikro, duke filluar që nga turizmi. Problemet në këtë qytet janë shumë të mëdha. E para, derdhja e ujërave të zeza që bëhet në det. Është një gjë që duhet të marrë fund. Në shumë zona nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka parqe, hapësira të gjelbërta”, tregon Myslimi.
Motorët e fushatës nuk janë ndezur ende ligjërisht dhe partitë ndodhen në fazën e prezantimit të kandidatëve, por projeksionet e palëve janë optimiste. Myslimi thotë se të njëjtën gjë sheh edhe brenda partisë që ajo përfaqëson, duke vlerësuar frymën dhe energjinë që përcillet nga drejtuesja. Ajo shprehet e sigurt se koalicioni opozitar do të dalë fitues në 25 prill, për të nxjerrë qeverinë e re të shqiptarëve, teksa shpreson se emri i saj do të gjendet në mesin e 140 parlamentarëve të ardhshëm.