Gruevski ne antimiting: Opozita lidhje me agjenturat e huaja

 

Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski mbajti në Shkup një kundër-protestë pas tubimit masiv të së dielës të thirrur nga opozita. Kreu i qeverisë tha se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i tij pavarësisht kërkesave në rritje.

“Nuk dorëhiqem”, – ishte përgjigja e tij ndaj kërkesave të shumta nga protesta masive e djeshme nga kundërshtarët e tij.

“Ajo që po ndodh këtu është diktaturë e pakicës politike të mbështetur nga instrumentet e shërbimit të huaj. Maqedonia nuk është as e Gruevskit e as e Zoran Zaevit. Jemi sot këtu tri herë apo katër herë më të shumtë se ata të djeshmit, të vendosur deri në fund. Jo dorëheqje”, – tha ai.

Gruevski tha se lideri i opozitës është duke u përpjekur të marrë pushtetin nëpërmjet manipulimit, intrigës dhe mbështetjes nga shërbimet e jashtme të inteligjencës.

E pranishme në tubimin e organizuar nga VMRO-DPMNE ishte edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Sipas mediave vendase, tubimi ka nisur me një minutë heshtje, në nder të 8 policëve të vrarë në krye të detyrës në Kumanovë, gjatë javës së kaluar, ku pati përleshje mes efektivëve dhe një grupi të armatosur, nga i cili mbetën të vrarë 22 persona.

Ndërkohë, bëhet e ditur se në sheshin kryesor, në të cilin marrin pjesë shumë qytetarë nga vende të ndryshme të vendit, ka prani të madhe të flamujve serbë.

Ndërkohë sipas lajmpress më shumë se flamuj të shtetit të Maqedonisë, në mitingun e VMRO-DPMNE-së vëreheshin flamuj të Serbisë.

SHKARKO APP