Grupi i huaj që vrau biznesmenin, zbardhet skenari që ndërtoi porositësi Haxhia

Detajet e lëna, si ADN-ja e gjetur në banesën e Edmond Haxhisë dhe në makinat me qira, çuan në zbulimin se kush janë vrasësit e Ardian Nikulajt. Këtë të enjte, Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 6 autorëve të dyshuar. Ka filmime të Haxhias me vrasësin dhe informatorët, ai i merrte ata gjithmonë nga Rinasi dhe i dërgonte në Shëngjin. Të pestë të huajt kanë qëndruar në disa hotele në zonën e Shëngjinit.

Akuzat janë vrasje për gjakmarrje dhe vrasje e kryer në bashkëpunim. Ekzekutori që është Ruben Saraiva, dyshohet që të jetë me origjinë nga vendet arabe. Njëri nga britanikët, pikërisht Steven Hunt që ka patur rolin e vëzhguesit të afërt, mbërriti në Shqipëri në muajin shkurt ku qëndroi 2 ditë dhe u largua përsëri. Më pas erdhi sërish bashkë me pjesën tjetër të grupit po në muajin Shkurt.

Portugezi dhe 4 britanikët janë pritur në aeroportin e Rinasit nga Edmond Haxhia, që sipas grupit hetimor, është porositësi, organizatori dhe financuesi i atentatit. Haxhia ka qenë duke i pritur në një lokal disa metra larg aeroportit në një zonë jo me shumë ndriçim. Ka qenë një kamera sigurie që i ka filmuar të gjithë bashkë grupin prej 6 personash.

Skuadra kishte marrë përsipër jo vetëm të realizonin goditjen, por të gjithë operacionin që nga vëzhgimi, deri tek largimi nga skena e krimit jashtë kufirit të vendit. Qitësi Ruben Saraiva hyri në Shqipëri më datë 14 shkurt 2023 dhe u largua mbrëmjen e 19 prillit 2023. Vrasësi një afro-evropian, nga gadishulli Iberik, për të justifikuar faktin pse ndodhej në Kakariq, sajoi alibinë kishte rënë në dashuri me një vajze nga Shkodra. Por familja e vajzës nuk kishte pranuar lidhjen e tyre për shkak të ngjyrës. Madje dhe motorin me të cilin lëvizte, e kishte blerë gjoja si dhuratë për të dashurën me rastin e 14 shkurtit.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se sapo të mbërrijë kërkesa e letërporosive për 6 autorët e dyshuar, do të nisë puna me homologët për ekstradimet e tyre për përballjen me drejtësinë shqiptare.

SHKARKO APP