Grupi për largimin e Bashës, flet Duma:Nuk i vlerësoj fare mosmirënjohësit
Deputetja e zgjedhur e PD Grida Duma ka folur gjatë një interviste lidhur me zërat brenda të djathtës dhe grupin që kërkon dorëheqjen e kryetarit Basha, pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit.
Gjatë një interviste në News 24, Duma tha se çdo parti ka reflektimin e vet, ndërsa tha se nuk i vlerëson mosmirënjohësit.
“Pas çdo palë zgjedhje, çdo parti, e ka dhe do ta ketë reflektimin e vet. Statuti i PD që ka vendosur zgjedhjet për kryetarin dhe strukturat, një muaj pas zgjedhjeve, e ka parashikuar demokratikisht që partia reflekton përmes zgjedhjeve të reja. Padiskutim që duhet të ketë reflektim. Nëse unë nuk do të kem reflektim për veten, nuk duhet ta vazhdoj këtë punë. Elementi tjetër është zgjedhjet brenda partisë. Unë nuk i vlerësoj fare mosmirënjohësit. Këtyre individëve iu dha një vend shumë i mirë në listën e PD. Unë i qëndroj mirënjohjes dhe e vlerësoj kur ajo ndodh, pra kur ma vlerësojnë përsëri, siç iu vlerësua aleatëve. Nuk e imagjinoj dot si mund të japë kryetari i partisë dorëheqjen, kur ky njeri duhet të jetë në krye të një procesi të vjedhjes së votes? Absolutisht që PD mund të fitojë me Bashën në krye, i ka të gjitha parakushtet. PD mori një rezultat tej mase të mirë përtej zero mundësi. Nuk po them që të duartrokasim humbjen, por brenda vetes, PD bëri veprimet e duhura. Patjetër që ka elementë që duhen përmirësuar. Asnjëherë nuk kam zgjedhur që problemet, reflektimet apo analizat që duhet të ndodhin brenda PD, të ndodhin jashtë PD. Nuk ka ndodhur një herë të vetme që ata që kanë pasur një mendim për ta thënë brenda zyrës së kësaj partie të mos e kenë thënë. Ajo që dua unë në këtë moment është që PD të ndjehet dhe të jetë më e bashkuar se kurrë”, tha Duma.