Guvernatori Sejko: Vëmendja e financave publike duhet të përqendrohet tek ulja e borxhit
Ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur rreth nivelit 8.5-9% për vitin 2021, në një tregues të rimëkëmbjes së shpejtë pas pandemisë, por edhe efektit të bazës së ulët krahasuese, si pasojë e kufizimeve “artificiale” të vendosura mbi aktivitetin ekonomik gjatë 2020-s. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë të posaçme për Monitor pohon se rritja ekonomike gjatë vitit 2022 pritet të ketë një bazë të gjerë.
Sejko është optimist për shpejtësisë e rimëkëmbjes, gjerësinë e burimeve të saj, si dhe stadin e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Megjithatë, ai shton se sfidat që kemi përpara nuk janë të vogla. Njëra prej tyre është tendenca e rritjes së shpejtë të inflacionit, por dhe pandemia, që ndonëse në zbehje mbetet ende një shqetësim i pranishëm në sjelljen dhe vendimmarrjen tonë të përditshme.
Masat e ndërmarra nga qeveritë kudo në botë për të zbutur pasojat e pandemisë, përmes stimulit fiskal dhe injektimeve masive të likuiditetit, janë pasqyruar në nivele të larta të borxhit publik dhe privat, duke përbërë potencialisht një tjetër burim rreziku, i cili duhet monitoruar me sukses nga autoritetet.
Guvernatori rekomandon se – në mungesë të goditjeve të tjera të krahasueshme me pandeminë – vëmendja e financave publike duhet të kthehet drejt uljes së borxhit, në nivele të tilla që minimizojnë ndikimin e luhatjeve të tregjeve financiare në shëndetin e financave publike dhe rrisin hapësirën e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen.
Viti 2021 u mbyll me nivelin më të lartë të inflacionit në më shumë se një dekadë, teksa në dhjetor Indeksi i Çmimeve të Konsumit arriti në 3.7%, mbi objektivin e shënjestruar të bankës së Shqipërisë prej 3%. Sejko thotë se ndonëse politika monetare e Bankës së Shqipërisë nuk do të bëjë kompromis me përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve, banka do të kujdeset të faktorizojë në vendimmarrjen e saj dhe nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike.
Zoti Guvernator, në vlerësimin tuaj, sa do të jetë rritja e vitit të kaluar 2021 dhe cilat janë pritshmëritë për treguesin e rritjes në vitin 2022?
Sikundër e kemi thënë në komunikimet tona publike, Banka e Shqipërisë e konsideron vitin 2021 si një vit të rimëkëmbjes ekonomike.
Siç e dini, pandemia dhe masat e marra për kontrollin e saj gjatë vitit 2020, prodhuan një recesion të thellë ekonomik, të vlerësuar rreth nivelit 4%. Ky recesion preku thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Në nivel mikro, ai u ndie nga pothuajse çdo qelizë ekonomike e shoqërisë, biznes apo familje, në formën e të ardhurave të munguara, të konsumit të reduktuar, apo të vështirësive të tjera financiare. Fatmirësisht, përgjigjja e bizneseve dhe familjeve tona demonstroi se ato kishin fleksibilitet operacional, si dhe bilance relativisht solide.
Po ashtu, përgjigjja e autoriteteve rezultoi e suksesshme. Ajo arriti të mbrojë ekonominë nga pasojat më negative të goditjes – falimentime masive biznesesh dhe rritje të qëndrueshme të papunësisë – duke ruajtur ekuilibrat ekonomikë dhe stabilitetin monetar e financiar të vendit. Këta dy faktorë siguruan premisat e rimëkëmbjes gjatë vitit 2021.
Reduktimi i masave kufizuese, rifillimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, si dhe vijimi i stimulit ekonomik, gjeneruan norma të shpejta rritjeje gjatë vitit 2021. Sipas INSTAT-it, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje me 10.4% gjatë nëntë muajve të parë.
Projeksionet tona sugjerojnë se viti 2021 do të mbyllet me një normë rritjeje rreth nivelit 8.5-9%. Kjo rritje, në mënyrë të natyrshme, ka një efekt të fortë nga baza e ulët krahasuese, si pasojë e kufizimeve “artificiale” të vendosura mbi aktivitetin ekonomik gjatë vitit të kaluar.
Megjithatë, analizat tona tregojnë se rimëkëmbja ka shkuar përtej efektit bazë. Për ilustrim, pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë kanë tejkaluar nivelet përkatëse të aktivitetit të regjistruar përpara tërmeteve të vitit 2019 dhe pandemisë. E njëjta dukuri vërehet, po ashtu, në:
(i) elementet e kërkesës agregate – konsumin privat, investimet dhe eksportet;
(ii) treguesit e punësimit dhe të normës së papunësisë, të cilët qëndrojnë pranë niveleve të parakrizës; si dhe,
(iii) në rritjen e shpejtë të pagave gjatë tremujorit të tretë.
Në këto rrethana, ne kemi konstatuar se rimëkëmbja ekonomike është me bazë të gjerë dhe se faktorët mbështetës të saj paraqiten relativisht solidë. Kjo na inkurajon të mendojmë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2022 e në vazhdim, ndonëse norma e rritjes pritet të reduktohet disi dhe të kthehet në linjë me faktorët themelorë të saj: me shkallën e rritjes së popullsisë në moshë pune, me shkallën e akumulimit të kapitalit, dhe me normat e rritjes së produktivitetit.
Duke parashtruar sa më sipër, më duhet të theksoj se ne jemi të ndërgjegjshëm mbi rreziqet që kërcënojnë ekonominë gjatë vitit në vazhdim. Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të devijojë një pjesë të fuqisë blerëse të ekonomisë shqiptare drejt përballimit të faturës së rritur të importeve.
Po ashtu, përhapja e varianteve të reja të virusit SARS‑CoV‑2 vijon të mbetet një burim rreziqesh dhe pasigurie. Me informacionin që disponojmë aktualisht, këta faktorë pritet të kenë një efekt marxhinal në rritje dhe kalimtar në çmime, duke mos e shmangur ekonominë nga rruga e rimëkëmbjes dhe politikat ekonomike nga kursi i tyre. Megjithatë, rreziqet ekzistojnë dhe për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë.
Rreziqet: ne jemi të ndërgjegjshëm mbi rreziqet që kërcënojnë ekonominë gjatë vitit në vazhdim. Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të devijojë një pjesë të fuqisë blerëse të ekonomisë shqiptare drejt përballimit të faturës së rritur të importeve. Po ashtu, përhapja e varianteve të reja të virusit SARS CoV 2 vijon të mbetet një burim rreziqesh dhe pasigurie.
Cilat do të jenë burimet e rritjes dhe si do të ndikojë pandemia COVID-19?
Duke gjykuar mbi premisat aktuale, rritja ekonomike gjatë vitit 2022 pritet të ketë një bazë të gjerë.
Në terma të kërkesës agregate, ne presim zgjerim të mëtejshëm të konsumit privat, të mbështetur nga rritja e punësimit dhe e pagave, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit. Po ashtu, presim zgjerim të investimeve, si pasojë e ciklit pozitiv në të cilin gjendet sektori privat dhe vijimit të një plani ambicioz shpenzimesh publike. Së fundi, ne presim zgjerim të mëtejshëm të eksporteve të mallrave e shërbimeve, duke faktorizuar këtu si koniunkturën e favorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për një sërë kategorish të eksporteve tona, ashtu dhe interesin në rritje për Shqipërinë si destinacion turizmi, dhe përmirësimin e infrastrukturës në vend.
Në terma të sektorëve të ekonomisë, ne vlerësojmë se zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime do të mundësojë rritjen e pothuajse të gjithë sektorëve kryesorë të ekonomisë, megjithëse disa prej tyre do të detyrohen të përballen me një faturë të rritur kostosh për produktet bazë dhe ato energjetike.
Kjo tablo do të vazhdojë të ushqehet nga një kombinim politikash monetare e fiskale stimuluese gjatë vitit 2022. Megjithatë, konsolidimi i faktorëve të rimëkëmbjes dhe kthimi i ekonomisë në ekuilibër nënkupton dhe nevojën për reduktimin gradual të stimujve, në interes të ruajtjes së ekuilibrave dhe të rikrijimit të hapësirës për reagim në të ardhmen.
Normalizimi i politikës fiskale është tashmë në proces, me miratimin e buxhetit të vitit 2022, i cili parashikon një korrektim të kursit fiskal. Ai do të plotësohet dhe me normalizimin gradual të qëndrimit të politikës monetare gjatë horizontit afatmesëm. Në çdo rast, dëshiroj të theksoj se politika jonë monetare do të synojë të mbështesë procesin e rimëkëmbjes dhe rritjen ekonomike, por pa kompromentuar objektivin tonë të inflacionit prej 3%.Monitor