Hagreaves: Pa zbatim të marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit s’ka paqe e stabilitet të plotë në rajon

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se paqja dhe stabilitetit në rajon nuk do të arrihet plotësisht pa u zbatuar të gjitha aspektet e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, si nga pala kosovare ashtu edhe ajo serbe.

Hagreaves në një intervistë për “Kossev” ka thënë se qytetarët në Kosovë, veçanërisht ata në veri, po paguajnë çmim të lartë për mosnormalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Për mua është e qartë se Kosova e ka një vizion të qartë për një shtet modern, demokratik, multietnik dhe evropian. Do të bëjmë çdo gjë që mundemi që ta mbështesim atë dhe të promovojmë paqen dhe stabilitetin në këtë rajon. Por, kjo nuk do të arrihet plotësisht derisa të mos zbatohen gjitha aspektet e Marrëveshjes Bazë dhe Marrëveshjes së Ohrit, si nga pala kosovare ashtu edhe nga pala serbe. Është thellësisht frustruese që kanë ndaluar negociatat aktualisht”, ka thënë Hargreaves.

Intervistën me Hargreaves, “Kossev” ka njoftuar se e ka realizuar në fillim të javës, para se të premten të mbylleshin pesë objekteve të strukturave paralele në veri.

Hargreaves i ishte bashkuar kritikave të ambasadorëve tjerë nga shtetet e QUINT-it lidhur me aksionin e fundit.

“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur dhe partnerët e sigurisë të Kosovës, në kontekstin e një dialogu më të gjerë. Aksionet në veri të Kosovës janë kryer pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, u tha në reagimin e Hargreavesit.

E në intervistë për “Kossev”, Hargreaves ka thënë se “Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më tepër që serbët të ndiejnë se janë të sigurt dhe kanë të ardhme në Kosovë”.

Ai ka thënë se Britania e Madhe, partnerët e QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian, mbeten të palëkundura për një Kosovë sovrane, të pavarur, multietnike, “që i ka normalizuar marrëdhëniet me Serbinë”.

Hagreaves pranon se ka shumë çështje që duhet të zgjidhen në Kosovë.

“Pranimi i së kaluarës, pasiguria për familjet e të zhdukurve, dhimbjet e atyre që ende vuajnë nga lufta, pasiguria që ndiejnë komunitetet joshumicë në Kosovë. Ka ende tensione dhe rreziqe shumë reale të sigurisë, që do të thotë se roli i KFOR-it të NATO-s mbetet më i rëndësishëm se kurrë për ta ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë”, tha Hargreaves.

Ai ka vizituar disa herë pjesët veriore të Kosovës dhe thotë se nëse mund të përmbledhë me një fjalë bisedat me serbët e Kosovës atëherë është “pasiguria e thellë dhe mosbesimi në aftësinë e qeverive në Prishtinë e Beograd për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre”.

“Njerëzit që jetojnë këtu ende paguajnë çmim të lartë për mungesë të normalizimit mes Kosovës e Serbisë”, tha Hargreaves.

Hargreaves thotë se Britania e Madhe është shumë krenare me marrëdhëniet e saja me Kosovën. Ai ka përmendur edhe hapat që janë ndërmarrë me sukses si “çështja e faturave të energjisë elektrike në veri, e po ashtu edhe çështja e targave dhe konvertimi i patentë shoferëve”.

Sa i përket sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, Hargreaves ka thënë se është me rëndësi që Milan Radoiçiq dhe të tjerët të sillen para drejtësisë.

“Kuptimi i qeverisë sime për atë që ndodhi në Banjskë është i qartë. Ishte ngjarje shumë e rëndë. Është shumë e rëndësishme që Milan Radoiçiq dhe përgjegjësit e tjerë të sillen në mënyrë efikase para drejtësisë. Mendoj se derisa të mos bëhet kjo, ekziston rreziku që besimi në Serbinë për negociatat në dialog në mirëbesim të lëkundet. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të avokojë rregullisht për këtë”, tha Hargreaves.

SHKARKO APP