Hajdari i “tërheq veshin” shtetit: Të lëvizë, njerëzit në gjendje kaotike

Pas tërmetit fatkeq që tronditi Shqipërinë në 26 nëntor, banorët e prekur prej tij ende sot nuk kanë gjetur paqe. Kjo pasi teksa disa janë strehuar në hotele, të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë nëpër çadra. Të shqetësuar për të nesërmen dhe të pasigurt se çfarë do të ndodh me banesat e tyre. Të cilët tashmë kërkojnë veç të nisë procesi i rindërtimit sa më shpejt.

I ftuar në emisionin “Real Story” drejtuesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari bëri thirrje për një përshpejtim të vlerësimit të banesave që po bën qeveria. Dhe realizimin e një strategjie adekuate e cila do t’i japë mundësi edhe grupeve të interesit, organizata si “Fundjavë Ndryshe”, të nisin procesin e rikonstruktimit ose rindërtimit.

“Nuk është hapur thesi, ka njerëz që kanë hequr bukën e vetë për të kontribuar për të prekurit nga tërmeti”

“Përpos qeverisë edhe ne kemi ngritur një grup inxhinierësh. Me qëllim inspektimin dhe verifikimin e banesave. Sigurisht në koordinim me qeverinë, që mos të shkojmë në një banesë dy herë. Dhe me sa kemi parë nga këto 400 shtëpi që kemi ndërtuar ne, asnjëra nuk ka pasur problem. Po e them këtë gjë, se shumë shpejt do të nisim rindërtimin dhe restaurimin. Njerëzit duhet të kuptojnë që këtu nuk është hapur thesi. Duhet të kuptojnë që ky lek që është dhuruar nga njerëzit me fondin që ne kemi krijuar, është amaneti i këtyre njerëzve. Ka njerëz që kanë hequr bukën e vetë për të kontribuar.

Mos të mendojnë se është hapur thesi dhe do të bëhen shtëpi e pallate pafund. Këtu do të bëhen me shtëpi të reja, ata njerëz që i takon. Do të restaurohet ajo banesë që nuk ka nevojë të shembet e të fillojë nga fillimi. Shqipëria ka popull të varfër dhe ka njerëz që nuk janë të prekur nga tërmeti. Por, ka të varfër, të cilët janë të përfshirë me turmën e njerëzve që janë të prekur prej tërmetit. Pra, duhet theksuar që ky fond është për njerëzit që janë të prekur nga tërmeti. Dhe duhet ta ulim pak hundën, t’i shtrohemi punës dhe të mos kërkojmë gjëra që nuk mund të realizohen.

“Shteti të lëvizë, njerëzit nuk do presin sa të diskutojmë nëpër tryeza”

Duam dhe që kjo të lëvizë shpejt, pasi ka një numër të madh njerëzish që nuk mund të na presë neve. Sa të diskutojmë nëpër tryeza, ndërkohë që janë në një gjendje kaotike . Edhe pse një pjesë janë të sistemuar nëpër hotele, e një pjesë janë akoma nëpër çadra. Shpresoj që Komiteti i cili është ndërtuar, të nxjerrë disa konkluzione dhe t’ia nisim sa më shpejt punës. Jo vetëm për t’i ardhur në ndihmë njerëzve që t’i rindërtojmë shtëpitë. Por, kjo do të rregullojë dhe gjendjen psikologjike të njerëzve.

Kur shteti të ketë krijuar një fond dhe një strategji që neve si anëtarë që kjo është e sakta, ne do t’i koordinohemi që të nisim punën. Por, e theksoj që të bëhet sa më shpejt. Nëse janë verifikuar 10 apo 20 raste, le të nisë puna me to. Ne nuk mund të presim që gjithë procesi i vlerësimit të bëhet për 7 mijë banesa dhe pastaj pas një viti të themi që jemi gati për të filluar.

“Ne nuk e kemi pritur ndonjëherë shtetin, ne do të vazhdojmë punën”

Mua nuk më intereson fare të kontrolloj shtetin në këtë proces. Mua më intereson që ne të koordinohemi me shtetin, në mënyrë që mos të kemi nevojë për leje ndërtimi. Sepse në raste më parë kemi pritur edhe 3 muaj. Pasi ligji është ligj dhe nuk mund ta shkelësh. Kemi nevojë për koordinim që ndihmat mos të shkojnë dy herë.

Ne nuk e kemi pritur ndonjëherë shtetin, ne do të vazhdojmë punën. Ne do të presim aq sa logjikojmë ne se është e nevojshme për të pritur. Dhe më pas ne do të bashkohemi në terren e do të nisim procesin.

Ndër të tjera, Hajdari theksoi se bashkimi i fondeve të grupeve të interesit, me ato të qeverisë, i propozuar nga kryeministri; është i pamundur.  Si dhe u shpreh se në total nga të gjitha organizatat dhe fondacionet pritet të grumbullohen rreth 20 milionë euro, që kalon edhe shumën që ka akorduar Komisioni Europian.

“Së fundmi jemi përzgjedhur nga qeveria si anëtarë të Komitetit të Rindërtimit. Kemi bërë një takim më shumë për tu njohur me grupet e interesit. Të cilat do të jenë pjesë e planit. Fërkimi gjatë atij takimi ka qenë pas fjalës së kryeministrit kur hodhi idenë e bashkimit të fondeve. Por, kjo ishte thjesht një ide e kryeministrit. Nuk ishte një vendim apo diçka e diskutuar mes palëve.

“Nuk mund të bashkohen fondet e organizatave me të qeverisë”

Unë siç e kam theksuar atë ditë, nuk mund të ndodhë kjo gjë. Pasi humb autonomia e organizatave. Humb qëllimi për të cilën ne jemi krijuar, nëse bashkohen fondet me qeverinë. Apo një organizatë që nuk merret me këtë pjesë, mund t’i bashkojë fondet.

Por, rasti i “Fundjavë Ndryshe” është tjetër, pasi ne e kemi eksperiencën në fushën e ndërtimit. Sepse në katër vite ne kemi ndërtuar 400 shtëpi. Dhe ne kemi arritur të bëjmë shtëpi, edhe për 11 ditë. Por, sigurisht “Fundjava” ka një bord i cili merr gjithë vendimet dhe ai është bord publik. Megjithatë është shumë e nevojshme që të ketë një koordinim midis qeverisë dhe organizatave.

“Shuma e grumbulluar nga organizatat, kalon atë të akorduar nga KE”

Dua të falënderoj gjithë ata iniciatorë, duke filluar që nga Marini, Naçi; të gjithë shqiptarët e diasporës që janë organizuar brenda komunitetit ku jetojnë. Sepse mendoj se të gjithë ne bashkë arrijmë në një shumë të grumbulluar prej 20 milion eurosh. Vetëm organizatat. E kalojmë dhe kontributin e Komisionit Evropian. Janë 400 mijë donator, nga më i vogli te më i madhi.”

Drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe” shtoi se edhe pse disa njerëz duan të shpërngulen, pjesa më e madhe e tyre kërkojnë të rrinë në tokën e vetë. Duke argumentuar se nëse do të ndodhte një shpërngulje masive, kjo do të sillte probleme të mëdha sociale. Si dhe bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të vazhdojnë të kontribuojnë.

“Të mos ndodh shpërngulja e njerëzve, do ketë probleme të mëdha”

“Unë jam kundër idesë që njerëzit të shpërngulen, sepse ata i ka lidhur diçka me adresën ku jetojnë. Është e vërtetë që ka një grupim të njerëzve që duan të lëvizin, për shkak të gjërave që nuk duan dhe t’i kujtojnë. Por, pjesa më e madhe e njerëzve sidomos në zonat rurale, ka dëshirë që të jetë aty. Sepse kanë tokat, kanë bagëtitë apo punën e shkollën për fëmijët. Dhe kjo lëvizja që t’i marrim këtu e t’i çojmë këtu, do të sjellë dhe një tjetër problem social. Më shumë shkolla, teksa ne shkollat i kemi plot, vendet e punës, etj. Do ketë dhe një grupim njerëzve pastaj që do të mbesin pa punë.

Dua t’i bëj një thirrje gjithë shqiptarëve, që ky proces do të zgjasë dhe unë i lus që të vazhdojnë. Nuk  ka rëndësi se ku do të dhurojnë. Janë shumë familje që janë të prekura dhe ne jemi shumë shqiptarë. Që mund të mbledhim një shumë që mund të bëjë realisht një ndryshim.”

SHKARKO APP