Hajdarmataj: Politika krijon atmosferë armiqësore ndaj grave
Politika krijon një atmosferë armiqësore ndaj seksit femër. Ish-deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj, e ftuar në emisionin “Ditë e Re” në ”Ora News”, foli në postin e Drejtoreshës Ekzekutive të qendrës “Gratë në Shërbim Publik”.
“Politika krijon një atmosferë armiqësore ndaj vajzave dhe grave. Njoh vajza të shkolluara që pengohen nga një pjesë e paaftë militanteske që punojnë nëpër administrata . Kur këto vajza apo gra të shkolluara dhe goxha të kualifikuara shkojnë të aplikojnë, stafi i administratës u përgjigjet: Pse je këtu, pse nuk je jashtë me gjithë këtë kualifikim që ke? Unë mendoj se duhet ta mbajmë të aftin në Shqipëri. Besoj tek forca e gruas sepse takoj, madje edhe në zona të thella të Shqipërisë gra që po të kenë mundësitë, po të kenë shanse, mund të bëhen pjesë e zhvillimit”,-tha Hajdarmataj.
Hajdarmataj përmendi edhe faktin e përqendrimit të fushatave pro grave vetëm nëpër qyetet e mëdha, duke lënë “pas dore” zonat e thella të cilat kanë edhe nevojat më të mëdha.
“Tani që po e prek pjesën e organizatave jo qeveritare, jo fitimprurëse, apo shoqërinë civile, shoh se zakonisht i zhvillojnë aktivitetet nëpër qytetet e mëdha, kur në fakt nevojat më të mëdha janë nëpër zonat e thella. Ato nuk kanë mundësi të zbresin për të bërë qoftë një mamografi apo kontroll të thjeshtë. Thonë: ‘Nuk i themi dot burrit të shkoj për kontroll se thotë që ti nuk ke shqetësime.’ Pra kontrolli shëndëtësor për ato zona quhet luks. Duhet të jesh e sëmurë patjetër, që të shkosh në spital”,-shtoi më tej ish-deputetja në studionin e ”Ora News”.
Ish-deputetja e PD, e mbyll me një mesazh për të gjitha gratë e vajzat: “Sa më shumë dije! Arsimi do çojë Shqipërinë përpara! Mos e lini vendin tuaj, por kini shpresë se e ardhmja do jetë më e mirë këtu po të qëndroni dhe të punoni për këtë vend”. /Ora News/
KOHA JONË SONDAZH

