Hakerat e “Homeland Justice” publikojnë emailet e kreut të SHISH, Helindon Bendo
Nga të dhënat paraprake mësohet se në duart e hakerave janë mbi 500 emaile të dërguara dhe marra nga drejtori i SHISH. Në emeal-et ka të dhëna kofidenciale.
Kjo ka shkaktuar panik në radhët e SHISH.
Hakerat e “Homeland Justice”, që sulmuan sistemet dixhitale të Shqipërisë, vijojnë të publikojnë informacione mjaft të dëmshëm për shtetin shqiptar.
Së fundmi, ata kanë publikuar në “Telegram”, emailet e kreut të SHISH, Helindon Bendo, të cilat përmbajnë komunikime të brendshme, emra agjentësh, minuta të mbledhjeve me dyer të mbyllura dhe informacion mjaft sensitiv.
Më herët, hakerat publikuan listën e punonjësve të SHISH, ku gjendeshin emrat dhe pozicionet e punës, përfshirë agjentë të zbulimit dhe kundërzbulimit, të cilët kanë mbetur të ekspozuar dhe një pjesë janë “djegur” nga pozicionet që mbanin.
Hakerat kanë publikuar të dhënat personale të Bendos, të kryeministrit Rama, përfshirë udhëtimet e tyre, të dhënat e ID, etj.
Qeveria dhe kryeminstri kanë mohuar që hakerat të kenë marrë informacione sensitive, por publikimet e tyre të vazhdueshme sugjerojnë se ata kanë arritur të marrin informacione mjaft të dëmshme dhe përmasat e sulmit kanë qenë katastrofale.
Të dhënat e qytetarëve shqiptarë, të institucioneve dhe të shërbimit sekret janë ekspozuar, duke e nxjerrë shtetin shqiptar “lakuriq”.
Qeveria ka heshtur pas publikimeve dhe nuk ka patur transparencë apo njoftim për hapat që do të merren (nëse do të merren masa), për të adresuar problemet serioze që po shkakton sulmi.
Hakerat e “Homeland Justice”, i lidhin publikimet me faktin se Shqipëria strehon muxhahedinët e MEK në kampin e Manzës, të cilët kryejnë aktivitet për rrëzimin e regjimit në Iran. Në publikimin e fundit, ata thonë se çdo “organizatë qeveritare dhe jo qeveritare, që mbështet MEK, do të targetohet prej nesh”
Ndërkohë TCH shkruan: “Publikimi strukturës të Shërbimit Informativ Shtetëror, një ngjarje katastrofike për sigurinë e Shqipërisë me pasoja shkatërrimtare”.
Ky ishte komenti ish-kolonelit të inteligjencës ushtarake britanike Philip Ingram për gazetën Mail on Sunday. Por si mundën hakerat e Iranit të depërtojnë në kompjuterat e inteligjencës shqiptare?
Një burim i gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu në SHISH dha këtë përgjigje:
“Kompjuterat në Aparatin Qendrorë tek zyrat e inspektorëve të drejtimit dhe analizës, kanë edhe sistemin TIMS. Të dhënat e para na sugjerojnë se hakerat mund të kenë hyrë nga këtu dhe kanë marrë çdo gjë në këto kompjutera. Mund të kenë marrë shumë informacione si, emra dosjesh, të dhëna operative, etj. Njerëzit në shërbim janë të alarmuar duke pritur se çfarë tjetër do të publikojnë”.
Zyrtari i SHISH tregon për klimën e krijuar në këtë institucion pas daljes të emrave.
“Tashme asnjë punonjës nuk është më i qetë dhe situata tek drejtuesit është ulëritëse. Shumë inspektorë janë trembur, sepse mendojnë se kanë marrë informacione që mund t’i dekonspirojë. Në SHISH priten shumë lëvizje. Në pritje çfarë do bej Olian Kanushi, në një kohë kur janë të gjithë të dekonspiruar në pozicionet e tyre”.
Për qëllimin e publikimit të këtyre të dhënave zyrtari SHISH thotë:
“Besoj se hakerat e Homeland-Justice me publikimin e listës të drejtuesve të SHISH, synojnë të shkatërrojnë dhe dekonspirojnë të gjithë strukturën e Aparatit Qëndrorë, bashkë me drejtuesit e drejtorive në prefektura. E gjitha kjo është përgjegjësi e drejtorisë së IT e mbushur me të paaftë e me lidhje nepotike”./tch/