Hamasi pajtohet me propozimin e armëpushimit në Gazë nga ndërmjetësimet e Egjiptit dhe Katarit

Grupi militant Hamas tha dje në mbrëmje se kishte pranuar propozimin e ri për armëpushim në Gazë nga ndërmjetësit e Egjiptit dhe Katarit, ndërsa shtoi se Izraeli kishte bërë një kundërpropozim në “koordinim të plotë” me ndërmjetësuesin e tretë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas “Reuters”.

Egjipti, në fillim të javës bëri një propozim për të rivendosur armëpushimin në rrugën e duhur, pas rifillimit të befasishëm të luftimeve nga Izraeli.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse propozimi kishte ndryshuar përpara se Khalil al-Hayah, udhëheqësi i Hamasit në Gazë, të njoftonte se ishte rënë dakord.

Në fillim të javës, një zyrtar egjiptian e përshkroi propozimin, duke thënë se Hamasi do të lironte pesë pengje të gjallë, duke përfshirë një amerikano-izraelit nga Gaza në këmbim që Izraeli të lejonte ndihmën në territor dhe një pauzë javore në luftime.

Izraeli do të lironte qindra të burgosur palestinezë. Zyrtari foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të informonte mediat për bisedimet me dyer të mbyllura.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu nuk dha detaje rreth kundërpropozimit të Izraelit, i cili tha se ishte ofruar pasi Netanyahu kishte zhvilluar konsultime të premten.

“Në orët e fundit, Izraeli ka paraqitur kundërpropozimin e tij ndërmjetësuesve në koordinim të plotë me SHBA-ne”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.

Izraeli, një javë e gjysmë më parë i dha fund armëpushimit me Hamasin duke nisur një valë të papritur sulmesh që shkaktoi vdekjen e qindra njerëzve.

Shtëpia e Bardhë fajësoi Hamasin për ripërtëritjen e luftimeve. //a.i/ ATSH

SHKARKO APP