Hapen aplikimet për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi sot hapjen e aplikimeve për pozicionin e drejtorit e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas shkarkimit nga kjo detyrë e Ilir Prodës. Në mbështetje të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Punëve të Brendshme shpall thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Aplikanti duhet të plotësojë disa kritere si të mbajë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues; të ketë shtetësi shqiptare; të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë; të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, etj.
Kërkesa me shkrim e aplikantit, drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme, për të shprehur interesin për pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duhet të shoqërohet nga dokumentet si jetëshkrim i përditësuar; platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë. Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Punëve të Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.
Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni. Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.
Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore. Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.
KOHA JONË SONDAZH

