Hapet Panairi “Work&Study”, Klosi: Paketë ligjore për Arsimin Profesional dhe tregun e punës

Është hapur sot në Tiranë Panairi VI “Work&Study”, i cili organizohet nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe Ministrinë e Arsimit. Panairi ka për qëllim të kryqëzojë ofertën e bizneseve dhe universiteteve me kërkesën për punë të të interesuarve. Në ceremoninë hapëse mori pjesë edhe ministri Blendi Klosi, i cili në fjalën e tij përshëndetëse e cilësoi këtë organizim si momentin më të mirë për të përmbyllur turin njëmujor të MMSR-së për të nxitur të rinjtë drejt shkollave të Arsimit Profesional, si dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi me partnerë të huaj, për të përmirësuar jo vetëm infrastrukturën dhe bazën materiale arsimore, por edhe atë të mësimdhënies.
 
 “Gjatë gjithë muajit shtator ne kemi folur shumë për Arsimin Profesional, kemi folur për edukimin nëpërmjet punës, kemi folur shumë që të kemi një bashkërendim nëpërmjet institucioneve shtetërore që ofrojnë arsimin, biznesit dhe tregut të punës. Prandaj nuk gjej një mënyrë më të mirë për të përmbyllur këtë muaj të përpjekjeve tona për arsimin profesional sesa të jem këtu në ceremoninë e inaugurimit të këtij panairi kuptimplotë me një emër shumë sinjifikativ, puno dhe studio”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij. 
 
Po ashtu, për t’i ardhur në ndihmë nxitjes së zhvillimit të Arsimit dhe Formimit Profesional drejt standardeve dhe kërkesave të tregut të punës, ministri Klosi ka bërë të ditur se shumë shpejt do të paraqitet në qeveri dhe mandej në parlament një paketë e plotë që do të rregullojë raportin ndërmjet Arsimit Profesional dhe tregut të punës. “Do paraqesim ligjin për Arsimin Profesional për të pasur mundësi që të rregullojmë me ligj raportet ndërmjet arsimit profesional, mënyrën se si funksionon dhe si lidhet me tregun e punës; ligjin e Zejeve, i cili do të jetë një ligj kryekëput për ata zanatçinj që punojnë në punë të denjë dhe që të kenë mundësi që nëpërmjet punës të krijojnë karrierën e tyre dhe biznesin e tyre për të hapur vende të reja pune. Dhe ligji i tretë është ai për Nxitjen e Punësimit”, – tha ministri Klosi.
 
Por sipas tij, e gjitha kjo paketë do jetë e mangët nëse nuk do të ketë kontributin e tre faktorëve në këtë përpjekje: institucionet qeveritare, institucionet e ofrimit të Arsimit Profesional dhe tregut të punës, apo komunitetin e biznesit. 

SHKARKO APP