Shkollë e re në Bexleyheath, Londër, Balla: Mbi 7 mijë nxënës mësojnë shqipen në Britani të Madhe
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe Drejtues Politik për Diasporën i Partisë Socialiste, Taulant Balla teksa mori pjesë në hapjen e një shkolle të re shqiptare në Bexleyheath Londër, u shpreh se synimi i qeverisë shqiptare është zgjerimi i rrjetit të shkollave dhe klasave shqipe në diasporë.
Në fjalën e tij ministri Balla deklaroi se janë më shumë se 7 mijë nxënës që mësojnë shqipen në shumë qytete të Britanisë së Madhe dhe kjo përpjekje është një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare për brezat e ardhshëm.
Sipas Ballës mbështetja me tekstet shqip dhe programi i ri “Mësues për Diasporën” do ta zgjerojnë numrin e shkollave/klasave në gjuhën tonë të bukur shqipe.
“Ne jemi një komb që kemi luftuar shumë për të mësuar e për të shkruar në gjuhën tonë amëtare. Kemi luftuar në shekuj për të pasur gjuhën tonë sepse historia nuk ka qenë shumë e dashur me ne, na është dashur të luftojmë për indentitetin tonë kombëtar. Na është dashur të luftojmë për shkronjat shqipe dhe prej më shumë se një shekulli ne jo vetëm që kemi shtetin tonë por kemi dhe Alfabetin tonë, falë kongresit të Manastirit”, tha Balla.
Balla ndau me të pranishmit disa lajme të mira që, sipas tij, kanë të bëjnë në fakt me çfarë po planifikon dhe se çfarë është duke bërë qeveria shqiptare në dobi të mbështetjes së këtyre nismave shumë të mira.
“Jemi në një fazë krejtësisht të re, gjëja e parë që bëmë ishte unifikimi i Abetares mes Shqipërisë dhe Kosovës. Tanimë gjuha shqipe ka vetëm një Abetare të vetën dhe ky është një hap i rëndësishëm dhe po ashtu më së miri kemi filluar të shpërndajmë tekstet e gjuhës shqipe. U informova që janë disa mijëra tekste mbi rreth pesë mijë tekste që tanimë kanë mbërritur në Britaninë e madhe kryesisht në Londër është numri më i madh i tyre edhe pse duhet ta pranoj që këto nuk janë mbledhur të gjithë”, theksoi Balla.
Më tej Balla tha se në mbledhjen e radhës së qeverisë shqiptare do të miratohet nisja e një programi të madh që quhet “Mësues për Diasporën”.
“Do të fillojmë me Greqinë, ku nga buxheti i qeverisë shqiptare ne do të paguajmë mësuesit që japin gjuhën shqipe në klasat që zhvillohen pothuajse në të gjithë territorin e Greqisë. Dhe dua t’ju garantoj sot këtu që shumë shpejt do të kemi dhe mësues për Britaninë e Madhe “Teacher for UK” si program i qeverisë shqiptare dhe në këtë aspekt në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës do fillojmë të integrojmë programin tonë të përbashkët”, u shpreh ai.
Duke folur për votimin e shqiptarëve të diasporës, Balla tha se në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit nuk do të jenë më të përjashtuar nga vendimmarrja për mënyrën e drejtimit, se si duhet të shkojë vendi.
“Në pranverën e ardhshme edhe ju që jetoni këtu, që keni të drejtë vote në Shqipëri, që keni mbushur 18 vjeç dhe dispononi dokument identifikimi biometrik do të keni mundësi të votoni. Edhe pse jeni larg Shqipërisë, duke votuar nga shtëpia juaj. Kjo do t’i japë diasporës një peshë shumë më të madhe nga sa ka pasur deri tani”, shtoi ai.
Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, Balla tha se “dy vendet janë aleate, partnere të rëndësishme pothuajse në të gjitha sfidat globale, anëtare të NATO-s dhe pjesë e ekonomive globale kundër terrorizmit dhe sfidave të tjera, ku Shqipëria dhe Britania e madhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në mënyrë të fortë”.