Hapet tenderi/ Ç’do të ndodhë me monumentin e natyrës “Syri i Kaltër”? Bileta elektronike, kufizim turistësh e…
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hapur tenderin për hartimin e planit të menaxhimit të “Syrit të Kaltër”, monument natyre.
Fondi limit është 5.8 milion lekë dhe ofertat mund të dorëzohen deri me datën 12 nëntor 2019.
Shërbimi që kërkohet:
-Informacion i përditësuar mbi vlerat natyrore të ZM;
-Një plan menaxhimi për Zonën e mbrojtur MN Syri i Kaltër që mbulon të gjitha aspektet si ato natyrore, ekonomike sociale në gjuhën Shqip; Plani i menaxhimit duhet hartuar në përputhje me Urdhërin e Ministrisë së mjedisit, pyjeve dhe Administrimit të Ujërave nr. 148, datë 21.02.2013 “Për miratimin e strukturës së standartizuar të Planit të Menaxhimit të Zonës së Mbrojtur”.
-Një rikonceptim dhe vizion i ri dhe i i qartë mbi zonën e mbrojtur, misioni, qëllimi dhe objektivat menaxhuese;
-Objektivat kryesore të menaxhimit, strategjitë, rekomandimet dhe aktivitetet e propozuara të menaxhimit
-Një plan i detajuar operacional së bashku me buxhetin dhe planin e punës për dhjetë vitet e ardhshme;
-Nje plan i plotë monitorimi, lehtësisht i kuptueshem dhe me seri të plotë të treguesve të progresit të zbatimit të planit të menaxhimit.
-Plani i menaxhimit, së bashku me anekset përkatëse të tij si dhe hartat tematike: harta e kufijve dhe zonimit të parkut, harta e habitateve, harta e mbulesës dhe përdorimit të tokës, harta e masave menaxhuese, harta hidrologjike/hidrogjeologjike në 4 (katër kopje) të printuara (në shkallë 1:10.000), si dhe formati dixhital i te gjitha te dhenave te grumbulluara/perpunuara në CD. Të dhënat hartografike duhet të dorëzohen në formatin GIS elektronikisht.
Monumenti i natyrës Syri i Kaltër, është shpallur si i tillë në vitin 2002. Ky monument është pjesë e Ekonomisë Pyjore Dhrovjan, shtrihet në një sipërfaqe prej 180 ha duke përfshirë edhe sipërfaqen ujore të burimit të Syrit të Kaltër. Kjo sipërfaqe përbëhet në pjesën më të madhe nga pyll i llojit mbrojtës dhe sipërfaqja ujore e burimit prej afërsisht 13.5 ha.
Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, harmonizimi midis pyllit të dendur, burimit ujor të Syrit të Kaltër me ujrat e kthjellta dhe të ftohta, si nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.
Monumenti i Natyrës shtrihet në territorin administrative të tre fshatrave, pjesë e Bashkisë Finiq. Burimi i Syrit të Kaltër me një thellësi mbi 50 m, përbën një zonë mjaft tërheqëse për vizitorët dhe turistët. Ky burim është furnizuesi kryesor për lumin Bistricë.
Aktualisht në këtë monument natyre funksionon një pikë biletarie e cila nuk përmbush standartet e kërkuara. Duke qënë një nga pikat turistike më të vizituara është e nevojshme investimi për implementimin e një pike biletarie elektronike si dhe hartimi dhe miratimi i një rregulloreje të brendshme për funksionimin e pikave të biletarisë, në funksion të menaxhimit efektiv të zonës.
Ndërkohë problem i rëndësishëm është edhe mungesa e infrastrukturës si dhe rruga plotësisht e amortizuar e cila të çon në Monumentin e Natyrës.
Nisur nga fluksi i lartë turistik dhe interesi i madh për këtë monument është i nevojshëm investimi për mirëmbajtjen e saj, vendosjen e postbllokut elektronik dhe sistemimin e parkimeve. Mungon infrastruktura në shërbim të turistëve përfshirë këtu tualete dhe kosha për mbetjet si më të rëndësishme.
“Në këtë zonë funksionon pika e biletarisë në formën e një postoblloku, i cili menaxhohet nga AdZM Vlorë, me qëllim vjeljen e të ardhurave nga prerjet e biletave për vizitorët dhe mjetet. Për periudhën Janar–Dhjetor numri i vizitorëve ka arritur 84616 persona dhe në 28905 numri i mjeteve.
Në kuadër të promovimit të rrjetit të zonave të mbrojtura, në këtë zonë është mundësuar instalimi i një qendre informacioni dhe tregëtimi produktesh lokale. Kjo qendër ka funksion kryesor promovimin e vlerave natyrore të zonave të mbrojtura për të gjithë Qarkun Vlorë si dhe atraksionet turistike.
Në muajin Gusht situata në orare të caktuara është shumë e vështirë të menaxhohet për shkak të numrit të madh të vizitorëve.
Përcaktimi i një kufiri mbi kapacitete mbajtëse të monumentit të natyrës në të njëjtën kohë, është një aspekt i rëndësishëm që duhet të ndërmarrë për të siguruar një eksperiencë të kënaqshme për vizitorët dhe njëkohësisht për të reduktuar impaktin në natyrë” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Aktualisht kjo zonë e mbrojtur nuk ka një plan menaxhimi. Plani i menaxhimit i cili do të zhvillohet për këtë zonë, synon të zhvillojë një plan gjithëpërfshirës të menaxhimit për zonën e mbrojtur “Syri i Kaltër”, duke mbuluar por pa u kufizuar domosdoshmërisht në aspekte të ndryshme fizike, sociale, ekonomike dhe ekologjike të zonës si dhe duke sugjeruar mënyrat e duhura/rekomandimet për të adresuar zhvillimin e qëndrueshëm në të në përputhje me bazën ligjore.
Referuar nevojave të vizitorëve për kushte optimale në zonën e mbrojtur është menduar e rëndësishme një planifikim i ri i hapsirës së monumentit dhe gjithashtu është e rëndësishme rishikimi i kategorisë së mbrojtjes.
SCAN