Harrojeni koronavirusin! Petrela: Në Tiranë, 300 të vdekur në dy muaj nga gripi i Hong Kongut
Edhe pse ka futur të gjithë botën në karantinë, pandemia e koronavirusit të ri nuk është e vetmja që ka njohur planeti dhe madje as më fatalja.
Petrela: Pandemi bota historikisht ka pasur shumë. Por këto pandemi sot janë më të mundshme të përhapen, mjetet e komunikimit të tilla janë të mundshme që mundësojnë përhapjen me shpejtësi. Ky nuk është se erdhi një meteor dhe bëri kataklizmën e botës. Është një vazhdimësi e viruseve që njihen.
Prof.Dr. Mentor Petrela, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUT në një intervistë për Rtv Ora, ne studio me gazetaren Beti Njuma, u ndal vetëm te historiku i epidemive në vendin tonë.
Ai tregon se në vitet ’68-’69, gripi i Hong Kongut i futur në vendin tonë përmes specialistëve kinezë u mori jetën 300 personave vetëm në Tiranë në harkun kohor të dy muajve.
Petrela: Kemi disa epidemi virale në kujtesën e vendit tonë. Kemi epideminë e H3N2, gripi i Hong Kongut i viteve ’68-’69 që u fut përmes specialistëve kinezë. Në 2 muaj ka pasur 300 të vdekur në Tiranë. Nuk arrinin mjetet e funeraleve dhe të afërmit dhe filluan të bëheshin varrimet në orën 10, që nuk ishte zakon. Ka qenë dhe epidemia jo virale e kolerës në ’94, me 36 të vdekur. Dhe epidemia virale e poliomelitit që ka pasur 4 të vdekur. Flasim për epidemi dhe jo pandemi. Pandemi ka qenë gripi i Hong Kongut.
Edhe pse shifrat aktuale nga koronavirusi nuk justifikojnë mbylljen totale të jetës, Petrela thotë se karantimi ka qenë e vetmja zgjidhje që Shqipëria ka për të shmangur përhapjen masive të virusit.
Petrela: Shqipëria në kushtet që është nuk ka mjetet që të bëjë politikën e Suedisë. Është nga prodhueset kryesore të respiratorëve. Zgjedhja e karantinimit ka qenë zgjedhja më e mirë. Një lëvizje e detyruar edhe për kulturën tonë. Mënyra e vetme për të kufizuar përhapjen e virusit.
Petrela thotë se janë 4 të sëmurët në respiratorë te Infektivi.
Petrela: 3 janë në Neurokirurgji, nga të cilët dy janë 17 dhe 18 vjeç.
Vëmendje më e madhe sociale për bluzat e bardha
12% e të infektuarve me COVID 19 në shkallë vendi janë nga radhët e bluzave të bardha, 32 mjekë dhe punonjës të sistemit shëndetësor.
Petrela: Profesionistët e shëndetësisë janë ata më të rrezikuarit. Të mos harrojmë se këta profesionistë të shëndetësisë janë kudo të rrezikuar jo vetëm nga koronavirusi por të gjithë infeksionet e tjera spitalore që mund të dëmtojnë dhe jetën e tyre.Janë të rrezikuar edhe nga rrezatimet. Duhet tu kushtohet një vëmendje sociale më e madhe në të gjitha kohërat.
Shqipëria me mesataren më të lartë të vdekjeve
Ndërkohë që mesatarja e botërore e vdekjeve në raport me numrin e të infektuarve është 5%, në Shqipëri 5.8%, ndërkohë që mosha mesatare është 66 vjeç.
Petrela: Nëse do të gënjesh njerëzit fillo dhe thuaj statistika. Duhen analizuar në mënyrë të ftohtë. Nuk mund ta pranoj që në Gjermani një njeri që ishte me koronaviorus, nuk kishte fare simptoma dhe bën infarkt miokardi dhe nuk quhet i vdekur nga koronavirusi. Ne e fusim koronavirus, edhe Italia. Këto bëhen pasi ka mbaruar beteja.
Duhet të mendojmë për afrimin social
Në fund edhe një mesazh nga mjeku i njohur.
Petrela: Ky distancim social që mbolli ky virus duhet që në të ardhmen të kthehet në një afrim social, ti shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të mendojmë për tjetrin sepse do të kemi probleme sociale.