Harta e re Territoriale, Boçi: Raporti i KiE ngre shqetësime për konsultimin me komunitetet
Bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka kundërshtuar hartën e re territoriale të votuar me 85 vota në Kuvend, duke iu referuar shqetësimeve të ngritura në raportin e Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Sipas Boçit, raporti evidenton problematika në procesin e konsultimit me komunitetet e prekura, duke vënë në pikëpyetje nëse banorëve u është dhënë mundësia të shprehin qëndrimet e tyre në kohën e duhur dhe në mënyrë domethënëse.
“Raporti konstaton se konsultimi për ndryshimin e kufijve vendorë nisi në një fazë të avancuar të procesit dhe nuk duket se u ka garantuar banorëve pjesëmarrje kuptimplotë dhe në kohë”, deklaroi Boçi.
Ai nënvizoi se komunitetet e prekura duhet të kenë mundësi reale për të dhënë mendimin e tyre përpara se të merret vendimi përfundimtar, duke e konsideruar këtë një element thelbësor të reformës territoriale. Boçi ngriti shqetësime edhe për decentralizimin e pushtetit vendor, financimin e bashkive dhe përqendrimin e kompetencave në nivel qendror. “Raporti vë në dukje edhe prirjen për përqendrim të kompetencave në Tiranë, burimet e pamjaftueshme financiare të pushtetit vendor dhe kapacitetet e kufizuara të bashkive”, u shpreh ai.
Duke akuzuar mazhorancën se po e largon vendimmarrjen nga komunitetet, Boçi tha se reforma duhet të mbështetet te decentralizimi, subsidiariteti dhe përputhja e burimeve financiare me përgjegjësitë e njësive vendore. “Në vend që të fuqizojë qeverisjen vendore, PS po propozon të largojë vendimmarrjen nga komunitetet dhe ta përqendrojë edhe më shumë atë në qendër”, theksoi Boçi. Ai kërkoi ndalimin e procesit në formën aktuale dhe publikimin e kritereve që kanë shërbyer si bazë për hartimin e hartës së re territoriale.

