Harxhi: Do të ketë rrëzime qeverish!
Për ish-zv/ministren e Jashtme Edith Harxhi priten zhvillime të rëndësishme në Evropë deri në fund të vitit.E ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora, Harxhi tha se parashikon se do të ketë rrëzime qeverish, duke përmendur Italinë.
Edith Harxhi: Po, unë pres rrëzime qeverish, pres që ndoshta për një periudhë disa mujore mund të kemi një qeveri të re dhe në Itali. Qeveria greke u pa që do të ketë zgjedhje të parakohshme të menjëhershme. Nuk dihet si do të funksionojë koalicioni aktual në Gjermani, sepse ka shumë mundësi që SPD do të mund të largohet nga koalicioni, sepse do të duhet të rimarrë veten, por mund të futen Liberalët. Presim një situatë ndryshe në Britani të Madhe, sepse mundet që Britani deri në 31 tetor mund të jetë pjesë dhe ata eurparlamentarë që kanë fituar mandatin të kthehen në shtëpi. Do të krijohen vende bosh, do të ketë të tjerë që do të futen. Do të ketë zhvillime të mëdha deri në fund të vitit që përkojnë edhe me zgjedhjet e ardhshme për President të SHBA.
Harxhi ka komentuar zgjedhjet në Parlamentin Evropian, teksa ka shprehur shqetësimin e humbjes së partive tradicionale që mbështesin Shqipërinë.
Edith Harxhi: Pavarësisht entuziastit që pro evropianët kanë fituar, mua kjo nuk më gëzon shumë, sepse mua më shqetëson fakti që partitë tradicionale kanë humbur dhe partitë tradicionale të BE janë partitë që na njohin dhe na kanë mbështetur ne. Unë nuk e di si do ndikojë. Askush nuk thotë kush do të zvëndësojë Mogherinin, Hanin. Kush do të raportojë për Shqipërinë? Ky nuk është një sinjal i mirë për Ballkanin, nuk është sinjal i mirë për zgjerimin dhe për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Harxhi tha se institucionet e ngritura nga BE kanë pësuar një goditje që ajo e quan rryma Trump dhe Brexit.
Edith Harxhi: Sot BE, Evropa është zgjuar në një situatë të re, ndryshe në 40 vitet e fundit. Mendoj që partitë tradicionale janë parti të cilat kanë pësuar humbjen e tyre më të madhe, që prej krijimit të institucioneve të BE. E veçnata nuk është thjesht që nuk fituan nacionalistët, por mendoj se e vecanta është që institucionet e ngritura nga BE kanë pësuar këtë goditje, kaq të fortë që unë do ta quaja rryma Trump dhe Brexit, që unë e kam parashikuar këtu në Ora para dy tre vitesh që do të ndodhte dhe do të kapte BE.
KOHA JONË SONDAZH

