Harxhi: Virulenca e virusit s’ka rënë, i frikësohemi varianteve të reja
Shefi i sëmundjeve infektive, Arjan Harxhi i ftuar në emisionin “Log” me gazetarin Endri Xhafo, tha se nuk ka asnjë rënie të virulencës së virusit.
I pyetur se përse tek disa persona Covid-19 shfaqet më i ashpër dhe tek disa persona më pak i ashpër, Harxhi tha se kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë, për shkak se virusi shihet në nivel popullate.
Ndërsa shtoi se në nivel popullate, kjo sëmundje në një përqindje të caktuar jep një formë të rëndë dhe në një përqindje të caktuar mund të jetë me një ecuri jo të mirë.
Pyetje: Përse virusi tek disa është më i ashpër dhe tek disa më pak i ashpër?
Harxhi: Nuk flitet tek një individ, por flitet në nivel popullate. Dhe ne e kemi të qartë që në nivel popullate, kjo sëmundje në një përqindje të caktuar jep një formë të rëndë dhe në një përqindje të caktuar mund të jetë me një ecuri jo të mirë.
Pyetje: Në këto momente që flasim kur kemi mbyllje të spitaleve dhe rënie të incidencës së virusit, si reflektohet virusi?
Harxhi: Ne gjithmonë i frikemi varianteve të reja të virusit në drejtim të transmetueshmërisë, por në aspektin klinik nuk ka rënie të virusit. Pra sa i përket tipareve nuk ka ndonjë ndryshim.
Nga ana tjetër epidemiologu Ilir Alimehmeti tha se një përqindje e rëndësishme është infektuar dhe ka arritur imunizimin natyror dhe një përqindje tjetër është vaksinuar.
Ndërsa Silva Bino shtoi se rreth 60% e personave që janë vaksinuar nuk e kishin kaluar Covid-in.
/abcnews.al/