Hasani me homologun ukrainas: Hapim ambasadë në Kiev brenda vitit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë një deklarate të përbashkët për mediat me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba u shpreh se Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës.
Hasani ndër të tjera u shpreh se Ukraina është përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare, duke theksuar se shpreson që ambasada shqiptare në Kiev të hapet brenda vitit.
“Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës. Vijojmë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë. Plani me 10 pika i Presidentit Zelenskyy, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5, “Rivendosja e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”. Ukraina, përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare. Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti.
Diskutuam për avancimin e marrëdhënieve të mira Shqipëri-Ukrainë. Në fokus të bisedës, ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën. Dakortësi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.Mbështesim avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane. Të gatshëm që të ofrojmë përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Uroj që Samiti i sotëm të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës”-tha Igli Hasani.