Hasani: Procesi i përshpejtuar i zgjerimit të BE-së dhe Procesi i Berlinit, mekanizma për integrimin e Ballkanit Perëndimor
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit theksoi se sfidat aktuale gjeopolitike e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin mes OKB/KS dhe organizatave rajonale në ruajtjen e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Duke shfrytëzuar potencialin e organizatave rajonale dhe nënrajonale dhe duke u bashkuar në vendosmërinë tonë për të mbështetur vlerat e multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ne mund të përballemi me sfidat aktuale globale dhe të punojmë për një botë ku parandalohen konfliktet dhe arrihet paqja, duke siguruar një të ardhme më të ndritshme dhe më të qëndrueshme për të gjithë”, u shpreh ai.
Ministri Hasani foli edhe për samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë, duke e cilësuar si një investim efikas që promovon bashkëpunimin, paqen dhe prosperitetin në rajon.
“Procesi i Berlinit shërben si një zgjidhje e favorshme për të gjithë, sepse arkitektura e Sigurisë Evropiane ka nevojë për një Evropë më të fortë dhe më të konsoliduar. Procesi i përshpejtuar i zgjerimit të BE-së dhe Procesi i Berlinit janë mekanizma plotësues për aderimin e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ai.