Hashashi, i vetmi investim i rilindjes
Nga Mili Xhani, kryeredaktor i KOHA JONE.
Pak ditë më parë, një mesazh i ambasadës së SHBA për shtetasit amerikanë në Shqipëri, i këshillonte këta të fundit që të shmangin fshatin e Lazaratit nga udhëtimet e tyre në Shqipëri. Mesazhet të tilla quhen Këshilla Udhëtimi dhe u shpërndahen në mënyrë të rregullt qytetarëve amerikanë që qëndrojnë në Shqipëri. Për shkak se paralajmërimi cilësohet i “brendshëm” dhe lidhet vetëm me qytetarët amerikanë, vetëm shumë pak media e pasqyruan këshillën e SHBA për Lazaratin. Megjithatë habia e këtij paralajmërimi nuk është shuar, pasi bashkë me koronavirusin, SHBA rendit si rrezik dhe krimin në Lazarat. Fshati i Jugut të Shqipërisë është i njohur për kultivimin e drogës deri në vitin 2014 kur ushtria dhe policia e shtetit ndërhynë me dhunë për tw luftuar trafikantët. Policia e Shtetit dhe vet kryeministri Edi Rama thonë se bashkë me Lazaratin u hoq dhe njolla e errët e kultivimit të drogës në Shqipëri. Mirëpo nuk rezulton kështu për Ambasadën e SHBA, e cila e vlerëson ende këtë fshat si zonë krimi për shkak të mbjelljes së hashashit. Mesa duket, të dhënat e qeverisë nuk përputhen me informacionet që ka ambasada e SHBA, e cila e rendit këtë zonë në rrezik kriminal.
Lazarati, si fshat i hashashit, e ka humbur prej kohësh rëndësinë si kryeqendra e mbjelljes dhe kultivimit të drogës. Politika e rilindjes me lëndët narkotike bëri që nga një fshat problematik, sot të kemi qindra “lazarat” dhe krahina të tëra që e kanë kthyer Shqipërinë në një Lazarat të Madh. Gazetari investigativ, Artan Hoxha, paralajmëronte sot nisjen e stinës së korrjes së hashashit dhe të mbledhjes së dorës së parë. Hoxha është ndër të parët dhe të paktët gazetarë që foli për Lazaratin e para 2013-ës dhe për kanabizimin e plotë të Shqipërisë gjatë viteve 2014-2017. Strategjia e re e trafikantëve nuk është më mbjellja e hapësirave të mëdha deri në disa hektarë me drogë, por mbjellja e parcelave të vogla në disa vende. Në këtë mënyrë kultivimi nuk bie shumë në sy dhe fushat të tëra me hashash nuk kthehen në një problem për Policinë e Shtetit, pasi nuk duken nga ajri. Kultivimi nëpër pyjet dhe përzjerja e drogës me fushat e misrit dhe produkteve të tjera është një model që aplikohet jo vetëm në male, por dhe në afërsi të zonave urbane. Pra, ka ndryshuar strategjia e bandave kriminale dhe strukturave të shtetit që janë pjesë e këtij trafiku, por jo sasia e drogës së mbjellë. Në kohën e pandemisë dhe bllokimit të plotë të vendit për disa muaj, sasia mund të jetë edhe më e madhe sesa ajo që jemi mësuar të dëgjojmë zakonisht në media. Një arsye që nxiti më shumë mbjelljen e hashashit sivjet ishin dhe deklaratat e kryeministrit për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Fjala legalizim ishte për trafikantët një sinjal për të shtuar masën dhe zonat e mbjella. Ata kanë muaj që kanë nisur të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë; mbjelljen dhe hapjen e linjave të trafikut.
Me mbylljen apo shkeljen e syve ndaj trafikut të hashashit, segmente të qeverisë janë bërë bashkëpunëtor me trafikantët dhe e kanë kthyer Shqipërinë në vendin kryesor të importit të lëndëve narkotike. Në 8 vite qeverisje, mes shumë mëkateve të tjera, kanabizimi i vendit do të mbahet mend si kryevepra e rilindjes. Ekonomia u fundos nga koncesionet dhe korrupsioni. Investimet u bënë vetëm në pak metra rrugë dhe fasada pallatesh të padobishme për qytetarët. I vetmi investim serioz i Rilindjes që i ka rezistuar kohës dhe është kthyer në projekt kombëtar është kanabizimi i vendit.