Hashashi mes lopëve, Çilotaj në hetim për pastrim parash
Çuditë në këtë vend nuk kanë të sosur. Një fermë bujqësore në Mbrostar të Fierit, ishte përgatitur për t’u kthyer në laborator droge. Policia e zbuloi shpejt qendrën dhe ndaloi përgjegjësit, ndërsa në fermë mbetën vetëm lopët, të cilat do përdoreshin si maskim.
Pronari i saj, Vladimir Çilotaj është shpallur në kërkim, ndërsa në afërsi të fshatit Seman policia sekuestroi edhe një mjet lundrues me gjatësi rreth 12 metra, i dyshuar për transport lëndësh narkotike.
Pas këtij zbulimi, prokuroria e Fierit po heton aktivitetin financiar të Çilotaj. Organi i akuzës, dyshon se ai mund të ketë kryer pastrim parash me anë të aktiviteteteve e tij të regjistruara në QKB. Ka dyshime se prej vitesh të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme, si në vjedhjen dhe përpunimin e paligjshëm të hidrokarbureve, gjë për të cilën është proceduar në vitin 2011 dhe së fundmi si i dyshuar në prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Burimet theksojnë se nga hetimet e deritanishme janë ngritur dyshimet se Vladimir Çilotaj mund ta ketë përdorur biznesin e tij për të justifikuar dhe fshehur të ardhurat e përfituara nga veprimtari të paligjshme.
“Në ekstraktin historik të kompanisë “Ladi 2008”, me aksioner Vladimir Çilotaj, vërehet se ky subjekt ka shtuar vit pas viti hapësirat e operimit duke nisur me “Import eksport, përpunim, transportimi dhe tregtimi me shumice dhe pakice i naftës, gazit, etj” e duke përfunduar në vitin 2013 me “Import eksport,perpunim,transportimi dhe tregtimi me shumice dhe pakice i naftes,gazit dhe nenprodukteve te tyre si benzol, gazoil, karburant per aviacionin, vajguri ndriçues, vajra lubrifikante, solar, mazut, bitum, propan, butan, ksilol etj.
Magazinë apo pulari?
Punëtorët fillimisht u shprehën para hetuesve se aty gjendej vetëm baza ushqimore për batëtinë që mbarështonin, gjedhë dhe derra që gjendeshin në stallën ngjitur, por më vonë thanë se aty po ndërtohej një pulari. Nga kontrolli u konstatua se aty, në një sipërfaqe prej rreth 300 metrash katrorë, ishte krijuar një laborator me pajisje që dyshohet se do të shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e kanabis.
Gomonia çoi tek laboratori i drogës
Ishte gjetja e një gomone ajo që çoi më pas në kontrollin e magazinës së Vladimir Çilotajt. Dyshohet se gomonia ishte siguruar për mundësimin e trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Policia dhe Prokuroria e Fierit po hetojnë për zbulimin e personave të tjerë që dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rrjet të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
KOHA JONË SONDAZH

