Hasmëria mes fiseve, pajtuesi i gjaqeve: Ardiani kërkoi pajtim, por u refuzua nga pala tjetër
Pajtuesi i gjaqeve nga Lezha, Pjetër Gjoka, ka folur gjakmarrjen mes fiseve Nikulaj dhe Lestakaj, që u rikthye një javë më parë me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Gjoka tha se gjakmarrja mes këtyre dy fiseve ka nisur në vitin 1997 dhe vijon ende. Sipas tij Ardian Nikulaj ka kërkuar pajtim, por është refuzuar nga pala tjetër. Në lidhje me këtë rast, Gjoka tha se situata është tepër delikate dhe është shumë e vështirë të gjendet një urë komunikimi mes dy fiseve.
“Ne e njihnim këtë rast, janë një seri vrasjesh, jo të deklaruara tamam, në 1997-ën e më pas. Bilanci mbetet një problem i pasqaruar nga ana jonë. Fisi Lestakaj ka lënë vilat këtu në Shqipëri bosh dhe janë larguar të gjithë aty në Angli, ku jetojnë e punojnë.
Si duket kjo ka ndikuar për të organizuar gjakmarrjen e tyre. Pas viteve 2000 jam njoh me Ardian Nikulajn, i cili ka qenë i njohur si politikan lokal dhe i suksesshëm në fushën e biznesit dhe që ndihmonte komunitetin.
Nuk ka se si të bëhet pajtim pasi ka munguar pala e dëmtuar, pala e Lestakajve. Pa qenë dy palët nuk mund të bëhet asnjë tentativë. Nikulajt e pranonin pajtimin, unë e kam diskutuar me të ndjerin. Por kur mungon njëra palë nuk mund të bëhet pajtimi. Zgjidhjen e shoh të vështirë megjithatë le të shpresojmë”, tha ai në një intervistë televizive.