HEC-et do të paguhen më pak – Enti Rregullator miraton çmimin e ri, prodhuesit kanë paralajmëruar proces gjyqësor

Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike do të paguhen më pak nga qeveria për energjinë e prodhuar. Pas ndryshimit të formulës nga ana e Këshillit të Ministrave, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimin e ri, që sipas vendimit do të jetë 7.448 lekë/kwh apo rreth 0.6 lekë/mwh më i ulët në raport me çmimin e miratuar në janar të këtij viti. Në muajin maj qeveria vendosi ndryshimin e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.3 në 1.2, një koeficient që është pjesë e metodologjisë mbi bazën e së cilës përllogaritet çmimi vjetor me të cilin hidrocentralet deri në 15 MW shesin energjinë elektrike.

Ndërkohë që, vendimi i ERE-s është marrë në zbatim të këtij vendimi, që gjithsesi është kundërshtuar nga prodhuesit e energjisë elektrike. Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme,  që përfaqëson mbajtësit e kontratave koncesionare ky ndryshim është një goditje për investimet e kryera në këtë sektor, ndërkohë që paralelisht cenohet edhe siguria juridike e kontratave koncesionare.

Përfaqësuesit e shoqatës argumentuan gjithashtu, se shteti duhet të garantojë zbatimin e këtyre kontratave, ndërkohë që vendimi ishte marrë pa asnjë konsultim me ta, si palë interesi. Paralelisht, ata kanë deklaruar se çështja do të çohet në gjykatë. / SCAN

SHKARKO APP