HEC-et në Kaçinar/ Banorët: Ne dërgojmë ankesa, qeveria na sjell firmën e kryeministrit

Banorët e Kaçinarit në Mirditë kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të HEC-ve me argumentin e fortë se kanalizimi i lumenjve nëpër tuba do ta  shkretojë të gjithë zonën, rrjedhimisht dhe ekonominë e tyre.

Ata janë shprehur për Fax News se me asnjë çmim dhe me asnjë lloj forme nuk kanë ndërmend të lejojnë ndërtimin e këtyre HEC-eve, teksa kanë shprehur edhe pretendimet e tyre se është shkelur ligji me zotërimin e lejeve.

Banorët kanë arritur të largojnë javë më parë makineritë nga zona, por nuk kanë gjetur një zgjidhje përfundimtare me investitorët, ndërsa sot ata kanë janë grumbulluar në qytetin e Lezhës nga ku bëjnë thirrje që të mos ketë përpjekje të kota për të rinisur punimet pasi do të shkojnë atje të përballen me çdo çmim.

“Do të gjejmë çdo lloj mënyre, mos të na detyrojnë të vijmë herë pas here këtu. Janë dy –tre veta që duan ta shkatërrojnë këtë zonë, ne nuk do ta lejojmë. Nëse SPAK nuk e zgjidhë meqë kemi besim, do e dërgojmë çështjen në Strasburg”, tha njëri nga banorët.

“Kjo është hera e parë në zonën e Kaçinarit që po tentohet të ndërtohen HEC-e dhe ju garantoj se do të jetë hera e fundit. Kjo pasuri që na është trashëguar nga Zoti dhe nga të parët tanë, i bëj thirrje qeverisë dhe autoriteteve që të mos e prekin”, shtoi ai.

Nga diaspora posaçërisht për këtë përplasje mes banorëve dhe firmës së ndërtimit, ka ardhur edhe Gjon Ndoj i cili thotë se implementimi i këtij projekti do të dëshmojë se në atë zonë nuk do të ketë më jetë.

Ndoj ka përmendur edhe një sërë shkeljesh që janë bërë deri në fillimin e punimeve e mes të tjerave radhiti vendimin e Këshillit Bashkiak Mirditë, falsifikimin e dokumenteve, mbledhjen e kartave të identitetit të banorëve për të firmosur në emër të tyre për të dëshmuar se janë dakord.

“Siç mund ta dini fshati është ndërtuar në të dyja anët e Lumit Shpërdhaza, si të ishte bërë nga ndonjë arkitekt. Atje jetohet me bujqësi dhe blegtori. Kam shumë fakte, jam bërë 50-vjeç në atë vend. Ai lum nëse nuk do të kishte më ujë, dhe për pasojë nuk do të kishte as jetë pasi njerëzit do të migronin. Që me 14 Prill jemi angazhuar, u jemi drejtuar ministrive përkatëse, Avokatit të Popullit, kemi ndjekur të gjitha metodat demokratike për ta pezulluar atë projekt. Firma ka nisur përpjekjet për të rifilluar punimet. Na kanë dhënë disa përgjigje formale, duke dërguar vendimin me firmën e kryeministrit për ndërtimin e hidrocentralit. Janë bërë shkelje të paimagjinueshme, nuk ka një shpalosje projekti që të informojë banorët se çfarë po ndërtohet këtu. Ata sipas gjithë dokumentacionit, kanë bërë një takim me disa banorë të Arrëzit që është sa një e dhjeta e zonës së Kaçinarit, dhe kanë firmosur rreth 30 persona gjë që e kanë përdorur si miratim të zonës së Kaçinarit, është abuzuar me vullnetin e njerëzve.

Gjithashtu vendimi i Këshillit Bashkiak është bërë në shkelje, nuk ka qenë në rendin e ditës dhe është miratuar pa pjesëmarrjen e këshilltarëve të opozitës, janë mbledhur dy-tre firma dhe ka kaluar. Ne për këtë kemi hapur një gjyq dhe jemi në proces gjyqësor. Kam informacione që disa punonjës së ish-komunës Kaçinar kanë përdorur edhe karta identiteti duke abuzuar me kartat që iu kanë marrë njerëzve si dakordësi për ndërtimin e hidrocentraleve. Ne kemi 300 firma, ata kanë 30 firma, edhe ato firma nga disa banorë që nuk kanë lidhje me zonën. Ata që do të kalojnë tubacionet në pronat tona, ajo nuk është më e jona, ata kanë shtetin e gjithçka me vete, por ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të mos e lejuar”, tha Ndoj.

SHKARKO APP