Hedhja e pacientit nga dritarja e spitalit, reagon “Shefqet Ndroqi”, çfarë thuhet për shërbimin
Një mjeke e spitalit “Shefqet Ndroqi” ka reaguar për rastin e vetëhedhjes së 65-vjeçarit të shtruar në këtë spital një ditë më parë.
Përmes një deklarate u sqarua se trajtimi është dhënë me përkushtim për pacientin në fjalë por edhe gjithë pacientët e tjerë.
“Jemi këtu dhe po bëjmë këtë punë të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetën nga sëmundja e rrezikshme dhe e pabesë që ka prekur gjithë botën. I shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes së 65-vjeçarit.
Ai ishte i shtruar me pneumoni si pasojë e Sars Covid 2 dhe po trajtohej nga ne si dhe kishte shqetësime psikologjike Sigurojmë qytetarët se do shërbejmë me përkushtim e sakrificë për të pacientët”,-tha mjekja.
Reagimi i spitalit
Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 65-vjeçarit me inicialet H.M, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e sotme dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira.
65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit.
Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se po vijojë të jetë në shërbim 24/7 për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë.