Hekuran Krasniqi: Të dashurosh dhe të këndosh për dashurinë kurrë nuk është mjaftueshëm
Emri i Hekuran Krasniqit të çon menjëherë tek tingujt e paharruar të hitit muzikor “Ajo më mbyti”, bashkëpunim me grupin “Fisnikët”.Megjithëse kanë kaluar dy vite nga publikimi i këngës, edhe sot thuajse në të gjitha festat, klabet e natës këndohet dhe kërcehet kjo këngë kaq e dashur. Ai ka një vokal unik dhe tepër të ndjeshëm që e bën të pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Artisti nuk është ndalur në bashkëpunime, pasi ndër vite ai ka sjellë për publikun shqiptar disa projekte. Jo vetëm zëri, por edhe muzika që prodhon për këngët e tij e gjithashtu edhe për shumë artistë të tjerë e kanë bërë emrin e tij të kërkuar e të dashur për publikun. Vlen të theksojmë se Hekuran Krasniqi është ndër të paktët kantautorë që produktet muzikore i nxjerr shpesh dhe saktë. Në një rrëfim për gazetën “Koha Jonë”, Krasniqi na zbulon disa të pathëna si dhe na rikthen disa vite pas me bashkëpunimet me disa këngëtarë të njohur të estradës shqiptare.
Ju Hekuran, jeni kompozitori dhe interpretuesi i hitit kudo të dëgjuar dhe tashmë shumë të dashur për mbarë publikun shqiptar “Ajo më mbyti”, bashkëpunim me grupin Fisnikët. Por karriera juaj muzikore si kanautor nuk e ka zanafillën këtu, por shumë më herët. A mund të tregoni diçka më tepër lidhur me fillesat tuaja në muzikë?
Nuk po e nis shumë më herët, por që prej përvojave të mia ku fillova të prek sukseset e para e ato kanë qenë si pjesë e grupeve muzikore “Latino Band” dhe Makiato Band”. Duke lenë mënjanë historikun mbi formimin e këtyre dy grupeve, mund të them se nga këta kolegë kam mësuar shumë në muzikë e ndaj për këtë u jam mirënjohës gjithë jetën. Në vazhdim të prezantimit që ju bëtë për këngën “Ajo më mbyti “ dhe suksesin e saj, sot dua të them që përveçse përpara publikut kam krijuar një raport prej interpretuesi, por për informacion të të gjithë atyre që nuk e dinë, unë në studion time realizoj këngë edhe për artistë të tjerë. Kështu që, natyrshëm të mbash mbi supe përgjegjësinë e autorit të këngës duhet ta dish edhe kush do të jetë interpretuesi i saj. Si fillim, kënga “Ajo me mbyti” kishte të krijuar muzikën dhe vetëm pjesën e refrenit …Zemra sa sa e don ti nuk e imagjinon … të realizuara prej meje. Më pas vlerësova që vokali i Agimit, solistit të Grupit Fisnikët ishte i duhuri që kënga të formësohej e tëra. Por, përveç kësaj Agimit i besova edhe një detyrë që të kujdesej edhe për tekstin e kësaj kënge që ajo të merrte formën përfundimtare, sikur edhe ndodhi. Për gjashtë muajt e parë pas realizimit të këngës dhe klipit nuk pati një shpërthim të menjëhershëm, por më pas ajo zuri vend në të gjithë zemrat e dëgjueseve të muzikës tonë dhe për këtë, sot jam shumë i kënaqur.
Publiku në Shqipëri ka evidentuar prezencën tuaj në skenën muzikore në Tiranë shumë më herët. Ju keni qenë prezent si konkurrent në Top Fest 8, në festivalin “Kënga Magjike “, viti 2013, madje edhe si fitues i Festivalit të VIII “Netët e Klipit Shqiptar” me videospotin “Mos e le për pak”, kompozime tuaja dhe këto. Besoj jemi të saktë përsa ju përmendëm?
Po, është shumë i saktë konstatimi juaj dhe me gëzon fakti që ka memorie mbi aktivitetin tim muzikor në Tiranë dhe kur koha e vlerëson atë, vetëm se ndihem i realizuar. Kjo nga ana tjetër do të thotë që të vazhdojmë dhe punojmë për suksese të reja.
Për të risjellë në vëmendje të lexuesve tanë, një tjetër hit i juaji i cili ka lënë gjurmë përsa i përket stilit të veçantë, në kompozim, në tekst por dhe në interpretim është ai me titull “Mandarinë”, me këngëtaren Bleona Qerreti. Ka ndonjë detaj që mund të na përmendni mbi këtë hit tjetër të atyre viteve.
“MANDARINA “, ka qenë një këngë e albumit tim të titulluar “IRON” dhe Bleona me të dëgjuar këtë këngë o e merrte o s’bënte… hehehe…por megjithatë ishte e frytshme për të gjithë ne, e sikur e përmendët dhe ju mund të quhet një hit muzikor i atyre viteve.
Jo vetëm Bleona , por dhe këngëtarja Dafina Zeqiri e cila sot është një emër i njohur, një nga daljet e saj të para, e ka pasur krah jush me këngën tuaj “ Manushaqe”. Si erdhi ky projekt mes jush?
Koha kur isha i angazhuar në Labelin Gramafon Entertainment ishte gjithashtu e veçantë, pasi që thuaj se 90 përqind e këngëtarëve në zë në botën e muzikës moderne ishin tek ne, te ky Label. Vazhdimisht si në atë kohë por edhe tani unë vazhdoj të mundësoj sjelljen e talenteve të rinj në skenë, e njëra ndër ta në atë kohë ishte edhe Dafina `Zeqiri , e cila sot shkëlqen në skenën muzikore.
Elementi që në njëfarë mënyre ju bën ju të shquheni përveç vokalit tuaj aq të veçantë, potent e të dallueshëm për shkak të ngjyrave specifike të tij, është ai që ju mund të quheni pa diskutim këngëtari unik i bashkëpunimeve sikur në periudhën kur këto ishin të rralla, por edhe sot që janë kthyer në një trend. Përveç bashkëpunimeve që përmendëm deri tani në intervistë, ju numëroni shumë e shumë bashkëpunime të tjera si me këngëtarë me eksperiencë në treg ashtu edhe me emra të rinj. Këto bashkëpunime mbajnë vulën e kompozimit tuaj e në shumicën e rasteve dhe tekstit, duke ju dhënë ju të drejtën të quheni kantautor. Ju e quani veten të tillë?
Nëse kantautor mund të quhet ai i cili i realizon këngët vetë dhe i interpreton ato atëherë po, mund ta quaj veten.
Duke qëndruar te bashkëpunimet vihet re që vërtetë nuk po ndaleni duke i sjellë ato njëra pas tjetrës, e sigurisht sikur e përmendëm të gjitha janë kompozimet tuaja. Të fundit në radhë janë “Si ajo nuk ka”, “ Fshehurazi kam qa”,” Nuk ka tjetër”, ”Nuk mundem”, ”Boni mashallah” me këngëtarin nga Tirana Vani Gjuzi, por dhe hiti veror me titullin “Bella”, me LMN. Meqë janë kompozimet tuaja të fundit me të cilat dhe publiku në Shqipëri është njohur dhe i ka pritur mjaft mirë, çfarë mund të tregoni lidhur me këto bashkëpunime?
Është e vërtetë që bashkëpunimet e mia me këngëtarë si nga Kosova dhe Shqipëria po shtohen dhe vlen të përmend që secili bashkëpunim është i rëndësishëm për mua, pasi muzika është jeta ime dhe unë përpiqem në çdo rrethanë të bëj maksimumin që kënga të jetë e kompletuar si në kompozim ashtu dhe interpretim, pra në të gjithë komponentët e saj. Për mua në plan të parë gjithmonë është kënga, por edhe videot nuk do të thotë që nuk kanë peshën e tyre specifike me elementë të cilat duhet të vlerësohen në botën e sotme të video- projekteve. Referuar konstatimit tuaj mbi hitin më të ri veror “ Bella”, mund të them që videoklipi i kësaj kënge është realizuar në Shqipëri, konkretisht në Shëngjin, dhe ka pasur vërtetë impakt shumë të mirë në publik, falë edhe harmonizimit me vokalin e talentit te ri LMN, ku kënga u këndua në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht. Po ashtu, bashkëpunimi i fundit me këngëtarin Vani Gjuzi, nga Tirana, është një kolazh i bukur me këngë popullore , plot ritëm dhe dedikuar krejtësisht atmosferës së dasmave shqiptare nga Jugu në Veri.
Kohët e fundit gjithashtu ju kemi parë dhe ndryshe nën petkun e kostumit popullor duke kënduar një kolazh me këngë popullore të vjetra, një bashkëpunim me këngëtaren Selvete Bajrami. Si ndiheni ju kur interpretoni edhe këtë zhanër?
Këngët popullore në vetvete aq më tepër kur ato janë të vjetra e risillen në vëmendje mbartin nostalgjinë e publikut duke shtuar kështu padiskutim edhe përgjegjësinë përpara tij për shkak edhe të formave të ndryshme të të kënduarit në vite e trasfomimeve që mund të kenë pësuar. Unë sigurisht që jam ndjerë shumë mire në këtë duet pasi muzika popullore është një pasuri , një vlerë e folklorit shqiptar dhe padyshim që është një shoqëruese e denjë e njerëzve në rastet më të veçanta të jetës së tyre.
Hekurani Krasniqi nuk është vetëm një këngëtar e kompozitor i njohur, por edhe pedagog në Shkencat e Komunikimit e Gazetari në një nga Universitetet e Prishtinës. Jeni po kaq i motivuar në mësimdhënie sikur në muzikë dhe si e menaxhoni kohën me kaq shumë angazhime të suksesshme madje, që keni?
Përpiqem të zbatoj metodologjitë më të update-uara. Pragmaticiteti tek unë ka qenë,është dhe mbetet A- ja e çdo iniciative që marrë. Gjithashtu, ndarja e punës, përgjegjësia si dhe besimi i plotë në vendime është suksesi i garantuar. Kur gjërat bëhen me dashuri e pasion, koha menaxhohet më së miri.
Lajtmotivi i këngëve tuaja është ndjenja e dashurisë. Cila është muza juaj kur i këndoni aq bukur dashurisë?
Dashuria edhe historikisht ka pas një rol në zhvillimet dhe ndryshimet shoqërore sikur ai i Cezarit dhe Kleopatrës. Të dashurosh dhe të këndosh për dashurinë kurrë nuk është mjaftueshëm. Referuar dhe këngës time “Shqiptare”, me grupin “ Fisnikët”, më pëlqen në këtë rast të cilësoj vargjet …. Moj shqiptare jam me fate, shpirtin tim e hallakate….
Më lejoni që t’ju falënderoj për këtë mundësi që më dhatë dhe të uroj shëndet për të gjithë shqiptarët, e veçanërisht për ndjekësit e muzikës sime sigurisht, ndërsa juve gjitha të mirat.