Heqja e taksës së ndërtesës për hotelet për 2020, Spahiu: Kërkesë mëse e drejtë e Shoqatës së Turizmit
Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka reaguar sot edhe lidhur me kërkesën e Shoqatës së Turizmit, e cila i kërkon bashkisë Tiranë të heqë taksën e ndërtesës për strukturat akomoduese për vitin 2020, duke e cilësuar atë si të drejtë.
“Kërkesë mëse e drejtë e Shoqatës së Turizmit.
Nuk ka asnjë kuptim që në kohë pandemie, kur të gjitha qeveritë janë angazhuar në subvencionimin e bizneseve të prekura nga pandemia, të ju vihen taksa, kur volumi i tyre ka rënë në 10% të atij normal.
Në mjaft sektorë, sidomos ai i shërbimeve, edhe ajo palo pagë që u dha, paga e luftës siç rëndom u quajt, pjesa më e madhe e saj u pagua taksa Bashkisë.
Mjaft të pyesësh një taksist dhe e kupton që atë që ju dha Rama ju mori Erioni edhe pse aktiviteti ishte zero.
Nuk kam pikën e besimit që Bashkia do të marrë parasysh këtë kërkesë të drejtë të Shoqatës së Turizmit”, shprehet në reagimin e tij, ish-ligjvënësi i LSI-së, Përparim Spahiu.