Hetim banorëve të zonës për rrahjen e investuesit në Lalëz
Fadi Mitri, biznesmeni që u sulmua në rrugën e Rinasit, është një prej përfaqësuesve të miliarderëve të Katarit.
Ai është dhe administrator i kompanisë nga i njejti vend, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtojë një resort gjigand me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit. Edhe sulmi ndaj tij dyshohet paraprakisht se ka lidhje me këtë investim që do të kryhet. Të paktën këto janë dyshimet e Policisë nisur nga ato ç’ka vetë sipërmarrësi i huaj ka deklaruar pas sulmit.
Sipas dëshmisë së tij, ata i kanë thënë: “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet…” por një tjetër element që e përforcon më shumë këtë pistë të ngritur nga grupi hetimor, është një incident i ndodhur 5 vjet më parë në vendin e projektit.
Në vitin 2011, banorët e Gjirit të Lalzit protestuan për ndërtimin që do të kryhet aty duke prishur edhe rrethimin që ishte vendosur nga kompania në atë zonë. Për këtë arsye, mes 12 personave të shoqëruar nga Policia e Tiranës dhe e Durrësit si të dyshuar për ngjarjen janë dhe disa banorë nga Gjiri i Lalzit dhe fshatrat përreth.
Leja e ndërtimit për resortin 180 milionë eurosh të kompanisë nga Katari u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Por burime zyrtare pranë Financave thanë se leja zhvillimore ishte miratuar nga qeveria Berisha.
Investitori amerikano-libanez Fadi Mitri, që u godit me shkop bejzbolli në kokë dhe gjymtyrë nga tre persona ka qënë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejzbolli.
Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë se ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë ka hematoma të shumta, ndërsa njërën këmbë e ka të thyer. Kanë qënë 3 persona që e kanë sulmuar, pasi i kanë përplasur makinën makinën me të cilën ai udhëtonte në rrugën e Rinasit, paraditen e djeshme. Ndërsa sipas dëshmisë që ai dhe shoferi i dhunuar kanë dhënë para hetuesve, njeri nga autorët ka filmuar të gjithë skenën. Vetë biznesmeni i plagosur ka arritur të fiksojë targën e automjetit “Tuareg” ku ndodheshin autorët, të cilën edhe e ka fotografuar, pasi mjeti gjatë gjithë rrugës kryente manovra të rrezikshme dhe parakalonte makinën e tij.
Burimet thanë se makina ka qënë me targa italiane të vjetra, që pas verifikimeve nuk kanë rezultuar të kenë kaluar në rrugë zyrtare kufirin shqiptar. Targat mund jenë të vjedhura dhe janë përdorur enkas për të kryer sulmin ndaj sipërmarrësit 55-vjeçar Fadi Mitri.
KOHA JONË SONDAZH

