Hetimet: “Daja” i policisë dilte garant për avionin e drogës (Foto)

Dalin detaje të reja mbi grupin prej 14 personash që u arrestuan në Vlorë e Itali, mes tyre edhe një punonjës policie, pas ndalimit të një avioni me drogë.  Vladimir Zanaj zyrtari i lartë i policisë së Vlorës i arrestuar si pjesëtar i grupit kriminal që transportonte drogë me avion drejt Italisë, ka pasur një rol kyç në funksionin e tij.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, ai ishte kishte dhënë garanci se veprimtaria e kriminale nuk do të pikasej nga policia.

Burime nga grupi hetimor konfirmuan se familjet Lamaj dhe Ahmetaj kishin mbjellë plantacione me kanabis në zonën e Sevasterit, aty iu u ngrit avioni më 24 gusht.

Për ketë, në bazë të përgjimeve, Zanaj me detyrë shef i burime njerëzore në Drejtorinë e Policisë Vlorë, i kishte dhënë garancinë se, parcelat e tyre nuk do prekeshin nga aksioni anti-kanabis i policisë shqiptare.

Në përgjimet e prokurorisë shqiptare Zanaj njihej me pseudonimin “Daja”. Sipas hetimeve, ai përveç ruajtjes së parcelës kishte marrë përsipër dhe të mbikqyrte mbarëvajtjen e korrjes së kanabisit.

Por kjo gjë sipas prokurorisë nuk ka ndodhur pasi, këto plantacione janë shkatërruar gjatë aksioneve të policisë në Sevaster.

Sipas hetuesve mbjellja e plantacioneve vetë nga ky grup kriminal e bën të dallueshëm nga çdo lloj organizate tjetër e trafikut të drogës.

Ky organizimin ishte një qark i mbyllur pasi të gjithë pjesëtarët kishin lidhje fisnore me njëri – tjetrin, duke ndjekur shembullin e familjeve të njohura mafioze italiane, ku lidhja e gjakut është mjaft e rëndësishme. Ky grup kishte marrë përsipër mbjelljen, korrjen, transportin dhe shpërndarjen e kanabisit. Plantacionet nuk i kishte vetëm në Shqipëri. Sipas anti-mafias së Bolonjës, familja Lamaj kishte blerë sipërfaqe të konsiderueshme toke në Rimini të Italisë, ku nisi të kultivonte kanabis.

Nga përgjimet e palës italiane ata po planifikonin të blinin tokë edhe në Rumani, ku do të bënin të njëjtën gjë.

Grupi kishte planifikuar çdo gjë në detaje. Për këtë arsye Vilson Lamaj, (personi në këtë foto), të prangosur nga karabinieria italiane, ishte dërguar në kurs për të mësuar drejtimin e avionit.

Pjese e planit ishte edhe blerja e një avioni tjetër më të fuqishëm që mund të transportonte sasi më të mëdha droge, kësaj here nga plantacionet e blera në Rumani.

Grupi kontrollonte edhe shpërndarjen e marijuanës në Rimini, nga ku nisën hetimet që çuan në zbulimin e aktivitetit kriminal.

Arrestimi i disa shpërndarësve në Rimini në mars dhe prill të këtij viti, të cilët shisnin mallin e familjeve Ahmetaj dhe Lamaj, nuk i ka shqetësuar aspak anëtaret e grupit. Ata vazhdonin përgjatë kësaj kohe të furnizonin me drogë zonën dhe të merreshin me rritjen e kanabisit në Shqipëri, me ndihmën e drejtuesit të policisë së Vlorës.

Lagjja Xhelilaj e fshatit Sevaster të Vlorës u bë e famshme këtë të mërkurë pas publikimit të lajmit të kapjes së një avioni të vogël të ngarkuar me drogë në këtë zonë.

Lagjja është në një zonë kodrinore, rreth 4 km nga qendra e fshatit dhe ku aktualisht kanë mbetur vetëm tre shtëpi.

Banorët e fshatit janë mjaft të rezervuar para kamerave. Ata thonë se nuk dine gjë për çështjen dhe se zona është e qetë dhe pak e populluar. Ata thonë se nuk kanë parë të ulet ndonjë avion në atë zonë.

Një makinë policie qëndron në fshat ndërsa banorët thonë se uniformat blu kanë qenë të pranishme edhe më herët.

Forca policore kane rrethuar zonën dhe kanë marrë në pyetje banorë, por vendi i saktë se prej nga u ngrit avioni nuk bëhet publik.

SHKARKO APP