Hetimi i protestuesve te Unaza e Re. Basha: Nuk ka prokuror dhe gjykatës të korruptuar që mund të frikësojë opozitën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot për hetimet e skandalit 40 milionë euro të Unaza e Re. Kreu i PD-së thotë se prokuroria e kapur nuk po heton vjedhjen e buxhetit dhe korrupsionin qeveritar, por përndjek dhe merr të pandehur protestuesit e opozitës dhe qytetarët.

Prokuroria e kapur dhe e bërë palë me vjedhjen, nuk heton dhe ndëshkon hajdutët e 40 milion eurove në aferën e Unazës së Re, por përndjek dhe merr të pandehur qytetarët që protestojnë kundër hajdutërisë dhe babëzisë së qeveritarëve të korruptuar. Marrja si të pandehur nga prokuroria e përfaqësuesit të opozitës Klevis Balliu dhe të qytetarëve Seit Hajderasi, Lulzim Maqinaj, Ilir Katiraj dhe Elton Skënderaj pse protestojnë për të mbrojtur shtëpitë dhe fëmijët e tyre, është akt politik, për të frikësuar qytetarët që kundërshtojnë arbitraritetin dhe hajdutërinë e Edi Ramës”,- shprehet Basha.

Kreu i PD-së deklaron se prokuroria nuk mund të kthehet në organ politik. “Në emër të Partisë Demokratike dua të bëj të qartë se 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës nuk ka prokurori politike që mund të ndalë qytetarët e lirë të protestojnë ndaj arbitraritetit të Qeverisë. Nuk ka prokuror apo gjykatës të korruptuar që mund të frikësojë opozitën të jetë përkrahë qytetarëve dhe të denoncojë aferat kriminale e korruptive të Edi Ramës dhe ministrave të tij”,- tha Basha.

Kryedemokrati shton se beteja e opozitës kundër korrupsionit do të vazhdojë dhe nuk ka për tu ndalur. “Akte të tilla na dëshmojnë edhe njëherë sesa e drejtë dhe jetike është beteja jonë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Denoncimi dhe reagimi ndaj korrupsionit, lidhjeve të krimit të organizuar me Edi Ramën dhe regjimin e shërbëtorëve të tij, nuk ka për t’u ndalur!”, shkruan Basha në FB.

SHKARKO APP