Hidhet kryqi i bekuar në Osum/Mes 9-të të rinjëve, triumfon 21-vjeçari
Pandemia e Covid-19, nuk i ka ndaluar qytetarët beratas që të mbushin dy brigjet e lumit Osum, për t’u bërë pjesë e ceremonisë së hedhjes së Kryqit.
Priftërinjtë e Kishës Orthodokse në Berat, të gjithë të pajisur me maska, janë nisur nga Kisha e “Shën Dhimitrit” drejt Urës së Goricës, për kryerjen e ritualit të hedhjes së kryqit.
9 të rinj sfiduan temperaturat e ulëta dhe u futën në ujin e ftohtë të Osumit, për të pritur kryqin. Ceremonia e hedhjes së kryqit u mbajt nga prifti Johan Qako, që pas ritualit fetar hodhi kryqin e bekuar në lumë. Kryqi u kap nga 21-vjeçari Daniel Lirza,i cili me kryqin në dorë depërtoi në mes të turmës.
Sipas traditës, 21-vjeçari troket derë më derë në portat e banesave të lagjeve “Mangalem”, “Goricë” e “Kala” si dhe në lagjet e tjera beratase, ku “dorovitet” nga banorët.