Hiqet pllaka e Sulltanit nga Kalaja e Lezhës

 

Ministria e Kulturës nëpërmjet një deklarate për shtyp bënte të ditur se në datën 05.10.2015, pllaka me mbishkrimin osman, e cila është e vendosur në hyrje të kalasë së Lezhës është dëmtuar  nga persona ende të paidentifikuar.

Dëmtimet janë vënë re mëngjesin e së hënës nga punonjësit e kalasë.

Pas njoftimit të marrë nga punonjësit e  sektorit Lezhë, lidhur me dëmtimin e pllakës së mbishkrimit osman në hyrje të Kalasë së Lezhës, specialistët e DRKK-Shkodër, kryen verifikimin e menjëhershëm në vend të dëmit të shkaktuar.

Nga inspektimi i pllakës u konstatua se ka dëmtime në konturin e saj, në pjesën e majtë të sipërme dhe në mes djathtas, dëmtime vërehen  edhe në një pjesë të madhe të relievit të shkronjave.

Për sa më sipër u bë kallëzimi pranë organeve të rendit.

Ministria e Kulturës ka ndjekur me shqetësim dhe përgjegjësi situatën në vend. Një grup  specialistësh dhe drejtoresha e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani,  kanë  inspektuar ngjarjen nga afër në Kalanë e Lezhës.

Nga ekspertiza e kryer në vend nga specialistët e IMK-së  dhe të  DRKK-së , në vijim të dëmtimeve në vijimësi të pllakës së mbishkrimit në  hyrje të  Kalasë së Lezhës,  rezultoi heqja e  pllakës për ta restauruar nga dëmtimet e ditëve të fundit.

Pllaka me mbishkrimin Osman, e vendosur në datën 22 tetor 2015 në hyrje të Kalasë së Lezhës ndodhet sot  në laboratorin e IMK-së.

Ministria e Kulturës  dënon këtë akt dhune kundër trashëgimisë kulturore.

U bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për këtë akt flagrant.

Po kështu i bëjmë thirrje çdo subjekti, individi,  që të mos prekë monumentet e kulturës, sepse ato janë identiteti ynë kulturor.

Ministria e Kulturës thekson edhe njëherë se nuk do të lejojmë askënd të përsërisë krimet ndaj trashëgimisë. Garantojmë  ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës në çdo moment,  sepse vlerat kulturore të trashëgimisë janë jo vetëm thesare të kombit, por një mjet i rëndësishëm edukimi për publikun dhe sidomos për të rinjtë.

Kujdesi  për t'i ruajtur e shpëtuar na takon të gjithëve si qytetarë, për vendin tonë, për vete dhe për fëmijët tanë, shkruhej në njoftimin e Ministrisë.

SHKARKO APP