Histori/Viti 1912 e gjeti Shqipërinë vetëm me 160 km rrugë për qerre, me pas ndërtuan austriakët

Gjatë viteve 1913 – 1914 nuk u punua fare në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri, përveç riparimit dhe vënies në efiçencë vetëm për qerre të rrugës Durrës – Tiranë. Pra siç shihet Shqipëria ishte gati pa rrugë.

Në fillim të Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, në vendin tonë erdhën ushtri të huaja dhe e kthyen vendin në shesh lufte. Erdhi ushtria greke, italiane, franceze, serbe, austro-hungareze, bullgare. Makina ushtarake e tyre nuk bënte dot pa rrugë transporti. Kështu disa prej ushtrive iu vunë punës për ndërtimin e rrugëve për automjete, dekovilë, teleferikë, sipas zonave ku shtriheshin ushtritë e secilës fuqi.

Ushtria Austro-Hungareze pasi lëshoi një urdhër që në ditët e para të pushtimit të Shqipërisë Veriore, krijoi një aparat të madh të udhëheqjes teknike me oficerë xhenjerë, caktoi forca për ndërtimin e rrugëve, duke përdorur ushtarët, robërit dhe punëtorë vendas me pagesë dhe të dënuar. U ndërtua e re rruga Shkodër – Vorë; u përshtat për lëvizje automjetesh rruga e qerreve Durrës – Tiranë dhe Durrës – Kavajë, si dhe rruga Kavajë – Tërbuf – Lushnjë. Paralel me këto rrugë ushtarët austriakë ndërtuan rrugën Lushnjë Berat, si dhe rrugët Shkodër – Shirokë e Shkodër – Hani i Hotit.

Për ti bërë ballë nevojave të tyre për furnizim ushtria austro-hungareze ndërtoi një rrjet dekovili (hekurudha me binarë të ngushtë 0.65 m). Vagonët e tyre tërhiqeshin nga lokomotiva që punonin me avull ose benzinë. Ky rrjet dekovili fillonte në Shkodër dhe shkonte në Lezhë dhe Shëngjin, ku ushtria shfrytëzoi portin. Prej Lezhe vazhdonte deri në Vorë, nga ku ndahej një degë për në Tiranë, ndërsa dega tjetër vazhdonte për në Durrës – Kavajë – Rrogozhinë. Prej Rrogozhine një degë vazhdonte për gjatë bregut të lumit Shkumbin, në Peqin – Papër – Elbasan deri te Ura e Labinotit; ndërsa një krah tjetër pasi kapërcente Shkumbinin në Rrogozhinë më një urë druri e trarë hekuri vazhdonte për në Lushnjë. Pasi arrinte këtu ndahej në dy drejtime; njëra përmes Myzeqesë kalonte Bishqethëm – Kolonjë – Mbrostar – Fier – Levan deri në Vjosë; ndërsa dega tjetër kalonte në Karbunarë – Barbullinjë – Ura e Kuçit – Ura e Hasan Beut dhe në Berat. Ishte ndërtuar si e veçuar dhe një vijë nga Shtërmenji i Elbasanit deri në Frashër të Sulovës.

Me qëllim për të bërë furnizim më të shpejtë të trupave gjatë kohës që ndërtoheshin rrugët, komanda austriake dha urdhër për të ndërtuar teleferike. Për këtë arsye disa javë pas pushtimit që në fillim të dhjetorit 1916 ndërtuan vijën e teleferikut nga Shëngjini – Lezhë – Vorë rreth 40 km i gjatë dhe menjëherë filluan transportin e municioneve e ushqimeve, bile dhe të trupave.

Ushtria austro-hungareze ndërtoi gjithsej 650 km rrugë, 450 km rrugë dekovili. Por më 1918 gjatë tërheqjes me luftim shkatërruan shumë ura që i patën ndërtuar më parë. Linjën e dekovilit e shkatërruan fshatarët duke i marrë shinat dhe traversat gjatë viteve 1919 – 1922, aq sa në 1925 nuk dukej më as nam as nishan.

Dekovili i ndërtuar në atë kohë qe në fakt një vepër e madhe që mund të shfrytëzohej për ndërtimin e hekurudhës Vlorë – Durrës – Shkodër. Prishja e vijës së dekovilit qe një absurd dhe një çudi e rrallë që u përsërit në ditët tona me shkatërrimin e hekurudhës Shkodër – Hani i Hotit dhe Milot – Rrëshen – Klos, të cilat ishin të përfunduar më përjashtim të aksit Rrëshen – Klos që ishte ndërtuar deri në 75 %…)

SHKARKO APP