Historia/Aleksandër Frangaj: Faji im i vetëm është se i besova Sali Berishës

Botuar me 23 Shkurt 1994 në KOHA JONE-

Intervistë e të burgosurit dhe kryeredaktorit të “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj dhënë nga burgu i Tiranës

Prej afro 1 muaji i izoluar në qeli, a e kupton Aleksandër Frangaj se përse është burgosur?
Arsyen e burgosjes sime dhe të kolegëve të mi gazetarë, unë i kam kuptuar jo tani, prej afro 1 muaj burg, por shumë kohë më parë se “brisku” të më dorëzonte fletë-arrestin. E kuptova atëherë kur demokracia, e nisur të lulëzojë aq bukur në Dhjetor 90, dha shenjat e para të një pseudodemokracie, atëherë kur themeluesit e të parës opozitë filluan të “hanë” njëri-tjetrin, atëherë kur demokracia konsiderohej e pisët për të shprehur lirshëm bindjet, idetë, zgjidhjet nga ku do të startonin se cili sipas aftësive, për të marrë përgjegjësi. Por kjo pistë startimi u kthye në një podium ku ai që ishte, (ndoshta rastësisht) në krye tha se “unë jam demokracia, i tha dhe sallës, ne jemi demokratët, ata që mendojnë ndryshe, janë komunistë, armiq, tradhtarë” dhe salla si në kohë të PPSH ju përgjigj, “jashtë armiqtë, rroftë ai që na thotë neve demokratë”. Atëherë pra, unë kuptova se po ktheheshim në vitet 60-70. Këtu kishin filluar të zezat për shqiptarët, burgosjet, internimet, vrasjet, mohimi i mendimit të kundërt, shtypja e lirisë dhe fjalës së lirë.
Më vonë e përforcova mendimin për burgosjen e mundshme, kur shteti filloi kontrollet dhe presionin për mbylljen e gazetave. Më pas u hapën çështje penale “për shpërdorim detyre” ndaj gazetarëve, e më vonë shumë gazetarë provuan gjyqet dhe burgun e Tiranës. Pra këtij regjimi (regjimit të Berishës, siç është shprehur Parlamenti Evropian) duket se fjala e lirë dhe shtypi i lirë i zënë frymën. Vetëm të paaftëve, injorantëve, të korruptuarve, hajdutëve e kriminelëve mund t’u interesojë dhunimi i shtypit të lirë. Unë jam burgosur, pra shumë kohë më parë, ndërsa arsyet i thashë më lart.
Mjaft njerëz të ndryshëm, personalitete të vendit e të huaj, organizata ndërkombëtare e juristë të njohur janë shprehur se ju dhe Martin Lekës nuk përbëni subjekt të nenit për nxjerrjen e sekretit. A e ndjeni ju veten subjekt të këtij neni?
I falënderoj përzemërsisht të gjithë personalitetet dhe organizmat që janë prononcuar dhe kanë protestuar për burgosjen tonë. Për sa i përket përgjegjësisë tonë, duhet të jesh nxënës i fillores, bile edhe këtu me formim gjysmak që të mos e kuptosh që gazetari nuk është subjekt i veprës penale të nxjerrjes së sekretit. Kjo kuptohet qartë me një të lexuar të nenit 122 i cili shprehimisht thotë: “Përhapja e informatave që përbëjnë sekret shtetëror nga persona të cilëve u janë besuar këto informata ose që për shkak të detyrës kanë mundur t’i marrin këto informata dënohet…” Pra shqip do të thotë se subjekte të këtij neni janë : a) personat që u është besuar informata, pra, që paguhen për ruajtjen dhe administrimin e tij dhe b) ata që për shkak të detyrës apo funksionit kanë mundësi t’i marrin këto informata, siç mund të jenë hetuesit tanë që shkuan dhe morën një kopje të dokumentit në Ministrinë e Mbrojtjes. Megjithëse ai ishte sekret, detyra e hetuesit e detyroi M. M. që t’i japi dokumentin. Mund të jetë daktilografistja, sekretarja e Ministrit, personi që bën shumëfishimin, deputeti, një ministër tjetër, apo personat që punojnë aty ku është apo ruhet sekreti, persona që për shkak të detyrës mund t’i marrin dhe nxjerrin sekretet. Gazetari kurrsesi nuk ka mundësi që ta marrë këtë sekret, po ashtu profesioni i tij nuk ka fuqi të detyrojë askënd për të nxjerrë sekretin nga aty ku ndodhet. Gazetari po arriti ta mësojë një sekret jo vetëm që nuk është i ndaluar ta botojë (flas i ndaluar me ligj) por nuk është i detyruar as që të tregojë burimin nga ku e ka mësuar apo marrë këtë sekret. Ligji për shtypin nuk e ndalon botimin e sekretit, po ashtu ky ligj i jep të drejtë gazetarit të mos e tregojë burimin. Pra subjektet e kësaj vepre, ligji i përcakton qartë. Por hetuesit tonë, dy kursantë, tre apo gjashtë mujorë të Durrësit, njëri nga Tropoja mbaruar shkollën për Histori dhe tjetri nga Saranda mbaruar për bujqësi apo blegtori në Institutin e Kamzës, thoshin se e keni marrë për shkak të detyrës së gazetarit, se po të mos ishit ju thoshin ata, oficerët që e nxorën sekretin nga reparti nuk do të kishin se ku ta botonin. Për të mos u zgjatur me hetuesit pasi ende nuk kanë dhënë provimet, dua të shtoj se edhe Zoti Sali Berisha, Presidenti i Republikës, në një konferencë shtypi para shumë gazetarëve pyetjes nëse mban apo jo përgjegjësi gazetari për nxjerrjen e sekretit i është përgjigjur botërisht se për nxjerrje sekreti gazetari nuk mban përgjegjësi, për sekretin përgjigjen ata që paguhen për ruajtjen e tij. Kështu pra ka deklaruar Presidenti i Republikës Sali Berisha, kuptohet, i bazuar nga ligji për sekretin, jo se e tha nga dëshira e tij që gazetarët të mos përgjigjen për nxjerrjen e sekretit. Nuk e konsideroj veten fare subjekt të këtij neni dhe aspak fajtor për atë që akuzohem. Në rast se kam bërë ndonjë faj, i vetmi që kam bërë është se i besova Sali Berishës dhe ligjit në fuqi. Në rast se ai është burrë le ta mbajë fjalën, në rast se nuk është i tillë, turpi për të do të jetë, jo për mua që i besova Presidentit.
Duke qenë se je vetëm 25 vjeç dhe nuk pate kohë ndofta të dënoheshe gjatë regjimit komunist, si e ndjen veten tani që të kanë burgosur në një shtet demokratik i akuzuar nga ligjet e Enver Hoxhës?
Së pari nuk jam aspak dakord me pyetjen. Ju thoni shtet demokratik, ndërsa unë nuk mund ta konsideroj akoma të tillë, përderisa, një qytetar, një gazetar akuzohet e mbahet i arrestuar për një veprim në profesionin e tij, të cilin ligji nuk e konsideron fajtor. Ligji, megjithëse është trashëgim i periudhës komuniste të Hoxhës, është në fuqi dhe duhet respektuar. E keqja nuk qëndron tek ligji, porse unë dhe kolegu Martin Leka akuzohemi me një nen i cili nuk na akuzon dhe nuk na konsideron fajtor. Enveri thoshte mos fol kundër partisë se të dënoj. Për këtë bëri edhe ligjin e agjitacion-propagandës. Ai që fliste dënohej me ligj. Tani thuhet flisni, fjala është e lirë, shtypi është i lirë, u miratua edhe një ligj për të drejtat dhe detyrimet e shtypit, dhe të fusin në burg me një nen që nuk ka të bëjë me shtypin, por me detyrimin e hallkave të shtetit. Ky për mua është një absurditet i kohës që jetojmë, ku përveç ligjeve, nga periudha komuniste trashëguam edhe drejtuesit, por akoma më keq mendësitë e vjetra, totalitare e bajraktarë, trashëguam luftën ndaj pluriideve, ndaj të kundërtës, trashëguam servilizmin dhe paaftësinë drejtuese, trashëguam edhe hakmarrjen mesjetare. Dhe kërkojmë e bërtasim të shkojmë në Evropë, ndërkohë kur jemi tepër larg demokracisë së vendeve më të prapambetura të Ballkanit.
Të premten, më datë 25, do të ndodhesh përballë trupit gjykues. A mundësh që tani të përfytyrosh çfarë do të ndodhë atje dhe e mendon se më pas duart do të lirohen nga hekurat për të rimarrë stilolapsin?
Do të jemi katër të pandehur. Dy oficerë të cilët e pranojnë që e kanë dërguar në adresë të redaksisë sonë urdhrin e Zhulalit, por me sa di unë nuk e pranojnë që është sekret. Do të jenë dy gazetarë të pafajshëm për atë çka akuzohen, dhe që nuk do ta pranojnë akuzën. Do të jetë një prokuror që do të mbrojë akuzën e bërë nga Zhulali apo M. M. dhe hetimet e dy kursantëve të cilët besoj se kanë bërë më shumë futboll se sa leksione mbi drejtësinë në plazhin e Durrësit. Do të jetë trupi gjykues që me sa di drejtohet nga Arben Ristani, të cilët do të japin një vendim gjithsesi të drejtë ndaj nesh. Pse të drejtë? Sepse sido që të jetë vendimi, edhe kundër nesh qoftë, unë jam i bindur se Arben Ristani do të jetë i ndërgjegjshëm për pafajësinë tonë, sepse ai nuk është kursant, por jurist me fakultet, është edhe djalë i ri pa komplekse nga e kaluara, pra nuk ka nevojë të rregullojë biografinë me gjyqin tonë, ashtu si Teodor Mosko me shokë. Për sa i përket stilolapsit, për këtë as që diskutohet se mund të na e heqë burgu. Ne jemi gazetarë dhe nga burgu do të shkruajmë përsëri. Burgu mund të të heqë nga detyra apo funksioni. Nga Ministria, nga Prokuroria apo Gjykata, por jo nga gazetaria.
Zef Brozi tha para disa ditësh se nëse ka organ më të ndershëm sot, ato janë organet e drejtësisë. A beson Frangaj në ndershmërinë e drejtësisë së tyre?
Deklarata e Brozit, kam mendimin që më tepër se realitet, shpreh dëshirën e tij për ndershmërinë e këtyre organeve. Dëshira e Brozit duhet marrë në konsideratë, ashtu sikurse duhen vlerësuar kritikat e tij në drejtim të Qeverisë, për indiferentizmin e saj ndaj pushtetit gjyqësor. Ndërsa deklarata e tij për ndershmërinë e këtyre organeve nuk mund të jetë e vërtetë ashtu sikurse nuk mund të jetë e vërtetë ose nuk mund të vërtetohet e kundërta, pra që ato janë të korruptuara. Brozi mund të deklarojë për ndershmërinë e tij, e shumta edhe për ndonjë shok të ngushtë të tij. Por për të gjithë punonjësit e drejtësisë është e pamundur të thuash se janë të ndershëm pasi Brozi nuk i njeh e nuk i kontrollon dot të gjithë.
A besoj unë tek kjo ndershmëri? Personalisht deri tani kam zhvilluar dy gjyqe. Një në Lezhë e një në Shkodër. Në të parin për “Përhapje informatash të rreme që ngjallin panik”, prokurori tërhoqi akuzën, pasi lajmi ynë ishte i vërtetë, lajm të cilin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në të dytin për “Nxjerrje sekreti shtetëror”, gjyqtari duke ditur ta lexojë mirë nenin 122, nuk e pati të vështirë dhe nuk u vonua shumë për të dhënë përfundimin në favorin tim. Pra personalisht nga drejtësia deri tani nuk jam i zhgënjyer. Edhe tani, për të tretën herë, akuzohem përsëri për nenin 122, pra sekretin. Neni nuk ka ndryshuar. Të shohim vendimin e kësaj radhe, kam dëshirë që të mos e prish imazhin e mirë personal që kam për gjykatën, por siç e thashë nuk do më duket i habitshëm një vendim kundër meje.
Duke qenë në qeli keni pasur kohë të mendoni, të arsyetoni qoftë edhe surealisht, a arrini të kuptoni dhënien e pafajësisë një të pafajshmi?
Mendoj se është më e vështirë të japësh fajësinë se sa pafajësinë. Para disa ditësh u lirua një djalë, pasi gjykata e shpalli të pafajshëm. Të gjithë në burg ata që edhe vetë e konsideronin veten jo fajtorë, morën një sinjal shprese. Gjykata edhe liron, edhe jep pafajësinë. Kjo është normale. Desha të shtoj diçka për akuzën tonë. Përveç nenit 122 i cili nuk na bën dot subjekte të tij, unë dhe kolegu Martin Leka akuzohemi për nenin 13, atë të bashkëpunimit, po ashtu edhe dy oficerët që kanë dërguar urdhrin e Zhulalit. Duhet thënë se unë e Martin Leka nuk jemi takuar fare me ta. Unë as tani nuk i njoh si fytyra, përveç emrave të tyre që i kam lexuar në dosjen hetimore. Edhe oficerët, sipas dosjes kanë pohuar se nuk jemi takuar e parë ndonjëherë dhe se urdhrin e kanë dërguar me zarf. Para se të mbylleshin hetimet i thashë hetuesit nga Tropoja: “Me kë kam bashkëpunuar, unë as i njoh as më njohin oficerët”? Hetuesi i kursit mu përgjigj si i zënë ngushtë: “Ne nuk të akuzojmë se ke bashkëpunuar me oficerët por me Martin Lekën”. Je në vete i thashë, gazetari Martin Leka është punonjës i imi dhe ka për detyrë që çdo ditë të më sjellë në zyrë shkrimet dhe informacionet që siguron për gazetën. Për këtë paguhet ai dhe gazetarët e tjerë. Si mund të quhemi bashkëpunëtor unë me Martinin, që punën tonë e kryejmë në përputhje me ligjin dhe rregullat e shtypit. Pra në redaksi erdhi një urdhër i Ministrit me firmë e me vulë. Martini bëri një shkrim informativ si gazetar. Shkrimi u botua së bashku me një fragment të urdhrit, praktikë e njohur kjo, për ta bërë më të besueshëm shkrimin tek lexuesi ashtu siç boton RD firmat e Fatos Nanos mes shkrimeve të Edi Palokës. Ky pra është bashkëpunimi normal i ligjshëm, mbi të cilin punon i gjithë shtypi i vendit dhe i huaj. Unë nuk e kuptoj se për çfarë bashkëpunimi të paligjshëm na akuzojnë hetuesit e kursit, pasi edhe në hetime nuk kanë pyetur për këtë problem dhe as në akt-akuzë nuk ka asnjë shpjegim apo provë përveçse thuhet se nxjerrja e sekretit është bërë në bashkëpunim nga të pandehurit. Të shohim kush ka bashkëpunuar për nxjerrjen e sekretit nga Ministria e Mbrojtjes apo nga reparti N. Unë e Martini punojmë në gazetë dhe paguhemi për të bërë gazetën. Unë nuk e di që shteti na jep rrogë për t’i ruajtur sekretet e Zhulalit, të paktën për vete jo. Në rast se Martini paguhet nga Zhulali fshehtas, apo atij i është ngarkuar ndonjë detyrë që mund të marrë sekrete, unë nuk e di. Mund ta ketë bërë Martini në bashkëpunim me Zhulalin, me kokën e tyre pa më pyetur mua!

SHKARKO APP