Historia/Analizë brilante e Kiço Blushit: Varrmihësit e demokracisë janë skifterët e djeshëm dhe të sotëm partiakë

Nga Kiço Blushi ( botuar në gazetën KOHA JONE me 3 mars 1993)

Harta politike e Shqipërisë tashmë ngjan e përplotësuar. Jo vetëm pse janë formuar gati 30 parti por edhe pse gjithnjë e më shpesh dëgjohet përcaktimi konfigurativ klasik: i majtë, i djathtë, qendra, qendra e djathtë, e majtë, ekstrem i djathtë, ekstrem i majtë, radikal etj. Partitë e traditës, Balli e Legaliteti, janë brenda skenës së teatrit politik shqiptar. Piramida shtetërore po zbrazet e po rimbushet me besnikë, simpatizantë, anët arë dhe sidomos me skifterë partiakë. Në tërë këtë tollovi të përndezur, në këtë lëvizje e transformim themelor, më të suksesshmit, më gojëtarët dhe më potentët janë padyshim skifterët partiakë, – ata që quheshin dje të deklasuar, e sidomos ata që kanë qenë skifterë edhe dje: ish-komunistët. Ndërrimi i ngjyrës së pendëve e bëka gjuetinë e skifterëve më të suksesshme. Dhe më të paprinciptë. Nuk besoj se bëj ndonjë gabim po të konstatoj se ish-komunistët janë shpërndarë pothuaj në të gjitha lozhat kryesore të partive shqiptare. Nuk besoj se fyej ndokënd po të them se skifterët ish-komunistë janë politikisht e taktikisht më të aftë, më të rafinuar e më të sprovuar se amatorët dhe dilentatët që nuk kanë kaluar nëpër llogoret e organizatës bazë, nëpër kulisat dhe prapaskenat e luftës së klaneve, të servilizmit dhe të vetëshkatërrimit të dinjitetit për të mbijetuar në hierarkinë komuniste. Njerëzit e thjeshtë gabohen në gjykimet për ta, pasi i besojnë terminologjisë së ndërruar politike të skifterëve, ndaj këta ngjajnë më antikomunistë se antikomunistët. Ende nuk kuptohet se ndërrimi i fjalorit politik është për ta më i kollajshëm se ndërrimi i kostumit. Çështja shtrohet : a ka ndryshuar mendësia? A ka rënë Shqipëria, siç patën paralajmëruar, në anarki kombëtare? Po të ish ndërruar mendësia, reforma nuk do të realizohej e konceptohej si “qarkullim”,  si “vajtje në bazë”, si “luftë kundër burokracisë”ose si largim i besnikëve të dyshimtë dhe zëvendësim i tyre me besnikë të verbër, por do të kryhej reformë institucionale dhe në drejtim do të kishin ardhur, paskëtaj vetvetiu, më të aftët. Armiqtë e anarkisë, – ligji e shteti juridik nuk do të ngjanin si foshnja të pafajshme. Nuk do të përthithej reforma si luftë klanesh, nuk do të na sundonte dot krahinalizmi, tarafllëku, grupazhi dhe mediokriteti i politikanëve dhe i shtetarëve. Nuk do të quhej oponenti dhe opozitari, armik. Ekstremizmi nuk do të hapte llogore të reja në shpirtin e në mendjen tonë për të sulmuar e për t’u vetëmbrojtur. Nuk do të quhej pasuria kombëtare pronë e askujt, (siç quhej në socializëm) e të shkatërroheshin kësisoj shkollat, spitalet, fabrikat, kanalet ujitëse, stallat, pyjet etj. – Sipas parimit: a jam vetë në rregull? A kam futur gjë për vete e familjen time në xhep? A më ka me sy të mirë partia që ka pushtetin? Shqipëria nuk do të konceptohej më si mall e pronë partie. Anëtarësimi në parti nuk do të jepte më certifikatë virtyti edhe kur je i ligë. As administrata shtetërore, as institucionet, as intelektualët s’do të vlerësoheshin sipas shkallës së militantizmit partiak. Shqiptarët nuk do të ishin bërë robër të hakmarrjes, të psikologjisë së larjes së hesapeve, të përçarjes dhe të vetëshkatërrimit që sjell prishja e ekuilibrit të individit me kombin dhe me shtetin e vet. Me pronën dhe moralin kombëtar. Dhe me vetveten: njeriu i ndershëm s’do kish frikë nga e djeshmja e vet. Puna më në fund do të quhej pasuri vetjake, por edhe kombëtare, kështu që s’do ta kishin shitur veten kaq lirë. Ndihmat dhe lëmoshat nuk do të na gërryenin dinjitetin. Nuk do të ngatërrohej dot krimineli me viktimën, i pafajshmi nuk do të vuante kot së koti nga “kompleksi i fajit kolektiv”. Shqipëria nuk do të kish kaq shumë “shenjtorë” që vetëm se shajnë natë e ditë sigurojnë parajsën dhe po aq përdhunues, dhunues dhe hajdutë ordinerë që bëjnë ligjin nëpër rrugë, ashtu siç bëjnë ligjet disa nga parlamentarët tanë. Nuk do të ish zëvendësuar lufta e klasave me një luftë të re klasash. Populli nuk do të ndahej më dysh: në fitimtarë e në të mundur. Nuk do të kishim më frikë nga bisedat telefonike e nuk do të ringjallej frika “e tavllave të duhanit” ku servireshin mikrofonat e fshehtë. Nuk do të ndërrohej biseda sa të afrohej ndonjë skifter partiak, të cilin e dimë kujt i shërben dhe ku do t’i çojë fjalët e “qëndrimet tona të dyshimta”… Shqiptarët do ta kishin braktisur përfundimisht nga fytyra e tyre maskën e buzëqeshjes së shtirë kur takohen me ndonjë shtetar, deputet, udhëheqës, inspektor apo operativ që ka ose s’ka diçka në dorë… Sigurisht që është e kollajshme dhe komode të rrish mënjanë e të bësh vërejtje. Pas konstatimeve të mësipërme domosdo vjen pyetja: pse ne, shqiptarët, i paguajmë ndryshimet historike me humbje e me dhimbje, duke mbetur pothuaj gjithmonë debitorë të pashpresë ndaj së sotmes e sidomos ndaj së ardhmes së kombit? Mos vallë ne, si popull, jemi të destinuar të përkëdhelemi më tepër nga fataliteti historik, sesa nga fati e shanset e favorshme historike? Mos vallë nuk është edhe aq e rastit që në krye të sofrës tradicionalisht ne kemi pasur udhëheq mediokër, bajraktarë, egoistë, satrapë e orientalë të vetëdehur e të paaftë për të dalluar interesin kombëtar, nga interesat e tyre vetjake. Duke përjashtuar argumentin e fatalitetit historik, nuk mund të mos hamendësojmë se vetë ne e parapërgatitim dhe i kemi hapur udhë fatalitetit dhe dështimeve tona sidomos në momentet më kyçe të historisë sonë. Shkaqet padyshim janë të shumta e komplekse. Pa pretenduar e synuar të rendis të gjitha shkaqet, aq më pak të provoj se këto që them unë janë të padiskutueshme, le të lejohem të parashtroj vetëm disa prej tyre.

Shqiptari vihet kollaj e me zell të madh kundër shqiptarit, ndoshta më kollaj se ndaj të huajit, mjaft që t’i preket sadopak interesi, t’i lëndohet ose t’i përkëdhelet sedra. Më kollaj mund të bëhemi mercenarë, se ushtarë. Më me zell punojmë për të huajin, se për veten tonë. Më shpejt e më me qejf prishim, se ndërtojmë.  Më lehtë ndahemi se bashkohemi…

Mbijetesa e sforcuar nën diktaturë na i ka përvijuar edhe më këto veti që duket se burojnë edhe nga e kaluara jonë, pasi shqiptari nuk ka pasur lidhje të qëndrueshme me pronën, me komunitetin dhe me shtetin e vet. Shpronësimi absolut që i bëri komunizmi shqiptarit, ia thelloi këto cilësi, duke e bërë krejtësisht të pasigurt e mosbesues ndaj vlerës së pronës kombëtare, ndaj energjisë së vet fizike e mendore e sidomos ndaj vlerave morale, të cilat u kthyen në armiq të ekzistencës së vet. Ne jetojmë e mendojmë ende si fshatarë të shpronësuar se sa si qytetarë të lirë. Kjo psikologji fshatarake sjell vetvetiu edhe mosbesim, paqëndrueshmëri e armiqësi (në dukje pa shkak) me njëri-tjetrin. Kodet e qytetarisë janë të huaja e larg edhe për ata që drejtojnë shoqërinë. Shumë njerëz justifikohen e justifikojnë hapur mëkatet e tyre duke thënë: sa të qaj nëna ime, le të qajë e jotja. Në politikë ky lloj morali sjell vetvetiu amoralitet akoma më të skajshëm. Shteti, pushteti, partia, vendi i punës, bashkëjetesa, familja e miqësia, kthehen kësisoj në terren grindjesh, pabesish, klanesh, sulmesh, prapaskenash, spiunllëqesh, tarafesh… Më të suksesshmit mbeten në qiellin tonë skifterët e zbritur nga malet e nga shpellat që bëjnë kërdinë mbi gjallesat “e paarmatosura” që venë e vijnë poshtë e që janë të destinuar të mbeten pre e tyre; turma mund të ndihet disi e qetë vetëm kur skifterët zënë e përleshen mes tyre. Pasiguria e mbijetesës përcakton psikikën dhe veprimet tona. Të mendosh ndryshe do të thotë të kryesh një akt armiqësor. Për t’u bindur se sa të vërteta janë këto, vini re si zihen e përzihen mes tyre ish-komunistët me ish-komunistët, demokratët me ish-demokratët, të përndjekurit politikë me të përndjekurit politikë, sindikalistët me sindikalistët… Edhe nëpër kryesitë e komuniteteve fetare çuditërisht ka sherre. Kjo lloj lufte që gabimisht quhet politikë, nuk mund të jetë politikë, pasi lufta e vërtetë politike, është luftë alternativash e jo luftë skifterësh. Aleancat mes bajraktarëve asnjëherë nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe as të ndërbesueshme. Lufta brenda llojit te ne nuk ka sjellë seleksionim natyror, çka do të thotë: fiton më i afti, më i forti, më i zoti; kjo do të ish në dobi të shoqërisë shqiptare, por çuditërisht ne na ndodh e kundërta; pykat mbeten përherë zotë të pushtetit, të shtetit dhe të politikës, sepse ata e çajnë udhën e suksesit nëpërmjet forcës së klanit ose të fisit domethënë të skifterëve që dinë ta terrorizojnë e të vënë nën vete të gjithë mjedisin shqiptar e sidomos të aftët e njerëzit e ndershëm. Këtë lloj drejtimi ne e quajmë shtet. Skifterët e sotëm të politikës (kuptojmë bajraktarët shqiptarë të veshur me kostum evropian)  nuk i lënë as partitë të jenë të përcaktuara qartë që të formohet kësisoj spektri politik me ngjyra të dallueshme e të ndara. Sidomos skifterët ish-komunistë, pasi zunë bashin e vendit nëpër parti për të dhënë prova besnikërie e devotshmërie para skifterëve, që kanë tjetër prejardhje klasore, bëhen më agresivët, më të papërmbajturit e më amoralët duke ndyrë, përbaltur e shkatërruar tërë moralin e shoqërisë shqiptare. Opinioni publik trajtohet si plastelinë prej të vetëshpallurve përfaqësues legjitimë të popullit. Sot Shqipëria drejtohet nga një amalgamë e çuditshme, e ngjizur jashtë çdo formule e logjike politike e që mund të përkufizohet si aleancë mes skifterëve ish-komunistë me skifterët ish të përndjekur. Kjo “klasë” e re politike, që siç po shihet ka zotëruar mjedisin politik shqiptar, ushqehet nga inferioritetet e ndërsjella. Të parët, ish-komunistët e tjetërsuar, vuajnë nga kompleksi i fajit që buron nga e kaluara e tyre, ndërsa të dytët, të plakur e të dërmuar edhe fizikisht nga burgimet e internimet çnjerëzore, si dhe të privuar nga jeta e gjallë sociale, politike e kulturore, ndihen inferiorë përballë elokuencës dhe shkëlqimit të ish-komunistëve nëpër podiume politike e nëpër gazeta…

Mirëpo dihet që në politikë inferioriteti dhe kompleksi i fajit, kur për t’u fshehur zëvendësohen me agresivitet, sjellin vetëm dhunë e kurrsesi një jetë demokratike.

Është “meritë” e kësaj amalgame që partive në Shqipëri u është thyer, që në fillesë, boshti kurrizor. Po të vesh re me vëmendje, teksa hiqen e u pëlqen të ngjajnë të djathtë, disa parti e sidomos udhëheqësit e tyre bëjnë veprime të majta. Atyre ua ka ënda të kapin qendrën, prej frikës se mos akuzohen aleatë të këtij apo atij krahu, mbeten rëndom pa qëndrim të tyre, duke bërë pirueta në trarin e ekuilibrit. Ata që janë deklaruar të majtë, për hir të deskriditimit që pësoi e majta te ne,  hakaten jo rrallë të dëshmojnë se nuk kanë lidhje me të kaluarën e gjenden padashur në pozicionin e së djathtës… ky mishmash, ky karosel politik, kjo mungesë vizionesh e pozicionesh të përcaktuara qartë, si dhe dominimi total i amalgamës së mësipërme në Parlament e në strukturat shtetërore sjell konfuzion e çoroditje, paqëndrueshmëri e desekuilibër, tension e pasiguri, anarki pikëpamjesh dhe luftë klanesh. Kjo trysni ndikon për keq sidomos te njeriu i thjeshtë, tek ai që ka në dorë armën e votës, e që nuk e di e as që do t’ia dijë kuptimin fjalëve: e majtë, e djathtë, qendër etj. por që intuitivisht e saktësisht e kupton se, ndryshe, kësaj i thonë: prostitucion politik. Është në natyrën e bajraktarëve shqiptarë që luftën politike ta konceptojnë si luftë mes individësh armiq. Është ky prostitucion politik që e stimulon, e nxit, e përndez dhe e bën zotërues psikologjinë e armiqësisë së shqiptarit me shqiptarin. Baballarët e anarkisë shqiptare kanë qenë e janë bajraktarët. Shpresë për të shpëtuar nga ky rrezik që përjashton perspektivën demokratike është mundësia që amalgama e mësipërme, duke qenë e krijuar artificialisht e jashtë formulave të natyrshme, të prishet nga lëvizjet e brendshme centrifugale, nga kundërshtitë e interesave e synimeve, nga ethet për pushtet e nga dyshimet e natyrshme për njëri-tjetrin. Shqipëria do të qetohet e do t’i nënshtrohet një jete normale pluraliste kur të krijohen struktura më të pastra e më homogjene politike e partiake. Keq e tepër vonë do të jetë sikur kjo orë e lume të vijë pasi të kenë humbur shanset e mëkëmbjes ekonomike, kur Shqipërisë t’i ketë mbetur vetëm emri, kur të jetë harxhuar nga propaganda tërë arsenali i luftës me të kaluarën e kur alternativat e arsyeshme të ngjajnë të pabesueshme, pasi të jenë njollosur të gjithë.

Ndoshta jemi në prag të kësaj katastrofe. Diktatura po merr hak duke na përdarë e armiqësuar. Potencialet njerëzore e ekonomike të vendit u bënë ushqim i anarkisë kombëtare. Ne jemi ende robër recidivë të diktaturës, të gabimeve e fajeve që janë bërë e që po mbeten, siç thotë populli, jetim. Hë për hë, amalgamën tonë politike e mban në “unitet” qëndrimi i njëjtë i të dy palëve ndaj së kaluarës. Skifterët ish-komunistë janë armiqtë më të betuar e më të papajtueshëm të saj sepse ata japin kështu “provën e virgjërisë”; ish të përndjekurit, të zotëruar me të drejtë nga ndjenjat e urrejtjes për padrejtësitë që u janë bërë, kërkojnë të rivendoset drejtësia ndaj tyre. Të dy palët vështrojnë prapa e “harrojnë” të shohin sot, le më pastaj nesër. Duke qenë se kjo klasë politike sot drejton gjithë jetën e vendit, kuptohet se ç’dobi mund të ketë një politikë e orientuar me sytë nga e djeshmja. Një sociolog i njohur ka thënë se udha e çdo kombi i ngjan një vije vertikale: disa popuj shohin nga e nesërmja, dhe ato ngjiten lart vijës, të tjerë janë të prirë të shohin prapa, e kjo udhë i zbret poshtë… Në përgjithësi popujt e Ballkanit, për shkaqe historike, etno-psikologjike, ekonomike e sidomos të një bashkëjetese të stërzgjatur me bizantin e me pushtetin osman që lanë pas grindje e mosmarrëveshje tashmë të kalcifikuara nacionale, intolerancë fetare dhe një shpirt të dyzuar, – janë të prirë të shohin prapa e të ndërtojnë të ardhmen e tyre në rrënojat e kalave, të bedenave e të trashëgimisë së tyre konservative. Edhe Ballkani i sotëm është dëshmi e kësaj trashëgimie. Po në fund të shekullit të kaluar filluan të shkëputen nga tundimi e trysnitë e së kaluarës së tyre, duke bërë të vetat vlerat universale të Kartës së Parisit vështrojnë vetëm përpara. Ata ecin kështu nën shembullin e kombit amerikan, i cili objektivisht nuk ka lidhje e rrënjë të lashta me të kaluarën e vet e që për këtë arsye e ka pasur më të lehtë të bëjë të vetën atë që quhet pragmatizëm amerikan, që do të thotë: politikë e mençur dhe e pranueshme është vetëm ajo që vështron për nga e nesërmja dhe i leverdis asaj. Rol vendimtar për krijimin e një filozofie të tillë kanë luajtur udhëheqësit e SHBA e sidomos Presidenti Abraham Linkoln, i cili jo vetëm që ndikoi për fitoren e Veriut ndaj Jugut skllavopronar duke i dhënë fund luftës së përgjakshme civile, por – edhe kjo është më kryesorja, – nuk lejoi që populli të tërhiqej zvarrë nga pasojat e së djeshmes së hidhur nëpërmjet hakmarrjes masive të fitimtarit ndaj të mundurit, të larjes së hesapeve, të përçarjes kombëtare dhe krijimit të një getoje psikologjike për fajtorët me faj me pa faj të Jugut. Linkolni e dinte se hakmarrja pjell vetëm hakmarrje dhe heqja e skllavërisë si dhe mbarimi i luftës civile do të paguhej kësisoj duke lënë peng te e djeshmja e hidhur ardhmërinë e një populli të tërë, gjë që do të kushtonte më shtrenjtë e më rëndë edhe se vetë lufta civile. Rezultatet e një politike të tillë spastrimesh dhe eliminimesh me siguri që do të ndiheshin edhe sot, pasi brezat përcjellin më kollaj, trashëgiminë e urrejtjes së gjakut. Po qe se SHBA do të kish rënë në një politikë të zotëruar nga thundrat e së kaluarës, nuk do të ish kjo që është sot: ajo, në një farë mënyre, herët ose vonë do t’i ngjante ish-BS dhe ish-Jugosllavisë. Edhe “lufta”mes dy Gjermanive përfundoi në dobi të Perëndimores veç të tjerave edhe për arsye se ajo iu nënshtrua një politike pragmatiste, kurse Lindorja një politike ideologjike. Ndërsa Gj. F. nuk u bë rob i së kaluarës hitleriane e nuk e paralizoi fuqinë e vet njerëzore me gjyqin e pafund të biografive e të luftës së klasave, pra nuk ia nënshtroi të sotmen e të nesërmen absurditeteve të së djeshmes, kurse Gj. L. vazhdon ta paguajë edhe sot gabimin fatal që bëri komunizmi, i cili tre segmentet kohore: dje, sot, nesër i vuri nën sundimin absolut të ideologjisë dhe së kaluarës së vet “të lavdishme”. Edhe politika e sotme shqiptare për fat të keq po bën të njëjtën gabim fatal, ndonëse në dukje në sens të kundërt. Këta politikanë nuk janë as të aftë e duket se nuk kanë as dëshirë e as mundësi të shkëputen nga një politikë që shikon kryesisht prapa. I vetmi kompensim, investim që i bëjnë viktimat dhe pjellat e diktaturës së sotmes e të nesërmes është amplifikimi i nacionalizmit. Me këtë patos nacionalist, ata kujtojnë se lajnë borxhin historik ndaj kombit. Por nacionalizmi i tyre përdoret si armë agresive që realisht e konkretisht e jo vetëm moralisht nga kombet kombësitë dhe njerëzit. Nacionalizmi i skifterëve ish-komunistë e çetnikë jo vetëm në ish-Jugosllavi, por në mbarë Lindjen, është e vetmja rrugë që u mbetet ish-komunistëve të tjetërsuar që të mbeten në pushtet. Historia jonë për fat të keq dëshmon se bajraktarët “nacionalistë” shqiptarë janë kënaqur pasi kanë realizuar pushtetin vetjak në fshatin, qytetin, ose krahinën e tyre. Duke qenë bij të Ali Pashë Tepelenës, ata nuk mund të kishin vizione kombëtare. Në zjarrin e luftërave nacionale ata bëhen “heronj” të vërtetë, shpëlajnë përfundimisht e përjetësisht ndërgjegjen, duke u vetëpagëzuar në altarin kombëtar si atdhetarë të flaktë. Ashtu si kanë vepruar në kohë paqeje e brenda kombit të vet, duke i armiqësuar e kundërvënë bashkatdhetarët kundër njëri-tjetrit me anë të terrorit të biografive e të luftës së klasave po në të njëjtën mënyrë hapin biografitë e popujve për t’i kundërvënë e futur në luftë me njëri-tjetrin. Kësisoj me armët e së djeshmes së largët, ata duan të zgjidhin problemet e sotme e të nesërme.  E kjo bëhet pasi politika e tyre aktuale e ka përçarë popullin e vet, kur vendasi me vendasin, fqinji me fqinjin, atdhetari me atdhetarin, shihen armiq të papajtueshëm. Asnjëherë nuk ka ndodhur e s’mund të ndodhë që një luftë nacionale të fitohet vetëm me evokimin propagandistik të historisë së largët. Po qe se politika aktuale nuk ka mundur të bashkojë popullin rreth një alternative konkrete, po qe se politika sociale bie në kundërshtim me ndjenjat nacionale, po qe se atdhedashuria mbetet një relikte muzeale e njerëzit që do të përballojnë luftën e sakrificat nuk e shohin qartë e bindshëm perspektivën e kombit me ndihmën e një politike pragmatiste që shikon me realizëm aktualitetin e orientohet nga e nesërmja. Por skifterët partiakë, ashtu si nacional-socialistët perëndimorë (fashistët e nazistët) dhe komunistët e ish-komunistët lindorë, janë të paaftë të kenë vizione të tilla. Dështimi i tyre nuk është ngushëllim, pasi ai përcillet me trauma e tragjedi kombëtare. Ky dështim vret demokracinë dhe e largon të nesërmen, ose më mirë të themi, e bën të nesërmen një shëmbëlltyrë të keqe të së kaluarës. Skifterët partiakë janë të prirë e të destinuar ta lenë të sotmen e të ardhmen popujve të tyre, robinjë të së djeshmes. Tek ata popuj që përjetuan sistemin komunist është dominant sundimi i krerëve të tillë, tragjedia e fatkeqësitë janë më të mëdha. Sa për ilustrim, shihni Serbinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik… Po tek ne? Ka ardhur koha që ne, që e kemi të lidhur fatin tonë pazgjidhshmërisht me Shqipërinë, t’i përgjigjemi vetë kësaj pyetjeje./ Kiço Blushi/

(botuar me 3 Mars 1993)

SHKARKO APP