Historia/Andi Bushati: A do ta ruajë Nano vendin e Kryetarit të PS?

(Botuar me 9 Prill 1994 në KOHA JONE)
Nga Andi Bushati-

A do ta ruajë Nano vendin e Kryetarit të PS?

Vendimi i fundit i Gjykatës së Tiranës, e cila e dënoi me 12 vjet burg ish Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste duket se e mbylli fazën e parë të një cikli që shumëkush e quan ende të hapur. Tani për këdo është e qartë se për një kohë jo të shkurtër Nano do të jetë pjesëtar i “qytetit të të burgosurve”, duke lënë pas në qytetet tona të lira, jo vetëm hijen e tij, por edhe marramendjen e kundërshtarëve dhe simpatizantëve që do të vazhdojnë ta etiketojnë me të njëjtat epitete të njohura. Peshorja e sapobalancuar e drejtësisë shqiptare, e cila këtë radhë anoi dukshëm nga ana e kundërshtarëve të liderit socialist, dhe që de jure dha një zgjidhje për “çështjen e vitit” më tepër se një afirmim shtroi një pyetje të re përballë partisë më të madhe të opozitës. A do ta ruajë Nano vendin e Kryetarit të PS? Në deklaratën e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të socialistëve, të dhënë për shtypin me rastin e dënimit të Nanos nuk thuhet asgjë për këtë. Në fakt socialistët afirmojnë të bindur se “gjyqi është i montuar, politik, përpjekje për të larguar nga skena Fatos Nanon etj.”. Ata afirmojnë gjithashtu me forcë dhe “solidarizimin dhe mbështetjen e plotë” me të. Por në deklaratën e tyre, të ribotuar edhe nga “Zëri i Popullit” nuk gjen asnjë sinjal se si do të veprojnë ata më pas me kryetarin e tyre. Pavarësisht se si e konsiderojnë socialistët gjykimin e “çështjes Nano”ekziston një fakt real dhe që duhet pasur parasysh: edhe për shumë kohë ish-Kryeministri do të mungojë në drejtimin e përditshëm të partisë së vet. E nëse ky përbën një problem ai kurrsesi nuk mund të kalohet në heshtje. Mosprononcimi i socialistëve në deklaratë, mund të shpjegohet vetëm me dy mënyra; ose për ta nuk shtrohet fare problemi i zëvendësimit të kryetarit, ose ky është një çast maturie i gjykuar prej tyre si i parakohshëm për tu prononcuar mbi çështjen në fjalë. Në fakt në konferencën për shtyp që i paspriu deklaratës së KPD të PS të dy zëvendësit e Nanos u treguan më transparent për këtë problem. “Fatos Nano nuk është në konflikt me partinë e tij – tha z. Servet Pëllumbi i cili shtoi se PS është larg mënyrave të centralizuara të drejtimit dhe se janë shokët e Nanos që kanë marrë përsipër edhe punët e tij. Po ashtu z. Pëllumbi shtoi se nga ana organizative; ky është një problem që i takon Kongresit të Partisë i cili tani për tani i ka dhënë një mandat 4-vjeçar kryetarit të saj. Në këtë frymë ishte edhe deklarata e zotit Dokle i cili hodhi poshtë çdo “simbolike perspektive” lidhur me paraqitjen në presidiumin e radhës të dy prej figurave kryesore të PS. Nga ç’është vënë re deri tani ka një pikë ku socialistët janë të vendosur dhe nuk bëjnë lëshime. Që në momentin e paraqitjes së raportit të komisionit të kontrollit të shtetit ata janë treguar kompaktë dhe fanatikë në mbrojtjen e kryetarit të tyre. Kanë bërë të gjitha përpjekjet si pranë elektoratit, ashtu edhe pranë institucioneve ndërkombëtare për të ruajtur figurën e Fatos Nanos. Është edhe si rezultat i këtij aktiviteti disamujor, i cili ka rritur mjaft autoritetin e Nanos te ndjekësit e vet që për socialistët bëhet gjithnjë e më i vështirë propozimi i një figure alternative, që në sytë e elektoratit do të kishte peshën dhe autoritetin e kryetarit aktual. Por dënimi afatgjatë i Nanos, kërkesa për zgjedhje të reja, ku mungesa reale e numrit mund t’i penalizonte socialistët si dhe vështirësitë që mund të krijojë udhëheqja me rotacion mund t’i çojë ata në rishqyrtimin e problemit të mësipërm. Padyshim ai do të jetë i lidhur edhe me zhvillimet e reja të çështjes Nano si dhe me problemet e brendshme të PS që tani për tani ruan statusin e partisë me kryetar të burgosur.
Andi Bushati

SHKARKO APP