Historia/ Azem Hajdari: Shqipëria në udhëkryq

(Botuar në gazetën KOHA JONE, me 6 Mars 1993)

Nga Azem Hajdari

Për mendimin tim Shqipëria ende nuk ka dalë nga udhëkryqi ku e la komunizmi, pavarësisht nga përpjekjet e pashtershme të të gjithë shqiptarëve dhe pavarësisht nga një varg zhvillimesh që janë kryer. Pse e them këtë?

Së pari, sepse Shqipëria ende nuk ka Kushtetutën e saj që është garancia kryesore për mbarëvajtjen e një vendi në përgjithësi, e aq më tepër të një vendi që lufton për vendosjen e një demokracie të vërtetë. Si pasojë, është prerë mundësia për konceptimin e një legjislacioni komplet të ri nga ku do të buronte kodi penal, statusi i institucioneve dhe kompetencat prej saj. P.sh: Kodi Civil, e individëve, drejtorive etj.

Së dyti, ikja nga arbitrariteti e urdhri dhe dalja në një shtet ligjor, ai që quhet ndryshe tranzicion, është shoqëruar dhe po shoqërohet me një boshllëk tepër të madh ligjor. Mendoj se kjo mungesë përveç të tjerave, ka penguar në një masë të madhe edhe ndarjen e pushteteve. Pavarësinë dhe koordinimin e tyre, njëkohësisht edhe zbatimin e reformës dhe të ndërtimit të sistemit të ri për të cilin janë shprehur pjesa më e madhe e popullit dhe e forcave politike. Kjo shpjegon edhe një rënie të kredibilitetit të Parlamentit, çka është e papranueshme për një Republikë Parlamentare. Unë mendoj se ka ardhur koha të zgjidhim atë çka është kryesore: Kushtetutën. Për këtë propozoj t’i jepet Qeverisë një kohë e përcaktuar (3-5 muaj) për të qeverisur vendin dhe ndërkohë gjithë potenciali parlamentar t’i kushtohet Kushtetutës. Ndërkaq është e mundshme që kontrolli i dekretligjeve dhe i zbatimit të tyre t’u besohet komisioneve përkatëse të Parlamentit  dhe kryesisë së tij. Parlamenti duhet të mësohet që për probleme të posaçme të vendosë veton, një e drejtë të cilën momentalisht, padrejtësisht e ka Gjykata Kushtetuese. ( Shembulli me S. Stafën etj.)

Së treti, ka shenja që persona dhe grupe të caktuara përpiqen ta manipulojnë dhe ta vendosin me presion Parlamentin nën pushtetin e tyre. Gjë e cila është vënë re në disa raste edhe në hartimin e gabuar të projektligjeve, punë e cila është bërë nëpërmjet rikthimit. Të gjitha këto janë rudimente të asaj të kaluare kur Parlamenti kishte atë vlerë që donte diktatura. Duhen krijuar pra kushtet për një punë normale të Parlamentit. Është kjo në radhë të parë detyrë e vetë Parlamentit i cili duhet të ushtrojë pa mëdyshje pushtetin e tij legjitim.

Së katërti, mungon iniciativa e politikanëve. Vihet re shterimi i ideve të reja për ardhmërinë e vendit, aq sa të krijohet ideja se kemi rënë në një rreth vicioz.

Së pesti, vihet re se ka rënë autoriteti i administratës shtetërore. Veçanërisht e ndjeshme kjo është në bazë, ku pushteti lokal ndihet i pafuqishëm.

Së gjashti, mungon dialogu i hapur i politikanëve me popullin. Ngrihen akuza dhe mbeten pa përgjigje.

Së shtati, gogoli i korrupsionit ka prerë iniciativën dhe ka rritur frikën.

Së teti, mungojnë planet për investimet.

Së nënti, vihet re një shmangie nga përgjegjësitë e atyre që e filluan revolucionin demokratik, pra i të rinjve. Nuk janë të pakta rastet e denigrimit të qëllimshëm të tyre.

Së dhjeti, pushteti gjyqësor duhet ta ndjejë veten si një pushtet i rëndësishëm dhe me të vërtet i pavarur. Ai nuk duhet të pranojë kurrsesi të përpunohet politikisht.

Së njëmbëdhjeti, një grup politikanësh duket se po lind dhe fuqizohet jashtë parashikimeve.

Së dymbëdhjeti, pretendojmë të ndërtojmë kapitalizmin dhe nuk stimulohen kapitalistët e rinj shqiptarë.

Së trembëdhjeti, ka hyrë një përçarje e padëshiruar mes forcave antikomuniste, e cila i shërben vetëm një gjëje, fuqizimit edhe një herë të komunizmit.

Për të kapërcyer këtë udhëkryq mendoj se duhen kryer shumë punë dhe çështja është komplekse, siç shihet. Duhet të zgjidhen sa më sipër, dhe për këtë kërkohet konsekuencë, kërkohet edhe pak idealizëm, kërkohen politikanë të ndershëm dhe me iniciativë dhe të pakompromentuar, të rinj, që të ngrihen mbi kompleksitetin e problemeve të tranzicionit, kërkohen njerëz që ta duan më shumë Shqipërinë dhe të jenë të gatshëm të sakrifikohen për të. Shqipëria ka njerëz të tillë. Duhet të mësohemi të respektojmë mendimin e secilit, pasi në politikë nuk ka parti të mëdha e të vogla. Idetë që ato përfaqësojnë janë përherë të rëndësishme, pasi janë ide të këtij trualli. Vetëm konvergimi i shumideshmërisë dhe jo polarizimi i këtyre ideve, do të mund të shpjerë përpara jetën shqiptare. Pra, të ndërtojmë atë për të cilën jemi shprehur: një Shqipëri të shqiptarëve. Të largohemi nga mendësitë komuniste sipas të cilave unë të mbroj kur shprehesh pro meje, dhe të luftoj ashpër kur thua mendimin tënd. Vetëm kjo do të jetë rruga për të rritur besimin e njerëzve për të ardhmen.

Shkurt: Shqipërisë i duhet një politikë e hapur, transparente, një politikë e duarve të pastra dhe e ideve të reja, ku logjika kapitaliste ekonomike duhet të përcaktojë gjithçka./Azem Hajdari/

 

SHKARKO APP