Historia e flamurit pa yll në revoltën e Spaçit në një film, Kadeli: Thumbat e vura me nallanet e mia
Një film i shkurtër dokumentar për flamurin e kuq pa yllin pesëcepësh që u ngrit në revoltën e kampit të të burgosurve politikë në Spaç është shfaqur në Shtëpinë e Europës. I realizuar në kuadër të 50-vjetorit të revoltës nga IDMC, filmi përfshin të rinj nga Rrësheni që janë bërë pjesë e skenave ilustruese të ngjarjeve të majit 1973.
“Për revoltën e Spaçit ka disa filma dokumentarë, por askush nuk është marrë me këtë pjesë që për mendimin tim, ishte pjesa më e rëndësishme sepse ajo i dha karakterin politik revoltës”.
I konceptuar si film që të jetë i përshtatshëm për orë mësimore mbi historinë, ai i jep jetë një prej ngjarjeve më të rëndësishme antikomuniste në vend, ndonëse zhvillohet në një prej burgjeve më ta ashpra në mes të maleve. Filmi ka në qendër Gjetë Kadelin i cili rrëfen në vetë të parë ngjarjet e vitit 1973 dhe përgatitjen e ngritjen e flamurit me një copë bezë të kuqe.
“Mendova se si të veproja për ti dhënë karakter politik për të ngritur flamurin pa yll. E pashë të arsyeshme që sa më shpejt duhej ngritur flamuri për arsye se ishte përforcuar roja e brendshme. Të bëjmë fakt të kryer par se të na kapë policia. Kam marrë bezen e kuqe, dy listela që ishin aty, disa tela që ishin sipër kazermës, kam nxjerrë nga xhepi 6 thumba, kam hequr nallanet e këmbës dhe me nallane kam ngulur thumbat që të mbanin bezën në shkopin e flamurit” thotë Gjetë Kadeli .
I raportuar nga 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit, në Spaç e Burrel, Gjetë Kadeli e nisi vuajtjen e dënimeve në kampin e Tepelenës, kur ishte 7 vjeç.