Historia e KJ/Edi Rama: Anagnosti tenton të rimëkëmbë atë që rrafshoi për dy vjet
(Botuar me 24 dhe 31 Korrik 1994)
Nga Edi Rama-
(Tre artikujt në një)
Më në fund Ministri i Kulturës tërhiqet duke e braktisur kalin e betejës së tij irracionale me artistët figurativë, të cilët kërkonin prej kohësh dorëheqjen e Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Drejtori papritur shkarkohet dhe në fushën e kësaj beteje, e cila nisi fill pas zgjedhjes së gabuar të Ministrit, sot kanë mbetur gjurmët e thella të kohës së vrarë pa mëshirë. Dy vjet e ca liri të përdorura për të shpërdorur edhe ato çika vlerash që bart arti figurativ i Shqipërisë provinciale, dy vjet e ca liri me dyer të hapura për të gjitha racat e mediokërve, dy vjet e ca liri për të ngjallur neveri tek ata pak krijues të ndershëm dhe të zotë pa praninë e plotë të të cilëve galeria kombëtare i ngjan një rezervati plehrash, e më në fund dy vjet e ca liri për t’i paguar haraç kokëfortësisë së një regjisori të improvizuar në Ministër, i cili me mendjelehtësi dhe prepotencë i shikon dhe trajton krijuesit si figurantë të mizanskenave të tij burokratike.
Artikulli i Parë
Pse dhe si janë shpërdorur ato çika vlerash që bart arti figurativ i Shqipërisë provinciale?
Duhet thënë qysh në fillim se Galeria Kombëtare trashëgon nga e kaluara komuniste dhe më larg një fond të varfër në vlera, sepse i varfër në vlera është arti figurativ shqiptar, një dëshmi e shoqërisë së prapambetur dhe të paemancipuar shqiptare. Në kohën kur në kontinentin e vjetër kishte ndodhur çarja e madhe me traditën, ca të rinj të talentuar të Shqipërisë të paraluftës, të cilët nuk e di a bëhen sa gishtat e një dore, ktheheshin nga shkollat e Evropës për të krijuar në rrethimin e padepërtueshëm të provincës shqiptare një art, i cili në raport me hiçin e plotfuqishëm të vendit të tyre ishte një diç i vogël, ndërsa në raport me diçin madhështor të vendit nga ktheheshin, ishte një kurrgjëhic. E ndërkohë që nga rrangullat që s’i duhen dreqit duhen dalluar dukshëm dëshmitë e ndershmërisë profesionale të Buzës, Kolombit e Mios, vepra modeste por sidoqoftë e qëndrueshme e këtyre të fundit cungohet rëndë, dhe sipas një kriteri të pakuptueshëm, hapësira e sallës në dispozicion të saj është e njëjtë me hapësirën që i lihet bujarisht veprës mediokre të Simon Rrotës, Foto Stamos apo Kol Idromenos, bëma e të cilit, i ndrittë shpirti atje ku është, përveç hapësirës së nevojshme për “Motrën Tone” nuk ka asnjë arsye të shtrihet në gjerësinë e mureve të Galerisë Kombëtare. E njëjta bisedë për Zajmin, Kaçelin, Paçon e ndonjë tjetër. Imazhi i zbehtë i tyre nuk ka arsye përse të keqadministrohet duke i lënë një hapësirë më të madhe se ç’mund të mbajë, sepse Galeria Kombëtare nuk duhet të operojë me të njëjtin kriter që zbatohet në Varrezat e Dëshmorëve, ku toka ndahet në mënyrë proporcionale. Sidoqoftë nëse trajtimi i sallës së parë të Galerisë, e cila i përket periudhës së para luftës, është thjesht jo profesional, trajtimi i periudhës 45-vjeçare të realizmit socialist është vetëm skandaloz. Vepra e gjeneratës së dytë të artistëve shqiptare nëse mund të quhet kështu grupi i të rinjve që në fillim të viteve 60 u kthyen nga studimet në Akademitë e kampit socialist apo u diplomuan në Institutin e Arteve në Tiranë si edhe e të gjithë atyre artistëve të tjerë, duke përfshirë këtu edhe shkruesin e këtyre radhëve, vepër e cila u krijua zyrtarisht deri në fund të vitit 1989, duhet të paraqitet në një pavijon të realizmit socialist, sepse historia e saj është e lidhur pazgjidhshmërisht me shtetin komunist, me devocionin e artistëve për t’i shërbyer këtij shteti, me frikën, me censurën me përpjekjet për ta moderuar dogmën, me gjithçka që lidhet me epokën që lamë pas. Të ekspozosh jashtë këtij konteksti pjese kryesisht jo domethënëse të kësaj vepre, etyde të cekëta, punë studentësh apo natyra të qeta që përgjithësisht asokohe bëheshin për t’u çlodhur nga angazhimi mbi telajot me ara, fabrika, kantiere dhe në të njëjtën kohë të fshehësh në bodrum pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme të saj, të përziesh “Partizanin”me “Mbjelljen e pemëve”, të vësh pranë Myslim Mulliqin dhe Edison Gjergon apo skulpturën socialiste të Kiço Kristos me kubin dhe sferën metalike të Pjerin Kolnikajt, do të thotë të çorientosh deri në shkatërrim kujtesën figurative të këtyre 45 vjetëve. Ndërsa të mos kesh as idenë më të vogël të përgjegjësisë dhe dëmit që sjell ndërtimi kryekëput mbrapsht i tempullit ku duhet të ruhet kjo kujtesë e paçmuar, do të thotë të jesh në një status debilitae**. Me pak fjalë, krejt e kundërta e asaj që është bërë duhet të bëhet, sepse nuk vlen kurrgjë të paraqesësh fiqtë e Hasan Reçit, mullarët e Sali Shijakut, limonin e vetëm të Guri Madhi, mollët e Danish Juknikut, apo shegët e Ksenofon Dilos, për të dhënë një imazh idilik që e kaluara nuk e pati, ashtu siç nuk ka më logjikë të lësh paskëtaj varur nëpër mure kështjellën e Nestor Jonuzit, topin e Mic Sokolit, gjyqin e Vilson Kilicës, patriotët e Isë Boletinit apo qeleshet e Agim Zajmit vetëm e vetë se nëpër këto krijime tipike të realizmit socialist shqiptar ka një angazhim patriotik ekstra estetik! Doemos që nuk mund të ndodhë ndryshe, sepse mbrojtja e Atdheut mbetet detyrë mbi detyrat edhe për Galerinë Kombëtare. Një hapësirë të tyren, të veçuara nga të tjerat me dosjen e nevojshme të shpjegimit, (dosje që duhet të jetë për çdo sallë në dispozicion të vizitorit), duhet të kenë edhe ato vepra të realizmit socialist që u mallkuan nga burokracia komuniste, “mbjellja e pemëve”, “epika e yjeve të mëngjesit”, etj., njësoj siç duhet të kenë hapësirën e tyre edhe veprat e krijuara në ilegalitet, siç janë rastet, duke nisur që nga rasti i Alush Shimës etj. sepse përndryshe këto vepra deshifrohen keq dhe mbetet konfuzioni historik, ankthi i pafuqisë për t’u ringjallur bashkë me idenë e një prapambetje shumë më të madhe nga ç’ishte në të vërtetë, prapambetja e 45 vjetëve të lartpërmendura. Vetëm një mendje e sëmurë nga propaganda e sotme mund të hedhë në këtë rrokullimë edhe provimet e disa piktorëve mediokër të Kosovës, të cilët, me përjashtim të Myslim Murriqit, një personalitet që meriton një hapësirë shumë më të madhe dhe jo aty ku është, por në pavijonin e artit bashkëkohor janë paraqitur në Galerinë Kombëtare për të njëjtat motive që janë paraqitur edhe ushtarët e Isa Boletinit.
Artikulli i dytë
Ka një pamje të qartë e të plotë të së kaluarës, të dëlirit të madhështisë së artit zyrtar të kohës së partisë, i cili është i pranishëm edhe midis vlerave të pakta por sidoqoftë jo indiferente që u krijua në atë rreth vicioz, nuk mundet dot të krijohet një pavijon i artit bashkëkohor shqiptar, i artit që për mua fillon vetëm pas 1989, sepse pa e pasur parasysh nga vijmë, asnjë vizitor nuk mund të kuptojë kush jemi dhe pse jemi ende kaq mbrapa botës, e lere më pastaj të marrë me mend se për ku jemi nisur të thyejmë qafën. Cilido vizitor që do të kapërcejë pragun e sallës së artit bashkëkohor shqiptar pa ankthin për atë që duhet të përçojë ekspozeja e së kaluarës së largët dhe të afërt, si edhe pa respektin për përpjekjet individuale të çdo artisti për t’i ikur syrit kriminal të shtetit komunist, vetëm do të tallet me pretendimin tonë për tu quajtur bashkëkohor, sepse të shkëputur nga realiteti mizerabël i Shqipërisë dhe i kulturës së saj, artistët më përparimtar të Shqipërisë janë ende aty ku duhet të ishin ata të paraluftës. Dhe artistët përparimtarë janë pak, shumë pak, prandaj ju duhet vënë në dispozicion më shumë hapësirë, sepse nëse nëpër qytetet e artit nëpër Evropë ka qindra artistë të shkëlqyer, e mira shumë të mirë, për shumë nga ata të shkëlqyerit dhe për gjithë ata shumë të mirët nuk ka vend nëpër galeritë kombëtare, jo sepse Gjermania, Franca apo Anglia nuk dinë të ndërtojnë një pallat ku të gjithë të varin nga një punë, por sepse, edhe një herë sipas një krahasimi të përdorur në artikullin e parë, Galeria Kombëtare është banesa e fundit e atyre veprave që përbëjnë pasurinë e kujtesës vizuale të një kombi dhe jo varreza ku shtrihen të gjithë vdekatarët bashkë. Po kujt t’i flisje për këtë shpërdorim kolosal të vlerave që zgjati dy vjet e ca?! Derëziut Qirjako që për paaftësi u ngrys i papunë e po për paaftësi u gdhi drejtor, apo ministrit, i cili jo vetëm ja vari në qafë çelësat e Galerisë Kombëtare këtij mulazhi të mediokritetit, por shkoi e u bë edhe parzmorja e tij absurde, duke prapësuar me një cinizëm të paepur kërkesat e vazhdueshme të artistëve për ta shkarkuar Qirjakon e gjorë nga ajo barrë e rëndë. Sipas një kuptimi krejt të mbrapshtë të administrimit të vlerave, duke i banalizuar deri ku s’thuhet problemet e mprehta të këtij administrimi, shërbëtorët naivë të frymës populiste në kulturë dhe akoma më keq, të bindur se në këtë mënyrë po i shërbejnë etnisë mbarëshqiptare, në rezonancë të admirueshme me njëri tjetrin për plot 2 vjet e gjysmë, drejtori i Galerisë Kombëtare dhe Ministri i Kulturës i hapën portat e tempullit për të gjithë dhe Galeria Kombëtare u kthye në një Pazar ku mjaftonte të zije radhën dhe të paguaje paratë për të pasur pjesën tënde të kohës dhe hapësirës. Ashtu siç u zgjidh me një të rënë të lapsit problemi i linjës, ku nuk mbeti pikturist pa u varur në muret e historisë së vlerave , ashtu u shpartalluan dhe portat hijerënda nga dyndja e mirëpritur e diletantëve xhepaplot. Përderisa për këtë duet, tek i cili u harmonizuan aq gjatë cinizmi shembullor i Ministrit me paaftësinë proverbiale të drejtorit, arti buron ende nga populli punonjës dhe i takon akoma popullit soditës edhe Galeria nuk mund të ishte veçse prona e shenjtë e këtyre dy palë popujve. Dhe “populli”u zdërhall në emër të vetes dy vjet e gjysmë resht. Në emër të një shërbimi të kulturuar ndaj popullit u thirr edhe një këshill krijuesish i përbërë nga përfaqësues të të gjitha palëve (bilë Anagnosti shumë shpjegoi pa u lodhur për dy vjet e gjysmë se edhe vetë Drejtorin e zgjodhi duke u mbështetur tek mendimi i palëve dominuese), duke neglizhuar trashë faktin se “ky mekanizëm demokratik i përzgjedhjes së vlerave” ka sjellë dhe do të sjellë gjithmonë në artin figurativ frymën regresive të shumicës. E konkretisht kjo frymë, e cila gjeneroi në këto vite lirie ca shoqata fantazmash, ku gëlon mjerimi shpirtëror mbarë shqiptar i krijuesit mediokër, i përfaqësuar si s’ka më mirë edhe në këshillin artistik të Galerisë Kombëtare, përmes ca gjallesash, që, o Zot më ndje, por nuk gjej dot një mënyrë më të butë, përveçse injorant pa talent, kur gjë tjetër nuk janë, – arriti ta katandisë kokoshin e fryrë të artit figurativ shqiptar në një jastëk me pupla ku e gjithë luzma e mediokërve mundi të mbështesë nga pak kokën e pagdhendur. Përpara kësaj mungese të plotë profesionalizmi një pakicë artistësh, “pala” e vetme me farë rëndësie në këtë çështje, u tërhoq e neveritur duke e refuzuar ftesën për një bashkëpunim utopik me këtë tufë injorantësh të përkëdhelur nga administrata shtetërore në emër të krijimit të “mekanizmit demokratik të përzgjedhjes”. Kështu fjala, vjen, pas bojkotimit nga ana e disa artistëve dhe pranisë së mangët të disa të tjerëve, në muret e Galerisë Kombëtare të shtetit të lirë e të ri shqiptar gjen çdo gjë që nuk është art, dhjetëra krijime pa kurrfarë vlere që shtrihen pranë e pranë që nga shiu i Shefqet Agalliut deri te dielli i Vladimir Janit, që nga tablotë hiç mbi mëkatin origjinal dhe patriotizmin të Agim Zajmit, Zef Shoshit, Nestor Jonuzit, Bujar Asllanit e deri te tablotë e shëmtuara të Çlirim Cekës, Mustafa Arapit, Zamir Matit, Ilir Martinit, që nga Amebat shumëngjyrëshe dhe paramecët nacionalistë të një Berishe nga Kosova deri në medaljet prej balte të një kosovari tjetër që prapë quhet Berishë, që nga tentativa të dështuara studentësh deri te bëmat të kota profesorësh. Në linjën e sotme të Galerisë Kombëtare vërtet ndeshesh edhe me Danish Jukniun, Sali Shijakun, Hasan Nallbanin, bile gjen edhe Edi Hilën, Gazmend Lekën, Ilir Pojanin apo Agron Bregun, por të gjithë këta autorë me kontribut të rëndësishëm në historinë e evolucionit të mjeteve të shprehjes së pikturës shqiptare, ose paraqiten me copa të rastësishme të krijimtarisë së tyre më të hershme ose me ndonjë punë të vetme jo përfaqësuese, ndërkohë që tre vjet liri kanë mjaftuar që ndershmëria profesionale të japë frytet e para dhe të lindin tablotë moderne të Danish Jukniut, Sali Shijakut, Edi Hilës, Ali Osekut, Hasan Nallbanit, Gazmend Lekës, Vladimir Myrtezait, Ilir Pojanit, Agron Bregut, Bashkim Ahmetit, Ilia Xhokaxhiu, Najada Hamzës, Genc Mulliqi, Flutura Prekës. Ku janë këto tablo që në fund të fundit janë dëshmitë që tregojnë se në pikturën tonë ka filluar më në fund frymëmarrja me shekullin? Duke ndeshur në betonarmenë e mediokritetit vendas dhe në zhurmën e orgjisë së injorancës që buburon në tempullin e artit figurativ, ato vërtiten nëpër Evropë në kërkim të tregut të tyre thuajse të pamundur dhe përveç taksave idiote që Ministria e Kulturës ka vendosur për qëllimin e tyre jashtë kufirit të ngushtë të Shqipërisë të cilat paguhen në Galerinë Kombëtare, prej ku tablotë dalin të pajisura secila me një pasaportë, sa një tullë jeshile e shkulur prej ndonjë qendre zjarri, asnjë më nuk e lidh Galerinë me fatin e tyre?! E kthyer në një bunker të mentalitetit të vjetër, Galeria Kombëtare, vrau për dy vjet e gjysmë rresht çdo shpresë dhe mundësi për t’u bërë hulumtuesi, blerësi, ruajtësi dhe promovuesi i vlerave. Kështu ndodhi që edhe në artin figurativ, shteti që i premtoi shqiptarëve Evropën, ushqeu legjendën e njerëzve me bisht.
Artikulli i tretë
Regjisori i improvizuar Ministër i sheh artistët si figurantë të mizanskenave të tij burokratike. Përpara se t’ia hiqte stolin drejtorit të Galerisë Kombëtare me kthesën e papritur dhe shkelmin karakteristik që një pushtetar ruan tinëzisht në repertorin e vet për t’i dhënë lamtumirën vartësve të konsumuar. Anagnosti hezitoi gjatë. Fillimisht sepse nuk mund ta imagjinonte se sa e mbrapshtë kishte qenë zgjedhja e tij, megjithëse shumëkush, në një mënyrë apo në një tjetër u mundua t’ia bënte të qartë një gjë kaq të qartë. Natyrisht që duhet të vuash nga optimizmi për të kujtuar se me Ministrin e Kulturës mund të merresh vesh e t’i këmbesh opinion për gjësendi që ai mendon se e di mirë vetë, dhe në këto dy vjet e gjysmë të administrimit të tij Anagnosti ka lënë të kuptohet fare qartë se ruan një mendim superlativ për vetveten, gjë që natyrisht e ka shtyrë shpesh në lapsuse dhe gafa prej diletanti të keqkuptuar të politikë dhe përgjithësisht ia ka shkatërruar imazhin. Përpjekjet e para për t’i dhënë të kuptojë Ministrit se duhet ta ndërronte një orë e më parë derën që drejtonte Galerinë u panë nga ai si pakënaqësi të vogla artistësh, të cilave Anagnosti, ruajtësi i ekuilibrave në kulturën mbarëshqiptare nuk mund t’u vinte veshin. I mbërthyer nga një efekt narcisizmi, administratori numër një i vlerave shpirtërore nuk dallonte dot më zërat që ankoheshin për zgjedhjen e tij të gabuar, e megjithëse personalitete të artit figurativ ju drejtuan me besim dhe dëshirë për ta ndryshuar gjendjen e papranueshme, Ministri mbeti i patundur në të tijën. Bile tamam në ato zhvillime të para disputash, Galeria Kombëtare u dekorua me një urdhër të lartë, nga ata që ja dhënë pa kursim qysh në kohën e Hoxhës. Sidoqoftë, vendimi për të dekoruar atë institucion qesharak, shpjegon më së miri se administrata e sotme është larg, tepër larg ekzigjencave të kohës me të cilën krijuesit e ndershëm mundohen të bashkëjetojnë duke sakrifikuar jo pak dhe duke asistuar përditë në demonstrimet e injorancës. Të gjendur përpara murit shurdh që Anagnosti lartonte menjëherë më gurët e rëndë të kokëfortësisë së tij në çdo rast kontakti ku hapej kjo bisedë e pakëndshme për të, të fyer nga intrasigjenca e një njeriu që vetëm pak kohë më parë kishte pasur edhe ai, si artist, pjesën e tij modeste në luftën kundër intrasigjencës së administratës shtetërore, artistët vendosën t’i kërkojnë në grup një takim Ministrit për t’i paraqitur zyrtarisht opinionin e tyre për administrimin e papërgjegjshëm të Galerisë Kombëtare dhe për inkompetencën sugjestive të Drejtorit të saj. Përveçse një akt shqetësimi qytetar dhe profesional kurrgjë tjetër nuk mund të ishte ky takim, po të merret parasysh se pjesëmarrësit, afro 20 vetë, ishin të gjithë krijues të zotë, prej të cilëve shteti mund e duhet të përfitojë shumë e shumë herë më tepër se sa ata mund të përfitojnë prej tij. E përballë realitetit më se të qartë të gjërave, mu në zyrën e tij që nuk besoj se ka qenë ndonjëherë më e nderuar, ashtu siç nuk besoj se është dukur ndonjëherë më e vockël, Ministri i Kulturës ia nisi me veprime që komandoheshin nga kthinat e errëta të kompleksit të inferioritetit – sëmundje shumë e përhapur ndër pushtetarët shqiptarë – e vazhdoi duke lartuar murin e tij shurdh dhe e mbaroi edhe më keq, duke u përpjekur të mësojë njerëz të ditur, të cilët sigurisht nuk kanë pritur biseda ultradidaktike të Ministrit për të ndriçuar mendjen e tyre. Sidoqoftë një vrimëz e vogël u hap edhe në murin e puthisur që rrethon kokën e Ministrit të pathyeshëm dhe hap pas hapi e zënkë pas sherri u arrit te propozimi i kandidaturave. Përpara se të vazhdoj më tej, i kërkoj ndjesë lexuesit për një shpjegim ndoshta të panevojshëm; mbase në rezumenë e luftës dyvjeçare për të bindur Ministrin e Kulturës për gafën e gjatë që bëri duke zgjedhur dhe mbrojtur për po aq vjet atë farë drejtori, ka zgjatje ose më keq fjali të mërzitshme, do të doja të zgjatesha edhe më shumë, sepse tërë këtë histori, të cilës i kam kushtuar tre artikuj a thua se bëhet fjalë për historinë e Skënderbeut, e quaj me bindje: absolutisht skandaloze. Në kërkim të kandidatit për drejtor thuhej se ishte fort e vështirë të gjendej një personalitet i atillë artistik që të mund t’i sillte fytyrën në vend Galerisë Kombëtare, duke harruar ose edhe më mirë duke mos e ditur që në vendet e qytetëruara të botës drejtorët e muzeve apo institucioneve të tjera të artit nuk janë artistë, dhe kjo sepse administrimi i një institucioni si Galeria Kombëtare përbën një politikë të tërë e krejt të veçantë, e cila nuk fillon dhe as mbaron me varjen e tablove në mur, por shtrihet në kolaudimin e një organizmi shumë të sofistikuar që duhet të ketë aftësinë e autorregullimit të funksioneve që kryen. Kjo politikë ka si qëllim të saj krijimin e një hapësire të pasur në vlera dhe ngjarje, ku roli i administratorit është të garantojë praninë ekskluzive të artistëve internacionalë, pasurimin e koleksionit me veprat e tyre, fond për blerjen e veprave të artistëve më të shquar vendas, për botime dhe realizime filmash, për konferenca të historisë dhe teorisë së artit, për materiale divulgative dhe reklama etj. Duke i marrë në konsideratë këto ekzigjenca iu propozua Ministrit kandidatura e Arben Golemit, arkitekt, koleksionist i apasionuar i veprave të artit dhe pronari i një galerie të vogël private në Berat, e cila blen me çmime ende të paimagjinueshme për Galerinë Kombëtare vepra të autorëve shqiptarë!
Ishte në logjikën e ndarjes që Anagnosti të mos e pranonte këtë kandidaturë ndoshta jo vetëm për faktin që propozimi vinte nga grupi i bezdisshëm i artistëve që i kishin thënë hapur se ai kishte gabuar e stërgabuar, por edhe nga mosnjohja e tij e plotë e eksperiencës së stërnjohur në këtë fushë. Kësisoj Ministri i paepur mori gjithë kohën që i duhej dhe më në fund arriti të bindë piktorin e njohur Alush Shima që ta merrte përsipër rolin e rikonstrukturuesit të Galerisë Kombëtare. Dy vjet e gjysmë shkuan e vanë, shembull kuptimplotë i pasojave që po i sjell shoqërisë mendjelehtësia arrogante e administratorëve, shkuan e vanë midis të tjerash edhe si haraç i rëndë për kokëfortësinë e Ministrit të improvizuar të Kulturës, por nuk është e parëndësishme që më në fund shija e hidhur e kësaj “beteje” e cila dëmtoi rëndë imazhin e artit figurativ shqiptar në këto vite të lirisë, ia lë vendin shpresës se drejtori i ri i Galerisë Kombëtare, i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë duke qenë i ndërgjegjshëm se do të sakrifikojë jo pak nga reputacioni që ka krijuar me qëndrimin e tij koherent në vite dhe nga koha kushtuar gjithmonë pikturës, do të arrijë t’i kapërcejë pengesat e frikshme që puna e administratorit i rezervon çdo artisti, krejt e krejt më mirë sesa regjisorit po aq i njohur që në rolin e Ministrit shqepi pak nga pak lëkurën e tij në çdo pengesë që pati përpara.
EDI RAMA