Historia e KJ/Genc Ruli: Prokuroria është bërë dora e tolerancës ndaj krimit
(Botuar me 17 Mars 1995 në KOHA JONE)
Dje paradite deputeti Ruli përpara votimit për heqjen e imunitetit lexoi mbrojtjen e tij. Në pjesën e parë të materialit 11 faqësh, Rulit iu desh të bënte mbrojtje teknike ndaj akuzave për korrupsion në çështjen e drurit të arrës. Ish-Ministri i Financave tentoi të hedhë poshtë akuzën se druri i arrës, eksportimin e të cilit ai firmosi, nuk mund të shërbente si lëndë e parë për kombinatin e drurit Elbasan. Ndërsa pjesën tjetër të diskutimit të deputetit Ruli ne po e botojmë të plotë.
Zotërinj deputetë!
Çështja e “drurit të arrës” si element i inkriminimit ndaj nesh nuk ekziston. Ajo u sajua, ekzagjerua, interpretua, u publikua me tendencë, duke i harxhuar shtetit e drejtësisë së sotme aq shumë energji e përkushtim sa po të ishin shfrytëzuar drejt do të kishin dhënë një rezultat më konkret në luftën kundër korrupsionit e krimit të sotëm. Gjithashtu kjo çështje sido që të zhvillohet nuk do të arrijë t’i shërbejë z. Dragoshit si gjethe fiku për të mbuluar pazotësinë dhe dështimin e tij, e për rrjedhojë dhe të organit të tij në luftimin efektiv të krimit e korrupsionit. Më tepër se sa vetëm nga paaftësia, ky organ është bërë sot dora e tolerancës ndaj atij krimi e spekulimi që është evident dhe i dukshëm. Ky individ që është sot Prokuror i Përgjithshëm nuk e ka të drejtën të inkriminojë asnjë person zyrtar, vetëm me faktin se nga mbrojtës i ligjshmërisë e akuzator në emër të shtetit, ai personalisht në mjaft raste është bërë shkelës i drejtpërdrejtë i ligjit. Mjafton të përmendim këtu, mbajtjet e paligjshme në burg e proceset e zgjatura hetimore të mjaft qytetarëve, mos procedimin penal të mijëra krimeve të rënda nga ana e Prokurorisë, e për më tepër firmosja e paligjshme nga Alush Dragoshi personalisht e ekstradimit të Hajdin Sejdisë, në një kohë që ai kërkohej nga drejtësia shqiptare për mashtrim me miliona dollarë. E drejta do e donte që sot Parlamenti të vinte në votë vetë Alush Dragoshin dhe jo ne. Po flas para jush duke u munduar t’ju sqaroj e t’ju bind për të vërtetën e veprimeve të mia e të kolegëve të mi dhe aspak në kompleksin e shfajësimit. Funksionet shtetërore që kemi pasur, kanë qenë me përgjegjësi të mëdha e për më tepër në kohëra të vështira. Nuk e përjashtoj mundësinë e gabimeve që mund të jenë kryer brenda asaj pune të mundimshme ku çdo gjë niste nga e para, me pak dije e eksperiencë e me pak njerëz të aftë për të përballuar zgjidhjet e kohës, për më tepër kur kishim nëpër këmbë amullinë, çorganizimin e kaosin e trashëguar. Ishte një kohë kur ishte tepër e vështirë të merrje një vendim duke patur bindjen e plotë se ai ishte vendimi më i drejtë që kërkonte rrethana, por në të njëjtën kohë kërkohej me urgjencë që vendimi të merrej sa më shpejt dhe pa pritur të nesërmen. Do ta quaja normale në qoftë se dikush do ta analizonte në tërësi punën tonë zyrtare, madje duke na kritikuar për zgjidhjet që kemi dhënë e për vendimet që kemi marrë. Por e quaj tepër të turpshme e primitive të analizohemi me metoda inkuizicioni për krime të sajuara duke e vlerësuar tërë punën tonë në shërbim të shtetit me keqinterpretimin e një vendimi të vetëm, atë të eksportit të 400 metër kub dru arre. Në kohën që mundohesha të përballoja një ndër funksionet më të vështira e me përgjegjësi të qeverisjes, kam ndjerë prapa shpinës sime goditjet e përfoljet e njerëzve e të organeve të caktuara mes të cilëve z. Dragoshi e organi i tij kanë patur një rol protagonisti e tepër të spikatur. Kam patur në kurriz tinëzarinë e individëve (zyrtarë ose jo) që zellin dhe instinktin e tyre të vjedhjes ose të spekulimit me kompetencën shtetërore ja përligjnin vetes ose ja fshihnin opinionit vetëm duke përbaltur me këto vese këdo tjetër, e për më tepër ata që e respektonin shtetin dhe funksionin publik. Vogëlsinë shpirtërore të individëve që imazhin artificial të personalitetit dhe të zotësisë së tyre nuk mund ta krijojnë ndryshe veçse duke rrënuar personalitetin dhe aftësinë e tjetrit. Në këto rrethana të nderuar zotërinj dhashë dorëheqjen nga posti i Ministrit, jo se u lodha nga puna, as se munguan rezultatet, porse në një rrethanë të tillë është e pamundur të punosh qoftë për vete, qoftë për shtetin. Nga ana tjetër, me dorëheqjen time ju krijoja mundësi më të mëdha organeve të kontrollit e të drejtësisë që të kontrollonin dhe të sqaronin çdo veprimin tim si Ministër. Por ajo që ndodhi në fakt qe akoma më arbitrare dhe e padrejtë. Prokuroria arrestoi me dhjetëra tregtarë e doganierë nën justifikimin e zbulimit të fijeve të kontrabandës së cigareve. Në fakt motivi i vërtetë ishte të implikonte Rulin në të. Me këta njerëz ndodh si në rrëfenjën humoristike me priftin që përhapi gënjeshtrën dhe pastaj e besoi vetë atë. Gjatë këtij procedimi penal janë aplikuar dhe metoda antikushtetuese duke i pyetur të pandehurit në mënyrë provokuese e sugjestive se “cili është bashkëpunimi juaj me ish Ministrin Ruli”, madje hetuesit kanë arritur deri aty sa të bënin edhe presione por edhe oferta të pandehurve me qëllim që të sajonin akuza të paqena në ngarkimin tim. Ky inkuzicion doli pa rezultatin e synuar, pra inkriminimin tim dhe jo goditjen e kontrabandës së cigareve (se ajo dhe sot vazhdon madje më cilësore se më parë), dhe personat e sipërpërmendur u lëshuan nga Prokuroria pasi derdhën fitimet e supozuara nga kontrabanda e kryer. A thua se shteti e vendos ligjin duke ndarë me shkelësin e ligjeve fitimet e këtij të fundit. Pasi dështoi përpjekja për të më implikuar padrejtësisht në një skandal spektakolar u nxor nga thesi i intrigave historia e “drurit të arrës”dhe kur ndeshën dhe në qëndresën e Parlamentit për të mos hequr me ngut imunitetin tim, u përgatit një surprizë e re: çështja “Arsidi”. Një vendim absurd dhe i marrë me shkelje flagrante të ligjit, që ju servir për firmë qytetarit të çështjes, më ngarkonte me përgjegjësi duke dashur të më implikonte në këtë skandal që vetë drejtësia jonë po e kthen në një mister rebus të pazgjidhshëm. Zotërinj, këto veprime të persekutimit të paprinciptë nuk do të ndalen në qoftë se atë dorë nuk e bllokojmë ne. Përgjegjësia për të mos lejuar këta individë e organe që të veprojnë si një shtet brenda shtetit e të mos dëmtojnë demokracinë tonë të re e delikate, na takon veçanërisht ne deputetëve të zgjedhur. Institucioni i imunitetit, zotërinj, merr fund jo vetëm kur atë ta heq Parlamenti, por edhe atëherë kur nëpunës e organe të shtetit ( të cilët kanë si detyrë të parë ta respektojnë atë) i përgojojnë, i denigrojnë dhe trajtojnë zyrtarët e lartë njëlloj si kriminelë e rrugaçë, apo më keq se këta të fundit. Zotërinj deputetë, se kam të vështirë të kuptoj që gjykimin tuaj (ndoshta dhe të një pjese të publikut) e influencon sot edhe opinioni i krijuar “mbi korrupsionin tim”. Ky opinion u përgatit e u përhap nga individë e zyra të caktuara me qëllim që të godiste e dëmtonte personalitetin tim moral e politik dhe për të lehtësuar kështu suksesin e goditjes finale që ekzekutohet sot. Në kushtet e sotme të mentalitetit e ndryshimeve të mëdha nuk është e vështirë që të nxiten përfolje e opinione negative për politikanët, e për më tepër kur për këtë kontribuojnë organe të specializuara e madje dinake. Por të mos harrojmë se koha ecën e rrethanat ndryshojnë, duam apo s’duam ne, dhe jo shumë vonë do të vërtetohej se falsiteti i përrallës mbi korrupsionin e Rulit është identike (ekuivalente) me falsitetin e përrallës që heroizon ndershmërinë e disa të tjerëve, e veçanërisht të atyre që më përfolën e akuzuan. Propaganda e ngarkuar e shpeshherë demagogjike që parti, grupe e individë që përdorin sot kundër njëri tjetrit, ngacmimi që ata i bëjnë histerisë publike e jo opinionit serioz publik, por zhdukin gradualisht çdo mundësi konkrete për të luftuar me të vërtetë korrupsionin. Ecja përpara me thirrjet e ekzagjeruara kundër korrupsionit blu apo të kuq jo shumë larg do të sjellin një situatë politike me parti të dërrmuara moralisht në luftën kundër tyre dhe me personalitete politike me kredibilitet të dyshimtë. Madje fatalisht shqiptarët do të besojnë se demokracia aq e dëshiruar dhe e shumëpritur prej tyre, na paska si tipar kryesor të vetin qeveri, administrata e pushtetarë të korruptuar. Nuk besoj se ndonjëri nga ne mendon se Shqipëria do të bëhet demokratike dhe e emancipuar pa kontributin e njerëzve të zotë, të ndershëm e të aftë. Por me një klimë rënduese e persekutuese, padyshim që zyrtarët e qeveritarët do të detyrohen të harxhojnë më tepër kohë duke hedhur fall apo duke parë horoskopin e ditës se sa të guxojnë të punojnë, të vendosin e të hedhin firma. Të parët që nuk do të kenë më nxitje e motiv për t’i shërbyer shtetit e shoqërisë, do të jenë pikërisht njerëz seriozë e të aftë, të cilit nën peshën e kësaj atmosfere po e kuptojnë se puna publike në shtet ka pak shanse për mirënjohje e vlerësim e shumë rrezik për humbjen e nderit dhe dinjitetit personal. Zoti mos e dhëntë të shkasin më tej në këtë dramë, pasi atëherë personazhet dhe situatat qesharake e tragjike të Zululandit të Konicës nuk do të jenë më vetëm një stigmatizim i së kaluarës, por edhe një realitet i së sotmes. Por, përveç dëshirës së Zotit në shmangien e kësaj drame ndikon padyshim edhe vullneti ynë që do të shprehet me vendimin e sotëm të këtij Parlamenti. Koha është më e fortë se vendimet, pasi e nesërmja ka më shumë mundësi e qartësi për të gjykuar më drejtë se e sotmja. Vetëm vendimet e drejta i qëndrojnë kohës, madje edhe i çelin rrugën asaj. Unë ende besoj se ky Parlament do të japë sot një vendim që kur ta rishohim nga largësia dhe qetësia e së nesërmes të mos na krijojë zhgënjime, pendime e qortime.
Të nderuar deputetë,
Duke insistuar në mbrojtjen e imunitetit tim, dhe duke kërkuar këtë prej jush nuk përpiqem t’i shmangem drejtësisë dhe gjykimit të saj. Pa as më të voglin hezitim kam bindjen e sigurinë për t’u ballafaquar me të, për çdo veprim e akt timin të kryer deri tani. Ky vullnet as më ka munguar e as do më mungojë ndonjëherë. Por veprimet e kryera nga organet e sotme të drejtësisë, apo më saktë nga disa individë që e drejtojnë atë më hoqën çdo dyshim se ato nuk janë të motivuara për keq e të manipuluara me paragjykime në lidhje me personin tim. Prandaj me të drejtën që më jep ligji, ju drejtohem juve që të më garantoni barazinë në një konflikt me forca të pabarabarta, të më garantoni drejtësinë që këto organe duan të më privojnë. Mbështetur në këtë princip ju sugjeroj të miratoni propozimin e bërë nga disa deputetë të grupeve të ndryshme, për të krijuar një komision të posaçëm parlamentar i cili të marrë në shqyrtim të gjitha dosjet dhe faktet që rëndojnë zyrtarët e lartë të shtetit e së pari deputetët si dhe të vëzhgojnë ligjshmërinë e korrektësinë me të cilën organet e drejtësisë do të procedojnë ndaj tyre. Në këtë rast dosja e drurit të arrës, si në çdo dosje tjetër në rendin tonë le të jenë të parat që do të drejtohen nga ky komision. Përpara këtij komisioni të posaçëm do të lehtësohen nga dilemat e tyre fisnike edhe ata deputetë që ruajtja e sekretit shtetëror ua bën të vështirë shpjegimet e plota e të sakta në seancat plenare të Parlamentit.
Ju faleminderit Genc Ruli