Historia e KJ/Me 27 Janar 1994 “Brezi 22”, poezi nga Andi Bejtja
“Pse plus, pse baraz me një grusht mjegull”
Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe. Ka punuar si gazetar për një vit pranë Gazetës “Sindikalisti”. Deri para një jave ka drejtuar (kryeredaktor) për rreth 5 muaj gazetën e pavarur “Dita Informacion”. Botimin e tij të parë e shënon vëllimi me poezi “Fall”i sigluar me dy dyshat e “Brezit 22”.
Poezi të cilat po botojmë janë shkëputur nga vëllimi i tij i dytë i pabotuar. Duke respektuar dhe dëshirën e autorit ciklin po e botojmë nën siglën “Brezi 22”./ Redaksia/
Lindje
Ndodhesha në bark të nënës
Duke luajtur me qiellin e barkut të saj
Herë-herë yje përkëdheljesh më binin në kokën tullace
Dhe mbi gjuhën e lëngët vdisnin dhjetëra kuaj fjalësh
Që do të rilindin më vonë.
Ndjeja se po më formoheshin gishtërinjtë
Dëshira e madhe për të trokitur diku…
Sa guxova të mendoj papritur veten e gjeta burrë
Për pak do të isha bërë plak
Ndodhem në bark të nënës
Duke pritur të bëhem foshnjë
Pres të më ndodhë diçka e re
Çdo ditë
Pres të më ndodhë
Diçka e re
Diçka e pabesueshme
Diçka e jashtëzakonshme
Fundja fundi
Të jem një majmun i gëzuar
Majë një peme
Që botën e kundron me një
Buzëqeshje hyjnore, fillestare.
O Zot
Majmun u bëra
Por këtu s’’ ka asnjë pemë!
Shtrati yt i mbushur me imazhe meshkujsh
Tashmë ajo urë dashurie është shkatërruar
Po përderisa dhimbja jote
Akoma ka dy brigje
Unë do të vazhdoj të rrjedh si ujë
Nëpër shtratin tënd
Të mbushur me imazhe meshkujsh
Dashuria është orë
Dashuria është orë
Pa akrepa
Nuk dihet as fillimi
As fundi
Ishull pa det
Nuk dihet as fillimi
As fundi
Ishull pa det
Kohë pa kohë
Kapelë pa kokë
Kokë pa kapele
Dashuria është orë
Pa akrepa
Akrepa janë këmbët e tua
Kur ti bëhesh e mërzitshme.
Ëndrra ime endej…
Ëndrra ime endej
Në këmbët e tua
Hërë-herë
Ngjitej deri tek gjinjtë e zbehtë
Ëndrra ime endej
Në gjinjtë e zbehtë
Herë-herë
Ngjitej deri tek flokët e kërleshur
Ëndrra ime endej
Në flokët e kërleshur
Herë-herë
Ngjitej deri në qiell
Natë Vere
Kaq kohë hëna pret
Pret hëna
Të kalojë ndonjë re
Për të fshirë jargët e saj
Të arta.
Shtëpia jonë
Hija e babait përkund vetveten
Babai nuk din se ku ka shkuar
Në shtratin tim fle një mace e egër
Në pyll baret lakuriq e dashura ime ideale
Në kuzhinë një statujë më ngroh gjellën
Nëna qëndron gjithmonë prapa perdes
Me një kryq druri në dorë
Krishti troket në portën tonë
Duke na u lutur më kot
Që ta kryqëzojmë…
Dritaren e mbyll lehtazi, xhami përsëri thyhet
Dritaren e mbyll lehtazi, xhami përsëri thyhet
I mbyll sytë dhe shikoj kodra të virgjëra
Që përpiqen të kthehen me fytyrë nga dielli
Humbin të gjitha kohët
Dhe e djeshmja fle në shtrat me të nesërmen
Teksa e sotmja e djersitur ëndërron të shkatërrojë krevatin
Babai niset për udhë
E nëna shfleton albumin e fotografive
Dy rrokje të dehura shkëputen nga trupi i fjalës
Qëndrojnë me orë të tëra para pasqyrës
Krihen e lyejnë buzët me të kuq
Për t’i shpëtuar monotonisë e plakjes
Dielli s’ndriçon aty ku dua unë
E dashura ime
Nën barkun tënd një trëndafil i fishkur
Por përmbysja e madhe asnjëherë nuk ndodh
Sepse nervat tona mbajnë planetët.
Fjalët
Kur unë fle, flenë edhe fjalët
Flenë në kokën time
Ku gjenden peizazhe
Që nuk ekzistojnë
Flenë të kapura përdore
Pa u cenuar kuptimin e fjalisë
Unë këpus një degëz të dridhshme mendimi
E i kullos fjalët e përgjumura
Duke marrë rrugën për në zemër
Rrethuar me një paqartësi domethënëse.
Pse plus pse baras me një grusht mjegull
Ne lindëm nga një Pse
Dhe kërkonim të ishim Sepse
Por s’mund të ishim më tepër
Se Pse plus Pse
E Pse plus Pse = me një grusht mjegull
Kërmill
Të duhet kohë ta kuptosh
Se je një kërmill
Që ju ngjite një mali
Të cilin e krijove vetë
Kjo është humbja jote
Fitorja jote gjithashtu.
Heroi
Sot, nxënës të dashur
Do flasim për figurën e heroit
Por përpara se të flasim
Duhet t’i marrim shpatën
Dhe ta zbresim nga kali
Ta dërgojmë në shtëpi
Të çmallet me gruan
Fëmijët e të afërmit
Po pati kohë
Le të dremisë e ca sigurisht
Të kryejë dhe nevojat personale
Më pas do t’i shtrojmë
Një gosti të bollshme
E kur ai të fillojë të pijë
E të këndojë vargjet e Kajamit
Atëherë ne do të fillojmë të flasim./Andi Bejtja/