Historia e një fotoje dhe e vërteta e Kajë Gale –Selmanja, malësores që u shndërrua në legjendë
Albert Vataj
Foto e kësaj gruaje malësore e fillimshekullit të shkuar, është stampuar në kartolinat e kohës me mbishkrimin “Kujtim nga Shqypënia”, “Nuk a grue por ashtë Krajlic/ Katër Krêna i pret n’sakic”. Përkundër një stampimi tjetër, ndoshta i mëvonshëm që mbanë mbishkrimin frëngjisht “Souvenir de Scutari d’Albanie”, më e plotë si imazh, ndoshta për arsye të qendërzimit të objektit, i cili të kishte një harmonizim grafik në rast stampimi dhe riprodhimi për qëllime komerciale. Të dy këto stampime e datojnë foton 25 janar 1910 dhe e shoqërojnë me diçiturën: Gruaja shqiptare nga Shkodra, me një jelek të qëndisur, një rrip të konsiderueshëm (me rrathë për të varur gjërat) dhe shami me lule”
Në një tentativë për të ditur më shumë, ndoshta edhe për të lidhur foton, e cila thjeshtë mund të jetë stampuar ose realizuar si foto në Shkodër, por që kishte lidhje periferike me këtë kryeqendër të Veriut, edhe duke ju referuar dyvargëshit, që me shumë gjasë ishte një riprodhim i ndonjë fragmenti kënge ” “Kajë Selmanja o ku je/ N’krye Nokshiqit me shkij tuj pre”, dedikuar kësaj gruaje, e pasuruar me të tjera vargje të rabsoditë, “Nuk a grue por ashtë Krajlic/ Katër Krêna i pret n’sakic”. Arrita të gjej dhe ta bashkëngjis historinë me foton. Sepse, si në rastin e Norës së Kelmendit, Tringë Smajlajt, apo Mrikës që mori gjakun burrit edhe në këtë rast, foto e personalizuar domosdoshmërish do të kishte të bënte me një histori, me një personazh, me të vërtetën që vjen nga thellë në kohë, përmes këngëve, por edhe trajtesave me karakter historik.
Madje jo vetëm kaq, sipas Prof. Adem Geca, të cilit po o referohemi për të zbardhur këtë figurë emblematike gruaje, Kajë Galin –Selamanja, dhe i biri, Ymer Maliqin, janë dekoruar nga Presidenti, Sali Berisha, më 1993 për aktin e tyre të qëndresës heroike me armë në dorë në luftë kundër malazezëve.
Dhe ja ku jemi, në kryengritjen e armatosur që ndodhi në Gjakovë dhe rolit që patën jo vetëm burrat por edhe gratë si Kajë Galin –Selamanja.
Siç dihej, me aksionin diplomatik të pranverës së viti 1879, Lidhja Shqiptare e Prizrenit i’a hoqi Portës së Lartë të drejtën të fliste në emër të Shqipërisë, se tash e mbas do të jenë shqiptarët që do të flasin dhe veprojnë në emër të fatit të tyre.
“Veç kësaj qëndresa e saj heroike bëri që të zvarriteshin e të mos zbatoheshin menjëherë vendimet e Kongresit të Berlinit që cenonin interesat kombëtare të Shqipërisë, në favor të Malit të Zi, Greqisë dhe Serbisë..” Fuqitë e Mëdha ishin dakorduar në mes tyre, kundër interesave jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i përdorur teritoret e tyre si monedhë për kusuritje në favor të shteteve monarkiste te Ballkanit.” sqaron Prof. Adem Geca, në shkrimin e publikuar më 30.09.2010, Banjë.
***
Në një telegram të banorëve shqiptarë të trevave Plavës dhe Gucisë, dërguar kancelarive të Fuqive të Mëdha, lidhur me dhënien e këtyre trevave tërësisht shqiptare Malit të Zi thuhet: ”Kemi mësuar se ju jeni dërguar nga qeveritë tuaja, për caktimin e kufijve të Malit të Zi. Caktimi i kufijve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e gjithë Shqipërisë”. E drejta e shqiptarëve nuk gjeti të drejtë. Fjala mbeti e pafuqishme përballë copëtimit të trojeve shqiptar.
Vendimet antishqiptare për zbatimin e detyrimeve territoriale ndaj Malit të Zi për forcat atdhetare liridashëse që punonin dhe vepronin në kuadër të Lidhjes Shqiptare, do të thoshte luftë deri në vdekje. Gjithëfarë premtimesh banorëve të Plaves dhe Gucisë ju ofruan, veë ta pranonin aneksimin, populli dhe paria ishin të prerë, jo dhe jo, asnjë pëllëmbë tokë se lëshojmë. Këngëtari popullor këtë moment jetik për këtë popullatë e përjetësoi kështu
” Amanet gjysht na e kanë lanë/ ” Mos e lshoni ketë vatanë ”
Marko Milani me 5600 forca u nis drejt kufirit shqiptar. Përball kësaj gjendje tepër të rëndë Komiteti luftarak i Lidhjes se Prizrenit lëshoi kushtrimin. I madhe e vogël, burra e gra u bënë qëndresa e mbrojtjes së Shqipërisë nga copëtimi. Gjaku shkoi lum!
Sipas dëshmive të vetë luftëtarëve malazeze, rezistenca shqiptare ishte t’merruese, sipas gojëdhënave të tyre, çdo kaçubë, gurë, gardh e trung, nxirrte nga një ushtarë a shumë ushtarë. Lufta vërtetë ishte e tmerrshme deri në fyt më fyt. Ditën e parë të betejës në mes burrave që u dalluan, ishte dhe një grua, bijë e Rugovës martire e shtëpisë se Bajraktarëve të Koshutanit, e martuar në Nokshiq, te fisi i Buçajve. Të gjithë e njihnin me emrin Kajë Galë -Selmanja. Ishte e bija e Shaban Smajlit, fëmija e dy vëllezërve me Zhujë Selmanin e Koshutanit. Këngëtari popullor, për të cilin besohet së duhet të ketë qenë diku në radhët e para të zjarrit të luftës shprehet: “Motra e Zhujit një qafë kapricë, katër vetë po i pret sakicë”. Këtë përkufizim të përafër e gjejmë në mbishkrimin e fotos që shoqëron gruan malësore që është Kajë Galë – Selmanja, “Nuk a grue por ashtë Krajlic/ Katër Krêna i pret n’sakic”.
Heroizmi i pashoq i Kajës dhe trimërisë shqiptare bënë që S .A.Vokshin, Kreu Ushtarak i Lidhjes Shqiptare ta sjell në Nokshiq. Në shenjë nderimi S .Vokshi, luaneshën e Luftës së Nokshiqit e nxori para ushtarëve shqiptarë dhe për merita luftarake i dhuroi një pushkë me njëqind fishekë. Sipas Shefqet Cahanit i kishte thënë “mbaje ketë pushkë, tani e tutje sa herë te sulmohemi, përgjigju me ketë.”
I pyetur për aktin heroik të pashembullt në këtë qindëvjeçar të Kajë Galit Selmanës, nipi i saj Syla, i rrëfeu autorit: ”Për këtë ngjarje nënë Kaja nuk fliste me ëndje, por për trimërinë e saj të pashoqe më shumë flisnin të tjerët. Ishte dita e parë e Betejës së Nokshiqit. Burrat e fisit të Bucajve kishte kohë që ishin bashkuar me luftëtarët e lirisë, ndërsa familjarë, gra dhe fëmijë ishin strehuar në një vend pak a shumë larg rrjedhës së luftës. Kaja nuk kishte dashur ta lëshoi shtëpinë dhe gjënë e gjallë që nuk ishin pak. Papritur në fshat po depërtonin forcat malazeze. Shtegu ishte mbyllur për t’iu bashkangjitur familjarëve të shtëpisë dhe atyre të fshatit. Derisa po drejtohej për në kullë, papritmas në oborrin e shtëpisë kishte hyrë, Sadri Groshi, plaku 85-vjeçar. Edhe ti mu deshe, kishte pëshpëritur Kaja atëherë, duke besuar së ai mund t i sillte vetëm telashe, sqaron më tej në shtjellimin e tij, Prof. Adem Geca,
E zë për krahu dhe e futë në kullë. Derës se kullës i’a vë drangun, (shulin). Ngjitet në katin e dytë. Nxjerr një pushkën dhe fillon rezistencën nga frëngjitë e kullës. Fishekë i kishin qëlluar pak, por pozicioni i saj ishte ideal, një plumb një malazez. Nderisa Kajë Galja shtinë herë nga njëra, e herë nga tjetra frëngji, Sadri Groshi e kishte për detyrë të thërriste me sa zë që kishte: Priti djemtë e Maliqit, priti! Kur u mbaruan fishekët edhe dera e kullës u thye, malazezet u lëshuan drejt katit të dytë të kullës. Atëherë Kaja e vendosur që të vazhdoj rezistencën deri në fund. E tërheq pas dere Sadrinë, merr një sopatë dhe…
Hyn ushtari i parë Kaja, bam me sopatë e malazezi pa kokë.
Hyn i dyti, Kaja bam, i treti, i katërti, të njëjtin fat patne.
Pas tërheqjes së ushtarëve malazezë, kishte treguar Sadriu, lamë odën të lame në gjak. Atëherë pashë se edhe Kaja ishte plagosur, por nuk e jepte veten. Gjatë përpjekjes për t’ia lidhur sadopak plagën ia bëhu Gali i tmerruar. “Po ku ishe bre, të bloftë gjaku si te paska blue!“ Ndërsa Kaja sikur të mos kishte ndodhur asgjë i që përgjigjur,”Ja siç e sheh.”
Atëherë Sadriu e merr për dore dhe e ngjet lartë në kullë. Ç`të shihte, malazezë të shtrirë sa gjerë e gjatë me koka e të prera që ishin zhytur në gjakun e tyre. Akti heroik i Kajës u bë motiv. Kështu flitej e ende flitet ndër nokshiqasë, për aktin heroik të kësaj bije të Rugovës. Dhe siç ishte në traditën e shqiptarëve, Kajës i takonte nderi të qëndronte përbri atyre trimave që ishin dëshmuar duke u përgjakur nëpër beteja me armiq.
Rezistencën familjare të kësaj dre, si ora e mirë e maleve e kishte përcjellur edhe gjeniu popullor përmes vargjeve. Në rezistencë tanimë nëna me t’bijat, Begen dhe Lacen, dhe t’bijtë, Zymerin dhe Ymerin të rrethuar për jetë o vdekje.
Heroizmi i Kajë Galit, si figurë strumbullari në këtë punim bëhet pra edhe më bindes kur në rezistencë e shohim si kolektivitet, e gjithë familja. Rethimi që përshkruhet në këngë i takon vitit 1918 me ç`rast i vritet i biri Zymeri.
Gali, burri i Kajës vritet në luftë të Nokshiqit dhe sipas traditës Kajës i imponohet që përsëri të martohet në ketë familje me Maliqin, i cili po ashtu vritet herët në përpjekje me malazezët. Maliqi burri i dytë i Kajës nga martesa e parë kishte katër djem, Jahen, Sylen, Delinë dhe Alinë, të gjithë të vrarë ne prita e përpjekje te vazhdueshme me malazezë gjatë periudhës kohore 1913-1946. Katër djemtë e Maliqit, asnjëri nuk kishte arritur të kalojë moshën 23-vjeçare, përvec Delisë, i cili pas vrasjes kishte lënë vetëm një vajzë, Xhemilen të tjerët nuk ishin të martuar. Kjo më së miri ilustron fatin e sa e sa gjeneratave mbi të cilat u luajt tragjedia e një drame vrastare, për një popull që nuk kërkonte asgjë përveç të qëndronte i lirë në tokën e tij. Dhe do të vazhdonte që kjo familje, kjo nënë legjendare, të lindte e të rritte trima që dhanë jetën për liri. Me gjak e lanë tokën e të parëve.
Të tjerët për Kajë Galin-Selmanin. Sylë Buçi, me krenari flet për karakterin prerë të gjyshes së tij, duke treguar rastin kur ajo ishte në betejë e sipër me t’birin Imerin, kur Imeri i plagoset, shokët e thërrasin shpatë me shpatë: “Oj Kajë Galja, O hoja, O tu ka plague djali more”, ajo me gjakëftohsinë më të madhe shpatë me shpatë i përgjigjet, atij.” Për hajër palgët se unë po shkoj më tutje për Shekuallar me shokët e mijë”.
Kajë Galin-Selmanin, jetoi 100 vjet. Nga fiziku ishte afër 2 metra e gjatë, vajzë e bukur, nuse e bukur, dhe kjo bukuri e shoqëroi edhe në pleqëri. Nga karakteri e rreptë, e drejtë, kërkonte ta nderonin të tjerët,sepse i nderonte ata. Respekt të veçantë kërkonte nga gratë e shtëpisë, atë s’guxonte kush nga gratë ta priste ulur. E respektonte fenë dhe i kryente detyrimet me mundësinë që kishte. Armët si hoqi kurrë nga brezi. Duhanin dhe kafen i kishte pasion, nga stolitë i donte unazat, gjithnjë i mbante në gishtat e dorës. Por mbi të gjitha gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë e kishte medaljonin e sermit që ia kishte dhuruar për trimëri dhe veprimtari patriotike, Sylejman Agë Vokshi. Ky medaljon i përkujtonte ditët e stuhishme të trimërisë, shumë kujtime nëpër beteja dhe këtë medaljon e barte me krenari të ligjshme..
Historiku i këtij medalioni është i çuditshëm, sqaron studiuesi.
Si udhëtoi deri në Stamboll, mbetet të hulumtohet Pof Cahani, deklaron se e zbuloi në një paralagje të Stambollit të banuar me popullatë boshnjako-shqiptare të Sangjakut dhe shqiptaro-rugovase. Siç thotë Cahani, gruaja nga e cila e bleva medaljonin, kërkonte të mbetej anonim.
Siç shprehet i nipi Sherif Buçaj, bashkë me medaljonin e zhdukur të Kajës, duket se u zhduken atë ditë kur u gjet i vdekur Ymeri i biri i Kajes në Koshutan, gusht 1946. Bashkë me medaljonin u zhduken, qosteku me sahat i sermtë, çibuku, revolja personale dhe pushka, të cilat si hoqi kurrë!
Eshtrat e saj prehen në mesin e varreve të Nokshiqasve. Asgjë s’ka mbetur tjetër shqiptare veç atyre. Vitin e shkuar, pllakën ia ngriti i nipi Syla bashkë me Sherifin.
Prof. Adem Geca rreket të përcjellë me detaje gjithë historikun e kësaj gruaje dhe të familjes së saj, si një përpjekje për të fiksuar në kujtesë të qëndresës dhe rezistencës së armatosur të burrave dhe grave të kësaj toke në mbrojtje të vatanit dhe lirisë.
I grishur nga fotografia dhe dyvargëshi i këngës “Nuk a grue por ashtë Krajlic/ Katër Krêna i pret n’sakic”, stampur mbi të, nga pamjaftueshmëria e informacionit për këtë grua që i bashkohet aradhes së grave të malsisë, atyre që ishin bija, gra e nëna, por që në historinë e shqiptarëve mbeten heroina, vepra dhe aktit heroik i të cilave është shembull frymëzimi, nderimi dhe mirënjohjeje, u përpoqa të bëj diçka.
I mbështetur nga trajtesa e Prof. Adem Geca dhe publikimi i Adem Kelmendi, besoj se edhe ky shtjellim kontribuon modestish për të mbushur hendekun e vërtetësisë dhe qartësimit, jo vetëm të historisë së një fotoje, por edhe përjetësisë së emrit dhe veprës së Kajë Gale –Selmanja.