Historia e Qamilit, dikur emigrant, por sot furizon Europën me shalqinj
Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka ndarë në rrjetin social facebook, historinë e Qamilit nga Kukësit, i cili dikur emigrant në Greqi dhe sot ka fermën e tij në Durrës, prej 15 ha tokë.
Historia e shkruar nga Ministri Niko Peleshi
Qamili është nga Kukësi, emigroi në Greqi ku punoi në fermat e bostaneve, mësoi punën dhe tani ka ndërtuar fermën e tij në ShënVlash të Durresit, prej 15 ha tokë.
Nuk kishte asnjë metër katror tokë, por kishte më shumë besim se shumë të tjerë që e patën lënë djerrë tokën. Së bashku me rreth 20 fermerë të tjerë, kanë ndërtuar një fermë ku secili punon në tokën e vet, por shesin së bashku tek Adriani.
Nuk e kanë problemin e shitjes së prodhimeve sepse punojnë mbi bazën e marrëveshjes paraprake me grumbulluesin, Adrianin. Nuk e vendosin vetë se çfarë do të mbjellin, por mbjellin atë që porosit grumbulluesi, pra atë që kërkon tregu. Shalqinjtë e kësaj ferme eksportohen në Zvicër, Poloni, Estoni, Hungari, Çeki etj. Nuk kanë asnjë reklamim për cilësinë e prodhimit.
Ka shumë fermerë të tillë, që e kanë gjetur rrugën e rritjes edhe kur shteti ka munguar. Por duhet të jenë edhe më shumë, shumë më shumë. Për të mirën e tyre, për të mirën e ekonomisë kombëtare, për të mirën e shoqërisë. Por kjo nuk është vetëm në dorën e tyre dhe detyra jonë nuk është vetëm të flasim për dështimet e fermerit shqiptar.
Detyra jonë është të rritim mbështetjen, investimet dhe këshillimin. Megjithë punën e madhe të bërë në këto vite, shumë ngelet për t’u bërë në këtë drejtim, padyshim. Por le të flasim pak më tepër për Qamilin dhe për shumë të tjerë që japin 20% të “Prodhimit të Brendshëm” dhe që rritin eksportet shqiptare me 20% nga viti në vit.
Për ironi, sa më shumë pranohen produktet tona në tregjet e BE-së aq më tepër shtohen lajmet false apo ekzagjerohen lajmet për produktet bujqësore të pasigurta dhe jo cilësore.
Kemi nevojë për një kuptim tjetër të patriotizmit.
KOHA JONË SONDAZH

