Historia e trenit nazist të zhdukur me disa tonë flori

E ndërsa kërkimet për gjetjen e një treni nazist të mbushur me flori nuk po prodhojnë asnjë rezultat, një grup të apasionuarish pas historisë në Poloni kanë vendosur ta ndërtojnë vet një të tillë.

Punimet për imitimin e trenit të blinduar gjerman po zhvillohen brenda një ish-fabrike në Gluszyca, më pak se 15 km larg Walbrzych, ku po kryhen kërkimet për trenin origjinal, pavarësisht të dhënave kontradiktore mbi ekzistencën apo vendndodhjen e tij. Ndërtuesi Slawomir Suchorowski vendosi së bashku me grupin e tij se kishte ardhur koha ta merrnin vet në dorë mitin e trenit nazist.

“Idea erdhi nga kërkimet e gjata nga eksploruesit në Walbrzych për trenin legjendar të mbushur me flori, por që fatkeqësisht nuk po gjendet. Kështu vendosëm të ndërtojmë një tren në shkallën 1 me 1 dhe deri më tani puna ka qenë e suksesshme. Kemi ndërtuar vagonin e parë të blinduar dhe më pas do të bëjmë edhe 3 të tillë, e gjithashtu lokomotivën”, tha ai.

Edhe ish-fabrika ku po ndërtohet treni u ka shërbyer nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Kur të jetë gati, e gjithë zona do të kthehet në një atraksion turistik, në përpjekjen për të rigjallëruar popullaritetin në vend.

Treni imitim është 12 metra i gjatë, trupi i tij përbëhet nga laminati, ndërsa rrotat nga çeliku. Që të duket si autentik, ai ka nevojë edhe për një shtresë boje.

Sipas burimeve historike, treni origjinal u ndërtua në vetëm 3 javë në vitin 1945, me pjesë të marra nga automjete të ndryshme në një fabrike të Vroklavit të sotëm. Ai ishte i pajisur me dy armë automatike dhe një stacion radioje. Në të operonin 100 punonjës hekurudhash dhe ushtarë. Pavarësisht informacioneve të detajuara për ndërtimin e tij, ekzistenca e trenit nuk është konfirmuar plotësisht dhe fatit i tij pas luftës mbetet një mister. Top Channel

SHKARKO APP