Historia frymëzuese e Izet Onuzit
Izet Onuzi ka humbur të gjitha gjymtyrët e tij në një aksident automobilistik, por nuk është dorëzuar kurrë. Ai tani drejton një shoqatë për personat me aftësi të kufizuara dhe i ndihmon ata duke i pajisur me proteza në këmbim të asnjë pagese. ”Kam humbur 4 gjymtyrët duke udhëtuar me kamion, aksident fatal. Unë jam rasti që nuk i kam të gjitha gjymtyrët, por i madhi zot më dha një kurajë të jashtëzakonshme dhe unë vazhdova jetën përsëri se njeriu duhet ta pranojë dhe të mirën dhe të keqen”.
Pas 26 vitesh nga aksidenti Izeti, jo vetëm që ka arritur të ecë para, por është kthyer dhe në një shpatull ku mbështëten qindra persona në nevojë. Ai drejton shoqatën ”Shpresa për jetën” dhe ka gjithashtu një oficinë ku krijon proteza për të gjitha ata që ai i quan bashkëvuajtësit e tij. ”Unë pas disa viteve pas aksidentit, pas një shërbimi në slloveni më erdhi ideja të hap një qendër rehabilitimi për të gjithë bashkëvuajtësit e mi, mundohemi të ndihmojmë të varfrit që nuk kanë mundësi”. Në këtë nismë që ka ndërmarrë, Izeti nuk është i vetëm. Djali i tij, është teknik protezash dhe punon në ofiçinë në mënyrë krejt vullnetare. Çdo gjë bëhet në mënyrë vullnetare, dy teknikët e protezave janë në mënyrë vullnetare. ”Kam edhe djalin tim teknik protezist është trajnuar në Maqedoni, duke u rritur me vuajtjet e mia djali im donte të vazhdonte këtë fushë e t’ju vijë në ndihmë dhe të tjerëve”.
Vetëm në qendrën e tij janë riregjistruar 200 persona në nevojë që presin me shpresën që së shpejti të kenë një protezë që do u lehtësojë atyre jetën. “Ne tani që nga 2013 e deri tani ndihmojnë rreth 20 persona në vit. Unë kam shumë raste që kanë nevojë urgjente për proteza dhe janë izoluar në shtëpi. Ne jemi munduar që të japim shërbimin e duhur, por me shumë vështirësi se nuk kemi lëndën e parë të nevojshme për prodhimin e protezave, por gjithmonë kam ecur me shpresa se vetë titulli i shoqatës është “Shpresa për jetën për të gjithë bashkëvuajtësit e mi”. Izeti nuk kërkon asgjë tjetër veçse çdokush që ka mundësi t’u vijë në ndihmë këtyre personave në nevojë. ”Shumë persona që vijnë të unë kërkojnë ta mbarojnë më shpejt protezën se nuk lëvizin dot pa protezën. Unë iu bëj thirrje të gjithë donatorëve që të vijnë ta shohin çdo gjë nga afër se si punohet si është jeta e një personi deri te marrja e protezës. E shoh me vështirësi por jo të paarritshme, jo të pamundur”.
Burimi: Euronews
KOHA JONË SONDAZH

