Historia KJ/ Gramoz Pashko: Shqipërisë po i troket sërish në derë diktatura

-Botuar me 3 korrik 1992-

Drejtuar: Gazetës “Koha Jonë”

Bashkëngjitur po ju dërgoj një kopje të Memorandumit drejtuar sot Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, si dhe një kopje të tekstit të peticionit prej rreth 1500 firmash, mbledhur mbrëmë, vetëm brenda 4-5 orësh në zonën elektorale nr. 99, deputet i së cilës jam unë. Mbledhja e firmave për peticionin vazhdon. Nisur nga mendimi se informacioni është mjet kryesor i demokracisë, në këto momente kur në mjetet e informacionit po trajtohet “çështja Pashko” e shoh të arsyeshme që si deputet, t’ju vë në dispozicion materialet që kanë të bëjnë me statusin dhe mandatin tim.

Me nderime deputeti Gramoz Pashko

Tiranë, më 29.6.1992

——————————————————————————–

PETICION

Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Ne zgjedhësit e zonës elektorale nr. 99 në Vlorë, pasi dëgjuam nëpërmjet mjeteve të informacionit deklaratën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, lidhur me përjashtimin e deputetit tonë të nderuar Gramoz Pashko të indinjuar deklarojmë se:

Me mënyrën se si grupi parlamentar veproi me deputetin Gramoz Pashko ne e konsiderojmë fyerje që na bëhet si zgjedhës. Figura e deputetit dhe liria absolute e fjalës së tij një nga parimet bazë të demokracisë, që buron nga dispozitat kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e që është e tillë pikërisht për atë që deputeti, me mandatin e një zone prej 20 mijë zgjedhësish përfaqëson në Parlament zërin e tyre. Ku e gjejnë këtë të drejtë që na takon neve, deputetë të tjerë të barabartë me të, t’i bëjnë gjyq deputetit. Këto janë shenjat e ndarjes së një partie nga populli. Ne si zgjedhës e quajmë të paligjshëm vendimin e njëanshëm të marrë kundër zotit Pashko, sepse kjo që duket vetëm si shkelje e një formalizmi kushtetues është në fakt dhunimi i demokracisë. Ne kërkojmë që me anë të këtij peticioni t’i japim zotit Pashko pëlqimin tonë për t’i vënë në vend personalitetin e tij kushtetues të cenuar, si dhe të tregojmë para opinionit publik se askush qoftë ky edhe një grup deputetësh i çdo lloj partie nuk ka të drejtë të ulë dinjitetin tonë.

————————————————————————–

MEMORANDUM

Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Zotërinj, më lejoni t’ju njoftoj se në mbledhjen e sotme nuk marr pjesë për arsye se:

Pas takimit që pata dje (të dielën) me zgjedhësit e mi në Selenicë, Armen, Peshkëpi etj., konstatova se zgjedhësit e mi e ndiejnë veten të fyer dhe janë indinjuar nga qëndrimi antikushtetues i grupit parlamentar të PD, gjë që nxiti popullin të dalë me një peticion, kopja e të cilit i është bashkangjitur këtij Memorandumi. Shumë firma të këtij peticioni që do ta quaja një referendum për votëbesim, po vazhdojnë të mblidhen dhe do të bashkëngjiten së shpejti. Ky fakt më detyron që në këtë moment të respektoj statusin e deputetit dhe të bashkohem më protestën e zgjedhësve. Do të ishte një dhunim i aspiratave të mia demokratike nëse për kapriço klanesh ose individësh do të pranoja që nderin dhe dinjitetin e deputetit, përfaqësuesit të popullit, t’ia nënshtroja psikologjisë totalitare, psikologji kjo e cila tanimë dihet mirë se ku i ka rrënjët. Është i patolerueshëm dhe antidemokratik qëndrimi i mbajtur po dje nga dy deputetë dhe drejtues të forumeve kryesore dhe lokale të partisë, Tomorr Dosti dhe Roland Tafili,  të cilët ishin shpërndarë në zonën time elektorale për të manipuluar popullin kundër meje dhe për të nxitur kryesitë e seksioneve lokale që të shkruanin deklarata solidarizimi me vendimin e marrë nga grupi parlamentar për përjashtimin tim. Kjo po izolonte kryesitë e seksioneve të PD në një kohë kur populli po shprehte përkrahjen e tij ndaj deputetit. I kërkoj Këshillit Kombëtar të PD të pozicionohet ndaj këtij apeli të popullit. Qëndrimi që do të mbahet ndaj peticionit do të përcaktojë edhe vendimin tim për anëtarësimin e mëtejshëm të Këshillit Kombëtar e në Partinë Demokratike. Duke ju uruar sukses të plotë mbledhjes suaj ju ritheksoj kredon time se nuk do t’i nënshtrohem asnjë mbledhjeje që shtyp frymën e demokracisë dhe liritë e individit që rrjedhin prej saj.

Mbetem në respekt. Tiranë më 29.6.1992

Gramoz Pashko

Kopja i është dërguar edhe kryetarit të PD, Eduart Selami, zëvendëskryetarit të PD, Arben Imami, Zëvendëskryetarit të PD Ali Spahia.

Kopje u janë dërguar gjithë shtypit shqiptar dhe të huaj, agjensive të huaja, ATSH dhe RTSH.

DEKLARATË

Në përgjigje të deklaratës së grupit parlamentar të partisë demokratike

Zotërinj! Dje kam qenë në elektoratin tim për të biseduar lidhur me problemet që janë shfaqur këto ditë në grupin parlamentar të PD. Kam biseduar me zgjedhësit në qytetin e Selenicës si dhe në dy fshatrat Armen dhe Lubonjë. Ata ishin të indinjuar. Elektorati ndiente indinjim se si përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, iu bë gjyq publik nga një grup deputetësh të barabartë. Zgjedhësit e quajtën këtë një dhunim të demokracisë dhe me një lloj referendum votëbesimi nënshkruan një peticion që i drejtohet edhe Parlamentit. Këtij apeli popullor unë jam i detyruar t’i qëndroj besnik për shkak të betimit që kam bërë, jam i detyruar të bashkohem me atë që kërkoj në njerëzit e zonës sime.

Herë pas here njerëz të ndryshëm të zonës sime, me kohë më kanë sjellë mesazhe për gjendjen e rëndë në të cilën jetojnë. Muaj të tërë pa vaj e sapun, me tarifa të SMT që i këpusin në mes. Populli është i pasigurtë për reformën ekonomike, i pasigurtë për burimet financiare nga jashtë. E pra, elektorati i zonës që unë përfaqësoj do të dijë ku janë premtimet që i kemi bërë gjatë fushatës elektorale, pra populli kërkon transparencë. Ai ishte indinjuar sepse kish dëgjuar projektin për ta bërë Vlorën nënprefekturë të Fierit dhe i dukej se pas kësaj po shkohej drejt një ndarjeje Jug-Veri. Si mund të lihet Vlora një zonë e dorës së dytë, Vlora e Pavarësisë, Vlora e luftës së 1920, e Revolucionit të 1924, e Ismail Qemalit, e Qazim Koçulit, e Nacional Çlirimtares, por dhe nacionalistëve kundër okupatorit në 1939-1944.

Duke pasur parasysh këto probleme ngrita çështjen e pushtetit lokal dhe të ndarjes territoriale të vendit, e cila duhej të bëhej mbi bazë ligjore. Në grupin parlamentar dhe në Kuvend u akuzova për thyerje të disiplinës së grupit, dhe pse jo nga ndokush për agjent të socialistëve dhe madje që atë ditë u bë insinuata për përjashtimin nga grupi. Përse vallë flet kjo shfaqje, për demokraci naive apo për naivitet demokratik?

Kam ngritur çështjen e gjyqit të bllokmenëve për hir të drejtësisë kam kërkuar sqarimin e figurës së Ramiz Alisë, kam kërkuar të hidhet drita e vërtetë mbi gjyqin e Shkodrës, mbi skandalin financiar të kambizmit që na ka futur në borxhin e pamasë dhe bllokimin me Bankat e huaja. Kam kërkuar ekspozimin e së vërtetës për korrupsionin financiar dhe të personit tim dhe kam insistuar për hapjen e dosjeve. Për këto mbase kam trembur ndokënd, sepse jo vetëm kanë rënë në vesh të shurdhër por kam vënë re se po më censurohen fjalët, si në Parlament ashtu edhe në shtyp e RTV.

Deklarata e grupit parlamentar të PD qëndronte shumë më poshtë se mendimi i partisë që ai grup përfaqëson. Ajo ishte mbushur me elemente spekulative dhe demagogjike, gjë që u vu re një natë para kësaj deklarate nga diskutimet e shumë deputetëve, kur u fol për zbulim taktikash dhe strategjish, për spiunë, që sikur thurin skenarë e që qendrat i kanë jashtë etj. Në ç’numër vepre i kanë gjetur vallë këto? Bëhet lidhje e shkurtër me sabotimin e çështjes së Kosovës, siç është bërë e njëjta lidhje me ngjarjet e 2 korrikut 1990 nga regjimi i atëhershëm. Të gjithë e dinë se jam i pari politikan shqiptar që jam takuar me Rugovën dhe kam nënshkruar aktin e bashkëpunimit midis LDK dhe Partisë Demokratike. Të gjithë e dinë se jam shprehur hapur për zgjidhjen e çështjes në kuadrin Evropian dhe në të gjitha qarqet evropiane kam ngritur zërin që Millosheviçi të trajtohet si Sadami. Dhe për këto deklarata nuk ka fjalë për dokumente. Fjala e lirë që përfaqëson mendimin e zgjedhësve të tu, qenka arsye inkriminimi të deputetit nga një rregullore që s’e njeh kurrkush, që s’e kam firmosur ndonjëherë dhe që u vendoska mbi Kushtetutën dhe betimin e deputetit, (kujtoni nenin 22 të Dispozitave Kushtetuese). E vërteta është se ky Parlament shumë shpejt po rrëshqet jo në demokraci por në oligarki.

Lidhur me problemin e Azem Hajdarit, atij i censurohet intervista, nga kush dhe përse? Thuhet që i mori leje grupit parlamentar për t’u larguar, por përse nuk thuhet a ishte i revoltuar Hajdari apo jo, ç’tha ai në mbledhje të grupit një ditë para se të ikte për disa drejtues të sotëm të PD? Ç’i thoni ju kësaj? Nënkryetari dhe themeluesi i PD ikën për disa muaj jashtë shtetit dhe zyrtarisht nuk e përcjell asnjë nga partia e tij. Unë që kërkoj të nderohet bëkam një krim. Ndërkohë grupi parlamentar në mbledhjen e tij sa nuk e bënë armik Azem Hajdarin, ndërsa para publikut thotë se ka ikur për shkollë. Kjo tingëllon qesharake se nuk po kuptoj cilin kërkon të gënjejë grupi parlamentar, veten apo popullin.

Deklarata ime e datës 23.6.1992 në vetvete shpreh shqetësimin e  përgjithshëm se problemet e demokracisë janë bërë tepër të vështira, por mungesa e transparencës po i shumëfishon vështirësitë. Hermetizmi po krijon pakënaqësi, dhe pse jo deziluzion. Në Parlament vijnë ligje të dobëta që po cenojnë rëndë formimin e shtetit juridik dhe po krijojnë precedentë të pashembullt. Ligji mbi ndërmarrjet më është dukur ligji më i dobët në historinë e Shqipërisë. Ai është centralist dhe do të shtrembërojë krejt reformën ekonomike. Bie rëndë në kundërshtim me parimet e reformës dhe me rekomandimet e FMN dhe të Bankës Botërore. Është demagogji që thuhet se kemi marrë mendimin e tyre apo duam t’u hedhim atyre hi syve. Kërkoj pesë herë, që Qeveria të vijë në interpelancë, që të ndihmohet prej nesh dhe nuk vjen. Kërkoj me komisionin ekonomik 4 herë ministra të ndryshëm të vijnë dhe vetëm një ndër këto takime arrin të realizohet. Për çdo ligj thuhet që le të kalojë se është i përkohshëm. Dhe ky për mua është diletantizëm në ekonomi, në politikë dhe në demokraci. Është deklaruar për reformë më 1 korrik. Me ç’buxhet, me ç’të ardhura, me ç’shpenzime? Si do t’i shpjegohet fshatit që buka do të bëhet 25 lekë? Si do t’i shpjegohet kalimi në asistencë i 283 mijë vetëve pa u rregulluar siç duhet mekanizmi i funksionimit të ndërmarrjeve? Si do të shpjegohet frenimi i inflacionit që ka arritur katërqind për qind dhe që do të thotë që rroga e sotme dy mijë lekëshe nuk vlen as 400 lekë të dhjetorit 1990. Ku i ka Qeveria burimet financiare, ku i kemi premtimet që i kemi dhënë elektoratit para zgjedhjeve? Nuk janë halle këto? Deri tani mund të jenë siguruar 50 milionë dollarë, mund të sigurohen edhe 100 të tjerë kur duhen 500 milionë. Investimet e huaja nuk po afrohen. Bankat e huaja mbeten të bllokuara. Nga dhjetori në maj defiçiti buxhetor është dyfishuar. Ai rritet tre herë më shpejt çdo muaj nga mesatarja mujore e vitit që shkoi, pra 1 miliard lekë në muaj. Nga do të sigurohen këto para? Atëherë na fusin në rrugën e ekonomisë së komanduar, rriten taksat, shumëfishohet çmimi i benzinës, sekuestrohen mallrat e tregtisë së privatëve, organizohet një ushtri e armatosur kundër kapitalizmit që sa ka filluar, me anë të policisë financiare dhe kontrollit të shtetit. E pra unë jam kundër të gjithë këtyre dhe do të qëndroj kundër të gjithë këtyre. Unë them se situata mund të zgjidhet. Hajde ta zgjidhim. Sa herë janë diskutuar këto në PD, sa herë në Parlament, sa herë në TV? Asnjëherë. Në Parlament na kërkohet të ngremë vetëm kartonin jeshil dhe aspak nuk kërkohet mendimi racional. Mendimi i pakicës brenda grupit parlamentar nuk respektohet kurrë.

Në deklaratën e grupit parlamentar të PD, flitet për korrupsion ekonomik dhe politik. Nuk është në nderin e deputetëve të deklarojnë me aluzione të cilat, të pafaktuara, mbeten fyerje e shpifje. Deklaratat janë me përgjegjësi para historisë për fjalët që përmbajnë. Le të hapin zotërinjtë akuzues në këtë tribunë letrat dhe faktet në rast se i kanë.  Në rast se nuk kanë të tilla është përgjegjësia e tyre e rëndë se po mashtrojnë popullin. Përgjegjësit le të dënohen.

Përmendet në deklaratën e grupit parlamentar të PD “ceku i bardhë”. Nuk po e zgjas por po i sqaroj këta njerëz, “ceku i bardhë” ishte ajo që bota filloi të realizonte: futje në KSBE, futje në FMN, në Bankën Botërore e atë Europiane. Ceku i bardhë janë dy vjet ndihma për Shqipërinë që prodhon sot vetëm monedhë me letër e bojë  e asgjë tjetër.

Përmendet zhvarrimi: e deklaroj se zhvarrimi në mënyra të atilla bie në kundërshtim me moralin tim të krishterë. Ky moral për zhvarrimin është i njëjtë me moralin e Evropës pjesë e së cilës duam të bëhemi.

Përmendet deklarata ime për Qeverinë e Stabilitetit. Unë i qëndroj përmbajtjes së asaj deklarate. Katastrofa ekonomike nuk do të ndodhej në prag të derës, defiçiti i buxhetit të shtetit nuk do të shtohej dhe pasojat e dhimbjeve të reformës do të ishin kapërcyer më lehtë, po qe se situata ekonomike nuk do të lihej jashtë çdo kontrolli si në 4-5 muajt që pasuan atë Qeveri. Pavarësisht nga ç’thuhet, unë mbetem antikomunist, kërkoj shkallmimin e tij. Unë jam për të luftuar kundër komunizmit dhe variantit minor të tij socializmit, por jo për të luftuar kundër njerëzve.

Të nderuar deputetë!

Ne jemi në hapat e parë të demokracisë, por unë me dhimbje konstatoj faktin se pasioni politik i ndezur më tepër nga një dëshirë primitive për pushtet se sa nga ndarjet ideologjike po tenton të bllokojë kanalet legale të demokracisë duke prishur kështu rregullat e lojës. Pasioni ka gjetur më në fund fuqinë e shumicës e nën presionin e saj po nxjerr ligje “blanket”, urdhra kontradiktorë e dekrete që s’i shërbejnë demokracisë por pushtetit. Pra, pushteti po i kanoset shtetit ligjor në emër të demokracisë. Prandaj në emër të lirisë e të përgjegjësisë sime si deputet shtyhem të deklaroj se shoqërisë shqiptare po i troket sërish në derë diktatura. Për këtë arsye duke respektuar kohën në të cilën jetojmë, duke kujtuar edhe një herë sakrificën e stërzgjatur që jemi detyruar të përballojmë si dhe aktin sublim të studentëve dhe të mbarë popullit shqiptar në këto vitet e fundit, më lejoni që, nga forumi më i lartë i shoqërisë sonë, të ritheksoj botërisht përgjegjësitë që kemi marrë pas votëbesimit që na ka dhënë populli: ndërtimin e shtetit ligjor, ekonominë e tregut, pacenueshmërinë e të drejtave të njeriut. Koha as i ka falur e as do t’i falë abuzuesit e pushtetit. Mjerë ai që nuk përmbush detyrimet morale që kërkon koha e tij. Sot i paraqita këshillit kombëtar të Partisë Demokratike peticionin e zonës sime elektorale dhe një memorandum ku i kërkoj të mbajë qëndrim ndaj peticionit dhe në varësi të këtij qëndrimi, unë do të vendos pozicionin tim. Mësova se këshilli kombëtar nuk begenisi ta përfillë peticionin e popullit të zonës sime elektorale. Unë jam i obliguar ndaj vullnetit të popullit prandaj e quaj të pafalshme që ai nuk përfillet. Pavarësisht nga mekanizmi që u gjet dhe artificet, që u përdorën falënderoj grupin parlamentar të PD për të mirën që më bëri duke më përjashtuar, duke më shpëtuar moralisht nga qenia bashkëfajtor për atë që mendoj se do ndodhë.

Faleminderit

Gramoz Pashko

29.6.1992

 

SHKARKO APP