Historia/Vijimi i legjendës së ujkut në Himarë
(Botuar me 4 Janar 1994, Koha Jone)
Reportazh nga Jugu.
Nga Aleksandër Çipa-
Në fshatin Pilur, tregohet një histori e ngjarë, por që për nga e jashtëzakonshmja që mbart, mund të quhet legjendë: Ka pas jetuar një burrë në këtë fshat, me mbiemër Mërkuri që ka arritur të komunikojë në një farë mënyre me ujkun. Natyrisht, ngjarja që e lidhi me këtë komunikim fantastik ishte disi e veçantë. Ky person siç tregohet nga të moshuarit e këtij fshati u ndodh ballë për ballë me ujkun në një stan, ku të dy kishin shkuar për të grabitur. As ujku s’ia hapi shtegun, por as ky nuk u tremb. Pas kësaj përplasje, ujku shpesh ulërinte pranë shtëpisë së tij duke kryer kështu misionin e lajmëruesit. Kjo “miqësi” e burrit nga Mërkurajt zgjati shumë… Megjithëse të dy e kishin këtë miqësi të ngritur mbi bazën e të njëjtit ves: grabitjes.
Kjo ngjarje jo pa përkim të ngelet në mend se sapo dëshiron të shkruash diçka sot për bregdetasit që dendur krenohen kur i pyet për përkatësinë krahinore. Himara nga të gjitha fshatrat e veta përballë pushtetit të djeshëm ishte njësoj si ai fshatari përballë ujkut. Pushteti për banorin e kësaj krahine virtuoze në shumë aspekte mbeti ujk i përhershëm, i pamëshirshëm e madje më i pangopshëm se kjo kafshë. Sidoqoftë, kjo përballje e keqe me pushtetin e djeshëm u bë njëherësh shkolla e jetës së himarjotëve. Por në këtë përvojë brenda kontinuitetit të tyre himarjotët u pajisën me një farë vrazhdësie dhe ashpërsie në mentalitetin e tyre. Në Dhërmi, fshat i dytë për nga rëndësia demografike ndër 7 fshatrat, për Petro Markon, gjithmonë, nga bashkëfshatarët në një masë të konsiderueshme ka pasur një qëndrim të ftohtë. Ky intelektual i mbarënjohur pati jetë të distancuar gjeografikisht nga vendlindja. E sidoqoftë jo pak e ndjeu ftohtësinë e bashkëfshatarëve. E këtë shkrimtari e kompensonte me stoicizmin e vet. Himarjotët të pajisur me dijet dhe njohjen që të jep shëtitja nëpër Evropë, u shndërruan në emra që mund të të ndihmonin për çdolloj referimi. Jan Kopeli në Qeparo, është njëri prej të cilëve që ende i jeton ditët. Një emër i panjohur për qindra himarjotë, por i njohur për disa. Një plakë në shtëpinë e vet mund të ketë në ruajtje koleksione që sfidojnë dhjetëra muze të braktisur, qindra muze nga ata që i mban shteti edhe sot në këmbë. Ky qeparotas që e ka shtëpinë pranë detit mund të përgjigjet në 13 gjuhë. Ai është ndoshta i vetmi që disponon grupin e plotë të pllakave origjinale të Këngëve të Himarës të regjistruara në Francë në vitet 1930, nga i mirënjohuri Neço Muko… Po kush iu drejtua atij për t’ia vjelur njohjen nga historianët apo nga muzeologët. Askush. Ikin nëpër kohë dëshmitarë të tillë. Profesionistët e Instituteve dhe institucioneve nuk bëjnë gjë tjetër, veçse konsumojnë në një mënyrë burokratike paratë e shtetit. Këngëtari Dhimitër Varfi (artist i merituar) doli nga kënga tepër i moshuar, në ikje. Grupi i tij aq fin dhe magjik u shua pak e nga pak. Ishte i vetmi pas grupit të Neço Muko Marjotit që e ngriti këtë këngë, të quajturën mbretëreshë e polifonisë shqiptare në nivele të virtuozitetit. Por çfarë u bë për të? Shteti i djeshëm harxhoi vetëm bronz e bakër për medaljonin e titullit. Shteti i sotëm e sfidoi të djeshmin me Neço Mukon. Këtë artist kaq të veçantë e bëri me të drejtë Artist të Popullit. Por në Himarën e braktisur sot nga mërgimi s’ka asnjë vend ku mund të vesh e të gjesh diçka për Neço Mukon, këtë këngëtar, muzikant, poet e instrumentist. Ende nga administrata shtetërore ruhet objekti. Shtëpi e Kulturës, por një godinë që vuan lagështirën e tepërt të dimrit dhe boshësinë e vetminë mjeruese. Në krah të saj hija e vetme e një basorelievi folës për muzeun, por më tepër jo një muze, por një magazinë sendesh të vjetra. Edhe sot, kur mbetesh në bisedë me të vetmit pleq që kanë mbetur në Himarë, në fytyrat dhe temperamentin e tyre të gdhendur do të lexosh atë përkimin e sjellë si legjendë në hyrje të këtij reportazhi: të ujkut me piluriotin. Ndaj pushtetit të sotëm, banorët e mbetur në këtë vend me përvojë mërguese kanë disponimin e të pakënaqurit. Shumë mungesa e bëjnë drobitëse përditshmërinë e këtij qyteti të vogël e të izoluar gjeografikisht. Sikur transporti, sëmundja e hershme për banorët, të mos ishte vetëzgjidhur me mjete private, Himara shumë shpejt do të kërkonte jo vetëm kombësi tjetër, por edhe racë e ku di çfarë për kapriço ndaj shtetit. Palermon, rrugën e njohur të këtij vendi Enveri e mbylli me pretekstin e bazës. Sot këtë rrugë e çelën, por ende që prej 6-7 muajsh nuk asfaltohen dot rreth 15 km. Posta e Himarës vetëm dy orë mund të të vijë në ndihmë. Edhe këtë afat kohor nëse dëshiron komunikimin me Greqinë. Kjo është mundësuar vetëm nga interesimi i himarjotëve për të folur me të afërmit e tyre në shtetin fqinj, ku janë të punësuar gati 50 për qind. Në Himarë shteti me ligjin e tij për tokën është ende i pafuqishëm. Asgjë nuk po bëhet. Komuna e ndodhur midis kërkesës së ish pronarëve dhe atyre që konsiderohen të ardhur, mbetet në anën e të parëve dhe as që ka interesin administrativ për të vepruar. Midis shtetit të madh dhe “shtetit të vogël”të Himarës ka përplasje. E nga kjo Himarë, në të 7 fshatrat vazhdon një vdekje e ngadaltë që shpeshherë i tejkalon përmasat e pikëllimit. Kjo vdekje vazhdon edhe në fshatrat e tjerë të bregdetit që tashmë administrativisht nuk përfshihen në zonën e Himarës. Kështu ngjet me Lukovën aq të njohur si perlë e Jugut. Grushti i njerëzve të mbetur në këto fshatra përplaset me vetveten dhe atmosfera shpesh të krijon përshtypjen se këtu ke të bësh me një shtet tjetër, me një shoqëri tjetër. Njerëzit që i kanë sytë nga deti, por që s’komunikojnë dot prej kohësh me njerëzit që drejtojnë punët nga toka. Gjithë kjo panoramë problemore e jetës të kësaj krahine, është arsyeja që dendur sot përplasesh me krizën morale. Kjo është një “vrasje”dashur apo pa dashur, që pushteti i Tiranës po ja bën në vijimësi Himarës siç ja pati bërë i kaluari. Për tek kjo krahinë po shkon vetëm djersa e të emigruarve në Greqi…/Aleksandër Çipa/